Teksa kanë mbështetur fort ambasadorin e OSBE në Tiranë, Raunig për punën e bërë e raportin e detajuar për Shqipërinë që paraqiti në Vjenë, SHBA-të komentojnë dhe largimin e disa kandidatëve të inkriminuar nga gara elektorale si dhe thekson se, shqiptarët nuk duhet të pranojnë kandidatë me të shkuar të errët.
“SHBA vë në dukje faktin se dhe pse është bërë përparim në largimin e individëve me lidhje të njohura kriminale nga lista e kandidatëve disa mbetën në fletën e votimit. U bëjmë thirrje shqiptarëve që të insistojnë që partitë e tyre politike të ofrojnë kandidatë me reputacion që duan të çojnë vendin para. Eliminimi i korrupsionit dhe heqja e ndikimeve kriminale nga qeveria është thelbësore për zhvillimin e qeverisjes së mirë dhe të institucioneve demokratike të Shqipërisë. Mënyra më efektive për të siguruar këtë është që Shqipëria të bëjë reforma sistematike kushtetuese e legjislative që pengojnë kandidatët me influencë kriminale, për tu vendosur në fletën e votimit”, tha ambasadori i SHBA në OSBE.
“Eliminimi i korrupsionit dhe influencat kriminale mbi qeverinë është thelbësore për Shqipërinë në ndërtimin e një qeverisje të mirë dhe institucione demokratike”, shprehet ambasadori duke shtuar se rruga më e mirë për këtë është kryerja sistematike e reformave kushtetuese dhe legjislative për të parandaluar përfshirjen e kandidatëve që kanë influencë kriminale në fletën e votimit.
Daniel B. Baer u kërkon partive politike që të punojnë për reformën në drejtësi, pasi qytetarët shqiptare presin prej shumë kohësh një gjë të tillë. Ai bën thirrje që në proces të jetë e përfshirë dhe opozita.
“SHBA inkurajon qeverinë dhe parlamentin në angazhimin e tyre për të bërë reformën gjyqësore një prioritet kryesor, me veprime jo vetëm me fjalë. Ne duam të theksojmë rëndësinë e përfshirjes së opozitës politike në këtë proces. Reformat duhet të ndiqen nga një frymë të përkushtimit shumë-partiak, ndërsa ka rëndësi që asnjë parti të mos bllokojë ecjen para. Ne përgëzojmë punën e Prezencës së OSBE për të nxitur një konsultim të gjerë e angazhim qytetar në reformën gjyqësore, duke përfshirë takimet në terren si dhe pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve. OSBE është shumë e interesuar për procese gjyqësore transparente në përputhje me angazhimet e saj”, tha ambasadori i SHBA në OSBE.
Sipas tij, populli shqiptar ka pritur për një kohë të gjatë për drejtësi të paanshme e një sistem gjyqësor në të cilin gjyqtarët e prokurorët të promovojnë sundimin e ligjit por që dhe të mbajnë përgjegjësi për sjelljen e tyre. SHBA beson fuqimisht se shqiptarët e të gjitha partitë janë të interesuara që sfidën e reformës gjyqësore ta trajtojnë përpara se vendi të mund të marrë hapin e ardhshëm demokratik.
Baer mbështeti fort punën e OSBE dhe kreut të saj në Shqipëri, duke vlerësuar punën e shkëlqyer të tij në Tiranë, në funksion të reformave kyçe demokratike, si një partner i fortë, i paanshëm e mbështetës i këtij vendi, duke e inkurajuar që të vazhdojë të punojë në partneritet me qeverinë, Kuvendin, shoqërinë civile dhe aktorë të tjerë për të siguruar përparimin e qëndrueshëm të Shqipërisë. SHBA mirëpret punën intensive të OSBE për të arritur një Kod Sjelljeje parlamentare, dhe u bën thirrje palëve, përfshirë dhe opozitën, që të punojë për të arritur miratimin e saj.
“Faleminderit Ambasadori Raunig, për punën e madhe e përkushtimin që ju dhe ekipi juaj keni për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën demokratike e euroatlantike”, vlerësoi sërish ambasadori i SHBA në OSBE.
Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)