TIRANE - Zgjedhjet parlamentare që mbahen sot paraqesin një situatë tejet të balancuar, referuar dhe shifrave të zgjedhjeve të vitit 2009. Duke bërë kalkulimet e rezultatit të këtyre zgjedhjeve por dhe pritshmërive që mund të paraqesin votimet ditën e sotme, referuar dhe tabelave të botuara për disa ditë me radhë për pritshmëritë e rezultatit të 23 qershorit në gazetën tonë nga politologu Afrim Krasniqi, mund të arrijmë një konkluzion të qartë se beteja në Shqipëri bëhet për 35 mandate.

Të clat do të përcaktojnë fituesin e këtyre zgjedhjeve të cilësuara si të rëndësishme për vendin. Kështu, më shumë se 3.2 milionë votues të regjistruar në listat e zgjedhësve ditën e sotme do të shkojnë në kutitë e votimit për të votuar pikërisht se si do shpërndahen këto 35 mandate, pasi 105mandate sipas përllogatitjeve tona tashmë janë të sigurta.

Por duke parë tabelën e përllogaritjeve në të 12 qarqet, vihet re se rezultati është shumë i ngushtë dhe PS e drejtuar nga Rama e ndajnë nga PD e drejtuar nga Berisha vetëm 3 mandate deputeti.

Pra 53 mandate marrin socialistët dhe 50 mandate demokratët. Një avantazh tepër i ngushtë në mandatet e sigurta në zgjedhjet e sotme referuar rezultateve të vitit 2009, ndërkohë që LSI në koalicion me PS dhe FRD e Topit që ka dalë e vetme në zgjedhje kanë të sigurtë vetëm nga një mandat deputeti dhe pikërisht në kryeqytetin e vendit, respektivisht të dy kryetarët Meta dhe Topi.

Kështu për shkak të sistemit proporcional rajonal, por mbështetur dhe në atë çka kanë dhënë zgjedhjet e të gjitha viteve postkomuniste pritet që sot të përballemi me një rezultat relativisht të balancuar, me diferenca të vogla mandatesh në Kuvend. Por në 22 vjet votuesi shqiptar ka kaluar nga polarizimi ekstrem tek balancimi politik.

Disa qytete kanë mbetur dominuese nga palët e caktuara politike, e majta në Tiranë, Vlorë, Berat, Fier, Elbasan, Gjirokastër, ndërsa e djathta dominuese në Shkodër Lezhë, Durrës, Dibër, Kukës. Kalimi në proporcional e bëri më të balancuar përfaqësimin politik, në 3 qytete të mëdha rezultati është baraz, këtu Tiranë 15-15, e në shumicën tjetër me diferencë prej 1 mandati.

Lufta midis palëve s’është më betejë për më shumë vota por për më shumë mandate. Ndërkohë që zgjedhjet e 2013 janë të parat në të cilat numri i popullsisë në qytete është dukshëm më i lartë sesa ai në fshat. Diferenca do jetë në të paktën katër qarqe ku palët pretendojnë të fitojnë mandate më shumë dhe në 3-4 qarqe të tjera ku partitë e reja pretendojnë e mund të marrin mandate përballë PD-PS.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 23.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)