SHKUP- Maqedonia të dielën mban raundin e dytë të zgjedhjeve vendore.  Vëmendja është përqëndruar në komunën e Strugës ku garon një kandidat shqiptar me një maqedonas.

Gara është e fortë ndërkohë që një numër i madh shqiptarësh jetojnë jashtë vendit. Në Kërçovë ardhja e shqiptarëve nga diaspora për të votuar siguroi që kjo komunë të qeveriset nga shqiptarët pas 70 vitesh. Të nxitur nga kjo, maqedonasit nga Struga të cilët jetojnë në Zvicër nëpërmjet rrjeteve sociale (foto) po organizohen që të dielën më 7 prill të vijnë në vendlindje që të mund të votojnë në rrethin e dytë të zgjedhjeve, njoftojnë mediat maqedonase.

bileta


Transporti do të jetë falas nga Gjeneva deri në Ohër dhe anasjelltas. Nuk dihet se kush do t’i paguajë këto aeroplanë dhe autobusë që do të sjellin votues nga Zvicra për në Strugë.

Ndërkohë, kandidati shqiptar për kryetar komune, Zijadin Sela tërheq vëmendjen se qeveria po ushtron trysni ndaj votuesve shqiptarë.

Të dielën në Strugë do të votohet në balotazh ku kandidati i vetëm shqiptar Zijadin Sela, i PDSH-së, mbështetet nga të gjitha partitë shqiptare, BDI, RDK. Kurse kandidati i vetëm maqedonas, Vladimir Koçoski, i VMRO-DPMNE mbështetet nga të gjitha partitë maqedonase.

Raundi i dytë do të zhvillohet në 29 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Balotazhi do të zhvillohet në këto komuna: Haraçinë, Berovë, Manastir, Bogdanci, Bërvenicë, Butel, Veles, Vrapçishte, Gostivar, Shkup, Debarcë, Dellçevë, Gjorçe Petrov, Jegunovcë, Kavadarcë, Karbincë, Karposh, Koçan, Kumanovë, Lozovë, Mogillë, Resnjë, Staro Nagoriç, Gostivar, Strugë, Studeniçan, Tearcë, Tetovë, Qendër, Çair dhe Çeshinovë – Obleshevë.
 
Partitë shqiptare na raundin e dytë konkurrojnë: Tetovë, Gostivar, Strugë, Çair, Haraçinë, Vrapçishte, Tearcë. Ndërsa vota shqiptare do të jetë e rëndësishme në Kumanovë, Butel, Resnjë, Manastir,etj.

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 24 marsit u zgjodhën 49 kryetar të komunave. Sipas planit të decentralizimit, Maqedonia është e ndarë në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit. Të drejtën e votës e shfrytëzuan 1.743.403 qytetarë me të drejtë vote.

(sg/shqiptarja.com)