TIRANE – Fryma e Re Demokratike do të marrë pjesë në zgjedhjet e 23 Qershorit si një formacion i plotë politik në të gjitha qarqet e Shqipërisë. Kështu ka deklaruar Bamir Topi, kreu i forcës më të re politike, e cila përballet për herë të parë me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Në një takim që zhvilloi paraditen e sotme me krerët e FRD-së në rrethe, Topi tha se gruaja do të jetë kryefjala e këtyre zgjedhjeve, për shkak të pjesëmarrjes që ajo do të ketë në politikën e FRD.

Ish-presidenti Topi, theksoi se aksesi për zonjat në FRD do të jetë shumë më i mirë se sa i partive të tjera, për hir të rolit që ajo ka në familje e familje.

Në takim, i cili në pjesën e dytë të tij do të zhvillohet pa praninë e mediave, Topi tha se do të diskutohet mbi platformën e kësaj partie dhe termat e referencës për zgjedhjen e kandidaturave për listën e deputetëve në çdo qark.

Për një tjetër argument, atë të zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kreu i FRD-së akuzoi kryeministrin Berisha, si iluzionist, i cili në 22 vite nuk ka mbajtur asnjë premtim.

“Fobia për manipulimin e zgjedhjeve prap është prezent. Të gjithë ata shërbëtorë që dalin nëpër studio që shifrat do të dalin ashtu siç thonë ata bëjnë që shqiptarët të mos habiten për atë rezultat që do të dalë. Ky apel është për të gjithë shqiptarët.
Njihen aktorët, njihen regjisorët, njihet skenaristi. Mos shkoni për të parë atë shfaqje që nuk iu ofron asgjë. Ku janë ato premtime? Keni parë ndonjë mulli me erë, qoftë edhe një të vetëm? Atëherë s’na mbetet gjë tjetër vecse ta krahasojmë me personazhin e Servantes. E meritojnë shqiptarët që pas 22 vitesh të kenë të njëjtin iluzionist? Jo! Në prag të zgjedhjeve dalin disa iluzionistë për t’i thënë popullit se situata është ndryshe”, tha Topi.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)