TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar sërish një takim me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Metën në zgjedhjet vendore 2023. Takimi ka zgjatur mbi një orë, ndërsa diskutimet janë fokusuar në zgjedhjet vendore dhe koalicionin mes Berishës dhe Metës.

Këto takime mes Berishës dhe Metës vijnë në një kohë kur KQZ e ka lënë jashtë zgjedhjeve grupin e Rithemelimit, i cili nuk mund të regjistrohet nën siglën zyrtare të PD-së për garën elektorale. Në një prononcim për mediat, Meta tha se më 15 maj shumica e bashkive do të jenë të opozitës.

"Një takim në kuadër të bashkëpunimit tonë e të kësaj aleance të jashtëzakonshme të të gjithëve për ndryshim. Në datën 15 maj shumica e kryetarëve të bashkive në gjithë Shqipërinë i përket ndryshimit dhe opozitës të bashkuar dhe pa asnjë diskutim e shumica dërrmuese e këshillave bashkiakë do i përkasë opozitës", tha Meta pas takimit me Berishën.

Pas takimit, Berisha doli në një deklaratë për mediat, në të cilën tha se ditën e nesërme do të ketë zhvillime të reja sa i përket këtij koalicioni.

“Ka një koalicion me Ilir Metën, të parin fare, sipas të cilit, Partia e Lirisë angazhohet të mbështesë kandidatët tanë në të gjithë Shqipërinë. Ky koalicion do njohë zhvillime të tjera të reja dhe do komunikohen nesër zhvillimet e reja të këtij koalicioni. Ne jemi të bindur se koalicioni është tmerri i Edi Ramës. Edi Rama është i tmerruar nga këto zgjedhje”, tha Berisha.

Duke qenë se Berisha nuk futet dot në zgjedhje, do të jetë Partia e Lirisë që do të mbështesë kandidatët e dalë nga primaret. Ndërsa sa i takon anëtarëve për Këshilla Bashkiakë, Berisha po zhvillon bisedime për koalicion me partitë e tjera aleate.

Paralel me negociatat politike me partitë aleate, Berisha përfundoi këtë të hënë edhe mbledhjen e firmave mbështetëse të koalicionit. Sipas nenit 68 të Kodit Zgjedhor, në rastin e koalicionit, listat në tërësi duhet të kenë marrë mbështetjen me firma nga jo më pak se 1% e zgjedhësve të një bashkie, por në çdo rast, jo më shumë se 3000 dhe jo më pak se 50 zgjedhës, kur partitë përbërëse të koalicionit kanë në parlament më pak deputetë se numri i partive përbërëse të koalicionit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:49
‘Koalicioni me Metën, tmerr i Ramës’, Berisha: Nesër do komunikohen zhvillime të reja

 

Ish-kryeministri Sali Berisha, në një deklaratë për mediat, tha se ditën e nesërme do të të komunikohen zhvillime të reja që lidhen me koalicionin që ai ka bërë me Ilir Metën

“Ka një vendim të Këshillit Kombëtar të PD. PD hyn në këto zgjedhje në koalicion. Ka një koalicion me Ilir Metën, të parin fare, sipas të cilit, Partia e Lirisë angazhohet të mbështesë kandidatët tanë në të gjithë Shqipërinë. Ky koalicion do njohë zhvillime të tjera të reja dhe do komunikohen nesër zhvillimet e reja të këtij koalicioni.

Ne jemi të bindur se koalicioni është tmerri i Edi Ramës. Edi Rama është i tmerruar nga këto zgjedhje. Ai urdhëroi gjykatës të pamoral, pa ndërgjegje profesionale dhe njerëzore, të shkelmojnë ligjet. Ai, me pengjet e tij, po degradon çdo institucion të këtij shteti.

Dy gjëra dua t’u them: Njohja e Alibashës me autorizimin e një të dorëhequri, ekziston në një formë të ngjashme vetëm te Shpirtrat e Vdekur të Çiçikovit. Si episod! Nuk ka në historinë e botës një autorizim të vlefshëm. Këto janë testamente të njerëzve pa moral, të pengjeve që shfrytëzohen në mënyrën më të turpshme.

Së dyti, nuk ekziston në asnjë ligj dhe Kushtetutë, që zyrtari që jep dorëheqjen, duhet të regjistrojë dorëheqjen në gjykatë. Këtu tejkalohet. Askush asnjëherë në këtë vend nuk ka vënë kurrë në dyshim deklaratën e dorëheqjes. Siç bën Edi Rama me Lulzim Bashën. Këto vijnë nga tmerri që ai ka nga vota e lirë. Ai e ndjen se është i humbur, ai e ndjen se ka shpërthyer një urrejtje popullore ndaj tij, që nuk ka të krahasuar, përveç urrejtjes ndaj Enver Hoxhës”, tha Berisha.