Asambleja e Partisë Socialiste e Bashkisë Librazhd është mbledhur gjatë kësaj jave që po mbyllet dhe ka zhvilluar konsultime serioze me bazën e cila ka propozuar kandidatët për në këshillin e ri bashkiak dhe kandidaturat për kryetar të kësaj bashkie. Ajo që ka rënë sy gjatë konsultimeve dhe diskutimeve ishte fakti që propozimet për kandidatët për kryetar ishin të shumta dhe në këto propozime dominuan kandidatët që kanë qenë dhe që aktualisht janë drejtues në Drejtoritë më kryesore, si ajo e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Spitalit Lokal, Drejtoria e Zonave të Mbrojtura, Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore, Drejtoria e Shëndetit Publik si edhe Drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit.
Ndërsa kanë munguar propozime të kandidaturave nga Shoqëria Civile apo personalitete nga fusha të ndryshme. Në këtë listë është përfshirë edhe kreu aktual i kësaj Bashkie, Kastriot Gurra i cili për dy mandate radhazi ka drejtuar Librazhdin duke synuar kandidimin për një mandat të tretë si edhe Kryetarja e PS, Fatbardhja Qatja.
Interesant është fakti që Asambleja e PS së Librazhdit ka propozuar si kandidat për Kryetar të kësaj Bashkie edhe z. Asllan Musta, një emër mjaft të njohur ky nga bota e biznesit, por edhe mjaft aktiv në politikë ndër vite. Biznesmeni i suksesshëm Asllan Musta nga fshati Zgosht i Njësisë Administrative Qendër i Bashkisë Librazhd është pjesë e Diasporës shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar ku drejton disa kompani të rëndësishme në të cilat punojnë një numër i madh emigrantësh të ligjshëm nga Shqipëria.
Pas propozimit të biznesmenit Asllan Musta si kandidat për Kryetar Bashkie një Grup i madh emigrantësh nga Librazhdi që jetojnë e punojnë në Britaninë e Madhe ju janë drejtuar bashkëpatriotëve të tyre librazhdas me anë të një mesazhi publik për t’i dhënë mbështetjen maksimale Mustës.
“Ne vlerësojmë padyshim edhe kandidatët e tjerë që ka propozuar Asambleja e PS ,por duke parë angazhimin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të tij për tu bërë më e mira për Librazhdin ne si Diasporë shpresojmë që ai të jo vetëm të jetë kandidati i përzgjedhur mes atyre që i janë propozuar Kryesisë së P.S.SH për kryetar i Bashkisë së Librazhdit por edhe fituesi garës së zgjedhjeve vendore në 14 Maj 2023 .Jemi krenarë që një emigrant kaq i suksesshëm me sipërmarrjet e tij është mes emrave që do përzgjidhen për të garuar për postin e kryetarit të bashkisë ne vendlindjen e tij në një kohë që politika po fajësohet për largimet masive të nga vendi ynë .Prandaj ne garantojmë mbështetjen maksimale jo vetëm gjatë fushatës zgjedhore për të siguruar një fitore spektakolare të kandidatit nga Diaspora , por premtojmë edhe më shumë investime të familjeve tona në emigracion për vendlindjen tonë të dashur te e cila e kemi mendjen dhe zemrën në çdo çast. Ne e duam Librazhdin dhe miratimi si kandidat për kryetar bashkie i Biznesmenit Asllan Musta do të jetë jo vetëm një sinjal pozitiv por edhe një mesazh i qartë për të gjithë se në është momenti i duhet që ti hapet rruga për të qeverisur atyre njerëzve që nëpërmjet punës së ndershme dhe sakrificave të panumërta në emigracion kanë arritur të kenë sipërmarrje të suksesshme edhe në vendet më të zhvilluara”, shkruhet në mesazh.
Aktualisht postin e kryebashkiakut të Librazhdit e mban Kastriot Gurra, ndërsa ai është një ndër emrat e propozuar nga Asambleja e PS. Ende nuk dihet nëse Rama do t'a rikandidojë ndërsa lista e plotë e kandidatëve për kryebashkiak do të bëhet publike më 25 mars.
Lista e propozuar për kandidatë për kryetar bashkie nga Asambleja e PSSH Librazhd
1-Kastriot Gurra
2-Hysni Hoxha
3-Enver Shkurti
4-Fatmir Brazhda
5-Asllan Musta
6-Bledar Hima
7-Fatbardha Qatja
8-Mariglen Disha
9-Ermal Kurti