Xhaçka pret zyrtaren e Lartë të OSBE-së: Të bëjmë çmos për llogaridhënien e Rusisë për krimet e luftës! Schmid: Qasja e Shqipërisë ndaj Ukrainës, për t’u vlerësuar

Shqipëria do të bëjë çmos për llogaridhënien e Rusisë, për krimet e luftës në Ukrainë. Ministrja e punëve të Jashtme Olta Xhaçka foli gjatë konferencës së përbashkët me sekretaren e Përgjithshme të OSBE Helga Shmid, për prioritetet e Shqipërisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në OKB si dhe paralajmëroi një vizitë në Maqedoninë e Veriut si kryesuese e OSBE për këtë vit

‘Shqipëria ka ruajtur rol të rëndësishëm në KS për të mbështetur Ukrainën dhe për të izoluar Rusinë. Ne jemi anëtarë të rinj të grupit të miqve për llogari dhënie si një instrument i rëndësishëm. E sigurova sekretaren e Përgjithshme do vazhdojmë të jemi të përkushtuar për sigurinë, paqen dhe stabilitetit dhe reformave në rajonin tonë Ballkanin Perëndimor. Vetëm pak ditë nga sot do të vizitoj Bujar Osmanin në Shkup dhe një ndër temat e diskutimit është sesi do e përdorim mandatin tonë në KS dhe Presidencën e Maqedonisë së Veriut për të shkëmbyer bashkëpunimet mes dy vendeve.’- tha ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka.

Zyrtarja e lartë e OSBE, Shmid, vlerësoi Shqipërinë për qasjen ndaj luftës në Ukrainë, si dhe për bashkëpunimin rajonal.

“Shumë kolegë në OSBE ruajnë ende konsiderata të larta për kryesimin e sukseshëm të OSBE-së nga Shqipëria. E vlerësoj shumë edhe axhendën tuaj për gratë në KS të OKB-së. Në OSBE ne vlerësojmë se është jetësore që të sjellim së bashku gratë dhe të rinjtë si aktorë të së ardhmes në arenën e sigurisë”, tha ajo.

Schmid theksoi se “ne jetojmë në kohë shumë të vështira për shkak të agresionit në Ukrainë, i cili ka pasur impakt edhe përtej Ukrainës”. ”OSBE është një shtyllë kryesore për arkitekturën e sigurisë në Europë”, tha ajo.

Ajo vlerësoi po ashtu progresin që është bërë me Reformën në Drejtësi.

“Kam qenë në Shqipëri në qershor 2016, para miratimit të Reformës në Drejtësi. Që atëherë ju keni bërë progres të jashtëzakonshëm për sa i përket reformave gjyqësore dhe jam e lumtur që e keni bërë këtë me mbështetjen e misionit tonë. Ne kemi punuar në shumë fusha të ndryshme, kemi kontribuar për projekte të ndryshme dhe kemi menduar të adresojmë zbatimin e impaktit të ndryshimeve klimatike”, shtoi ajo.

Schmid, gjatë konferencës foli edhe për ndërtimin e kampusit të tretë të kolegjit europian si dhe foli për përfitimet e mëdha që do të kenë të rinjtë nga ky projekt. Po ashtu, Schmid përgëzoi Shqipërinë që është përzgjedhur si vendi ku do të mbahet kampusi i tretë i Kolegjit Europian, që është institucioni më i rëndësishëm pasuniversitar në BE.

“Është një lajm shumë i mirë për Shqipërinë dhe rajonin dhe të rinjtë do të kenë përfitime duke mësuar për vlerat europiane”, tha ajo.

Schmid u takua edhe me presidentin Bajram Begaj. Ky i fundit i siguroi angazhimin e tij maksimal për zgjedhjet lokale të 14 majit në mënyrë që të arrihen standartet ndërkombëtare.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:10
Begaj takon zyrtaren e lartë të OSBE-së: Do angazhohem që zgjedhjet lokale të 14 majit të përmbushin standartet ndërkombëtare

 

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, Helga Maria Schmid. Begaj vlerësoi rolin e Organizatës në këto momente kyçe që kontinenti evropian dhe rendi botëror po kalojnë, si dhe nënvizoi vullnetin e Shqipërisë si vend anëtar i organizatës, për të kontribuar në drejtim të ruajtjes së paqes dhe rendit botëror.

Duke u ndalur tek procesi i zgjedhjeve të ardhshme lokale, Begaj vlerësoi ekspertizën e OSBE/ODIHR dhe theksoi se si President i Republikës do të bëjë gjithçka që i lejon Kushtetuta dhe ligji, që jo vetëm të kemi thjesht zgjedhje më të mira se paraardhëset, por ato të përmbushin standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Kreu i shtetit, vlerësoi gjithashtu rolin dhe kontributin e OSBE-së në Kosovë dhe rajon. Në këtë linjë, ai përshëndeti dakordësimin publik që u arrit në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë, duke rikonfirmuar qëndrimin e Shqipërisë se dialogu dhe marrëveshja janë rruga e vetme për një rajon në paqe dhe stabilitet.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan kontributin që misioni i OSBE-së në Ukrainë po luan në këto momente agresioni të pashembullt, të pajustifikuar e të paprovokuar nga një anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe të organizatës, si dhe kontributin real për paqen.

"Çdo krim i kryer në Ukrainë, ndaj popullsisë civile, ndaj fëmijëve dhe ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës nuk duhet të mbesë pa ndëshkuar,” – nënvizoi Presidenti Begaj.

M.Q./B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

A e dinit, ja cilat u shqime nuk duhet t’i kombinoni kurrë me njëra-tjetrën

A e dinit, ja cilat u shqime nuk duhet t’i kombinoni kurrë me njëra-tjetrën