14 maji/ Kandidatët në terren! Spahia: Prioritet bujqësia dhe infrastruktura! Beci: Fokus arti, kultura dhe turizmi

Kur mbeten edhe pak ditë nga zgjedhjet vendore që do të mbahen në 14 maj, kandidatët e bashkive kanë shpeshtuar takimet me elektoratet e tyre dhe kanë shpalosur programet.

Kandidatja e PS për Bashkinë e Durrësit Emiriana Sako ishte në takim me banorë të komunitetit gramshiot për projektin e transferimit të gjithë zonën në Durrësin e Ri dhe në Spitallë.

Në këtë takim mori pjesë edhe kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Gramshit, Besion Ajazi. 

Kandidati për kryetar të Bashkisë së Durrësit, Igli Cara zhvilloi një takim me mësues të arsimit parauniversitar të qytetit dhe pedagogë të Univesitetit.  

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu dhe Kryetari i Partisë Agrare Agron Duka zhvilluan takimin elektoral me mbështetësit e tyre në qytetin e Lushnjes.

500 mijë euro investime në çdo fshat të Bashkisë Himarë për 4 vitet e ardhshme ishte premtimi i kandidatit të PS për Himarën Jorgo Goro në takimin  Kallaratit.

Shefki Çota është kandidati i BF për qytetin e Libazhdit dhe ai u prezantua këtë të shtunë për banorët .

Kandidati i PS për Elbasanin Gledian Llatja zhvilloi takimin e radhës në Shelcan ku njohu banorët me projektet për 4 vitet e ardhshme. Ai u shoqërua nga Sekretari i Përgjithshëm dhe drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri.

Më shumë mundësi për fshatin duke filluar nga viti i ardhshëm për të ecur me ritme më të shpejta ishte kryefjala e kandidatit të PS Sotiraq Filo në takimin me banorë të fshatit Moravë.

Në Korçë kryetarja e FRPD Maria Mano akuzoi kryetarin dhe kandidatin e PS Sotiraq Filo se ka djegur fondin prej 3.6 mld lekë të parashikuar për investime.

Në vijim të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 14-majit, kandidati i PS për Lezhën Pjerin Ndreu zhvilloi takime me banoret e fshatit Manati dhe lagjes “Nënë Tereza”.

Kandidati i koalicionit Berisha-Meta për bashkinë e Lezhës Pashk Gjoni zhvilloi një takim me gratë dhe Vajzat ku e pranishme ishte edhe koordinatorja e zgjedhjeve për Qarkun e Lezhës Jozefina Topalli.

Në takimin e radhës Kandidati i koalicionit opozitar Bardh Spahia ishte në njësinë administrative të Berdicës.

Kandidati i PS për Shkodrën Benet Beci në vijim të takimeve elektoralve, ndau vizionin e investimeve me artistët e këtij qyteti.

Kandidati i koalicionit opozitar për Vaun e Dejës, Zef Hila u takua me banorë të lagjes Kinoklub për ti njohur me projektet që ka gati.

Leonard Hide kandidati i PS për Bashkinë e Libohovës u prezantua për elektoratin socialist një emër i ri për socialistët.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:01
Kandidati i koalicionit Berisha-Meta në Lezhë kërkon drejtësi për vrasjen e Nikulajt: Të zbardhet çdo detaj! Mos luani me zjarrin se keni për t'u djeg

1682802237_pashkgjoni.jpg

Kandidati i koalicionit Berisha-Meta për bashkinë e Lezhës, Pashk Gjoni ka reaguar ashpër ndaj ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 19 prill në Shëngjin, ku u vra biznesmeni Ardian Nikulaj.

“Reagim i detyruar ndaj ministrit të Dosjes 184! Ministri famëkeq i zhdrejtësisë dhe sejaminët e tij, bashkë autorë të masakrës zgjedhore të Dibrës, dosjes 184, janë në ditët e tyre më të vështira, ndaj kanë humbur logjikën e veprimeve dhe deklaratave.

Nuk kanë për t'ia dalë me lezhjanët, do të pësojnë humbjen më të madhe që rilindasit kanë marrë ndonjëherë në Lezhë. Mos luani me zjarrin se keni për tu djeg të parët, dhe kurrë lezhjanët. Nuk iu dhimbset aspak Lezha se, realisht nuk iu lidhë asgjë me të. E keni parë si plaçkë prej 4 vitesh, ndaj më 14 Maj, do dilni të turpëruar nga qyteti që jeton edhe më qetë pa praninë tuaj nëpër këmbë.

Ngjarja kriminale e Shëngjinit duhet të zbardhet me çdo detaj, larg ndikimit politik dhe pa asnjë ndërhyrje.Nuk i përkas asaj rrace politike që të përfitoj nga një fatkeqësi e një bashkë qytetari tim.

Jam e kundërta juaj dhe modelit tuaj. Ndaj, neveri për gjithë atë që deklaroni.Nuk do të merrem më me ju që të bie në batakun që kërkoni të fshiheni. Bashkë me mijëra banorë në katër anët e Lezhës, më 14 Maj, shpëtojmë të ardhmen që absolutisht, do të jetë krejt ndryshe nga modeli që ofroni ju”, shkroi Gjoni.

Ora 22:48
Boçi ironizon PS: Rrugët nxihen me lopata për të mbuluar kufomën e një qeverisjeje të dështuar

1682801398_luianoboi.jpg

Kandidati i koalicionit Berisha-Meta në Elbasan, Luçiano Boçi premton se do i japë rëndësi të vecantë infrastrukturës. Pas një shëtitje në rrugët e qytetit, thotë se banorët janë të revoltuar për rrugët e pashtruara. Boçi ka bërë një status të gjatë në rrjete sociale ironizon PS duke thënë se është dëshpëruese të shohësh ethen e punimeve elektorale, rrugë që nxihen dhe lopata që lëvizin për të mbuluar dështimin.

“Reflektim pas një dite të gjatë nëpër rrugët e qytetit... Problemet kapen nga rrënja, por ato zgjidhen nga koka. Kur një njeri vëren se një rrugë është e pashtruar dhe vendos të flasë për këtë, fjala e tij përkufizohet nga mjedisi ku ai flet.

Për një banor – një rrugë e pashtruar është një realitet i përditshëm që ai e urren. Në heshtje, por e urren! Nëse flet për të, do të thotë se është i revoltuar. Për një administrator publik – një rrugë e pashtruar është një problem teknik: nëse i japin fondet, ai e rregullon. Por fondet i kontrollon politika.

Për një njeri që vjen nga politika, si unë – një rrugë e pashtruar (në periferi apo larg qendrës së qytetit) është një parim kushtetues i shkelur. Një rrugë e pashtruar dëshmon se banorët e të njëjtit territor nuk janë të barabartë përpara ligjit dhe ata marrin nivele të ndryshme shërbimi. Kjo rrugë denoncon njeriun politik, i cili drejton atë njësi, për të cilin banorët e asaj rruge nuk janë qytetarë të barabartë me ata të tjerët, që munden të jetojnë më në qendër.

Kjo rrugë e prishur është kësisoj pasqyra e pabarazisë sociale dhe dëshmia e hendekut ligjor që vuan vendi në tërësi. Në këtë rast qendra e qytetit bëhet edhe qendra e interesit politik. Por edhe arsyeja e ruajtjes së status-quo -së.

Publiku në tërësi, për shkak të kësaj ploje shumë të gjatë morale - e cila i ka rrënjët tek komunizmi, është veshur tashmë me disfatizëm: kështu janë gjërat, ky është fati, kjo është Shqipëria... Për këtë arsye, një formë e natyrshme e mendimit është “të ikësh nga vendi” - si rrugë për të shpëtuar nga e keqja. E keqja në këtë rast është Vendi. Por në themel – e keqja është mënyra e të menduarit politik të atij që e drejton atë vend.

Meritokracia e munguar, hapësirat e shkelura të lirisë së ndërgjegjes, guximi i nëpërkëmbur qytetar për të pasur një rol dhe për ta luajtur atë në jetën e qytetit – të gjitha këto janë “rrugë të prishura”, që nuk na ndihmojnë të gjejmë veten, por ta humbim atë.

Ata që ikin sot nga Shqipëria – janë duke kërkuar pikat e forta të vetes, jo shanset e humbura të jetës. Ky lexim i mungon mjedisit ndërkombëtar që i paragjykon shqiptarët falë një qeverisjeje, e cila nuk i njeh më ata. Për këtë shkak – nëse dikush në qytetin tonë vendos të rregullojë një rrugë, duhet së pari të kuptojë pse po e bën këtë.

Eshtë dëshpëruese të shohësh ethen e punimeve elektorale, rrugë që nxihen dhe lopata që lëvizin për të mbuluar kufomën e një qeverisjeje të dështuar vendore. Megjithatë, ajo mbetet aty, mes nesh – e përzishme dhe e pashmangshme si një mort – që duhet ta përcjellim me ceremoni.

Njerëzit kanë nevojë për zgjidhjen e problemeve, që duhen kapur nga rrënjët. Zgjidhja e tyre ama – vjen gjithmonë nga koka. Këtë do të bëjmë me 14 maj!”, shkroi Boçi.

Ora 21:28
Gjiknuri dhe Llatja bashkëbisedim me banorët e lagjes ‘Kongresi i Elbasanit’: Opozita ofron premtime boshe, s’mund ta ndalë zhvillimin

 

Sekretar i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja zhvilluan një takim me banorë të lagjes “Kongresi i Elbasanit”,  prej nga theksuan rëndësinë e bashkëpunimit qeveri-bashki. Gjiknuri nënvizoi se opozita po ofron një fushatë të ngritur në premtime boshe dhe ide të pamundura për t’u realizuar.

“Një kryetar bashkie, sado ide të ketë, po nuk pati lidhjen Parti Socialiste, qeveri e Partisë Socialiste dhe bashki e Elbasanit, të gjitha fjalët “i merr era”. Kundërshtari normal që mund të premtojë shumë. Gjëja e parë që ka mashtruesi përgjithësisht është paraqitje e bukur, fjalim i bukur.  Luçiano Boçi ju e njihni shumë mirë kush është ka qenë Kryetar i Partisë Demokratike në këtë qytet. Ka qenë pushtetari numër një që bënte politikat e kuadrit, punësimet dhe të gjitha ato në thonjëza vepra të Sali Berishës dhe Ilir Metës kur ishin në qeveri atëherë dhe që fati e solli të jenë prapë në “martesën e re”sot.

Prandaj them se çdo qytetar i Elbasanit fillon dhe i bën pyetje vetes se çfarë zgjedhje ka përballë. Praktikisht zgjedhja e tyre është zgjedhje boshe. Është zgjedhja e mashtrimit. Kur vjen të takon tek e tek thotë jam vetvetja, jam qytetar i Elbasanit, nuk kam lidhje me politikën e madhe. Ndërkohë këtu ka ardhur si nënkryetar i Sali Berishës. Ka një dyshe nga mbrapa, do apo s’do ai, është Ilir Meta dhe Sali Berisha. Në fletën e votimit Ilir Metën ka ai, s’ka ku shkon, atë ka në letër. Të shkojë ta shohë letrën aty. Kur të shkoni të shikoni në ekranin elektronik, do të shikoni “Bashkimi për Fitore”, Ilir Meta alias Luçi” nënvizoi Gjiknuri.

Numri dy i PS-së siguroi se zhvillimi i Elbasanit është një proces që nuk mund të ndalet dhe Gledian Llatja do të vijojë me punën dhe mirëadministrimin e bashkisë me mbështetjen e qeverisë dhe Kryeministrit Rama.

“Ne nuk mund ta frenojmë zhvillimin e Elbasanit. Kur marrin këta pushtetin, që në Elbasan nuk do të ndodhë kurrë se nuk kanë asnjë shans, këta fillojnë ndërpresin çdo lloj komunikimi me bashkinë, e bunkerizojnë, e militantizojnë se kanë hallin të punësojnë ata të partisë së tyre dhe asnjë gjë nuk ndodh për qytetin. Luçi vetëm këtë plan ka. Prandaj kur them Gledi nuk është vetëm,  ka një ekip dhe angazhimi politik është angazhim publik i të gjithë këtij ekipi politik me deputetë, me kryetar partie, me mua si Sekretar i Përgjithshëm, por edhe me garancinë që jep Qeveria e Edi Ramës për projektet e Elbasanit. Elbasani, unë e kam thënë e kam bindje, unë e shoh si projeksion zhvillimi. Elbasani është një qendër e rëndësishme e vendit” shtoi më tej ai.

Gjiknuri kërkoi mbështetjen e qytetarëve të Elbasanit si një kontratë e re bashkëpunimi dhe mbështetje për politikat sociale të qeverisë.

“Është shumë e rëndësishme kjo. Më 14 Maj ne shpërblejmë dhe politikat qeveritare, të cilat ndikojnë direkt për njerëzit. Rritja e fondit të pagave dhe kontributit të sigurimeve shoqërore do të çojë në rritjen e pensioneve. Kjo është e garantuar. Shenjat e para janë dhënë. Shpërblimet e këtij viti kanë ndikuar pozitivisht në jetën e çdo pensionisti. Ka dhe një shpërblim tjetër që do të vijë shumë shpejt.

Këto janë politika të majta, mua më pëlqen, unë jam socialist edhe nga origjina edhe nga shpirti, dhe më pëlqen shumë që qeveria ime i shkon njerëzve më në nevojë dhe i adreson problematikat e tyre.

Nuk ka mbaruar, patjetër s’kanë mbaruar. Sot në Elbasan shumë shpejt fillon rikonstruksioni i Poliklinikës së qytetit. Prapë është ndihmë për njerëzit, për një shërbim më të mirë. Këto janë falë mbështetjes së qeverisë. Vota më 14 Maj ka këtë aksiomë, bashki më të mirë, paga më të larta, pensione më të larta”, theksoi Gjiknuri.

Para banorëve të lagjes “Kongresi i Elbasanit”,  Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja paraqiti vizionin e tij “Elbasani 2030” i cili bazohet në një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik si rrjedhojë e turizmit që 4-vjeçarin e ardhshëm do të marrë përparësi.

“Ne shohim zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Elbasanit. Investimet që po bëjmë ne tani, investimet e mëdha, Auto Moto Parku, shëtitorja buzë lumit Shkumbin, by passi i Elbasanit, zgjerimi i Korridorit të 8 - , spostimi i hekurudhës nga krahu tjetër i lumit Shkumin ngjitur me by passin, janë projekte të mëdha që nuk i bëjmë dot vetë, janë projekte zhvillimore të Elbasanit, për ta çuar përpara ekonominë, por edhe zhvillimin e qytetit. Ne sytë sot i kemi tek zhvillimi ekonomik i bazuar tek turizmi, dhe në një ekonomi të qëndrueshme të Elbasanit. Ne këtë 4-vjeçar do të vazhdojmë me projekte të mëdha për Kalanë, me restaurimin e saj. Është një vlerë e madhe, e dimë, por kemi mbështetjen e kryeministrit Rama për të ecur përpara me këtë projekt kaq të dëshiruar për ne” tha Llatja.

Ora 21:21
Kandidati i koalicionit Berisha-Meta për bashkinë Mat: Infrastruktura është parashikuar në programin tonë! Do mbështesim sektorin bujqësor

1682796232_skendergjuci.jpg

Kandidati i koalicionit opozitar, Skënder Gjuci për Bashkinë Mat ishte në takim me banorët e Frankthit, ku tha se duhet dënuar me votë arroganca.

“Premtova se bashkia e Matit do të jetë shtëpia e matjanëve, duke ofruar shërbime jetike, konsultime dhe dëgjesa për çdo vendim me interes të komunitetit. Arroganca dhe shpërfillja e zyrave s'do ketë më vend pas 14 Majit!

Në programin tonë ne kemi parashikuar asfaltimin e rrugës së fshatit dhe rrugëve të brendshme nëpër lagje, mirëmbajtjen dhe administrimin e ujit vaditës e atë të pijshëm.

Bashkia do të mbështesë me fonde dhe asistencë teknike sektorin bujqësor dhe do të nxisim agroturizmin me qëllim krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e të ardhurave për banorët!

Kështu ndalojmë shpopullimin! Krijojmë të ardhmen këtu, në vendin tonë!” – shkroi Gjuci pas takimit.

Ora 20:54
Idrizi nga Fieri: Kemi bërë betejë për ‘Çamërinë’, sot janë hequr stereotipet

 

Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi foli me qytetarët në Fier, ku tha se kanë bërë betejë të madhe për ‘Çamërinë’ dhe është krenar që sot janë hequr stereotipet.

“Kemi bërë betejën bashkë me uljet e ngritjet tona. Çështja e Çamërisë nuk është dhe nuk duhet të ishte vetëm e shoqatës Çamëria dhe e PDIU. Ne jemi të vendosur që e çështjen e shqiptarëve të Çamërisë të shtyjmë ata që e kanë në dorë të ulen si të barabartë. Sot jam i lumtur që shoh se i kemi hequr stereotipet. Sot të jesh çam është krenari për çdo të ri. E ndjej në të gjithë Shqipërinë”, tha Idrizi.

Ora 17:54
Gjiknuri dhe Llatja takime me banorë të Elbasanit: Shumë shpejt në hartën ndërkombëtare të turizmit! Kundërshtari ka vetëm mashtrime

 

“Elbasani do të hyjë në hartën ndërkombëtare të turizmit dhe këtë do ta mundësojë një investim gjigand siç është ai i Automotoparkut”. Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri gjatë një takimi me banorë të Elbasanit ku shtoi se ky investim i Qeverisë Shqiptare nuk synon garat me makina, por zhvillimin ekonomik të Elbasanit dhe promovimin e tij.

“Të ndërtosh një vepër si Automotoparku nuk është thjesht garë me makina. Aty do ketë evente të ndryshme dhe do të bëjë që Elbasani të ketë një markë dhe të vijnë ta vizitojnë shumë e shumë njerëz. Do të thotë që qyteti do të ketë një zhvillim ekonomik. Natyrshëm që Elbasanin do ta fusë në hartën ndërkombëtare të turizmit sepse do të zhvillohen shumë më shumë evente ndërkombëtare dhe qytetit vërtet i jepet një markë. Kjo do të bëhet e mundur falë mbështetjes dhe financimit nga qeveria shqiptare”, tha ai.

Drejtuesi politik i PS për qarkun tha se gara për kryetarin e bashkisë nuk ka se si të jetë një një garë personale. Ai nënvizoi se Gledian Llatja ka gjithë mbështetjen e PS dhe të kryeministrit Rama për të çuar përpara projektet, ndërsa kandidati përballë përfaqëson vetëm Saliun dhe Ilirin. “Përballë kemi një kundërshtar i cili në fund të fundit ka atë dyshen që ai s’do ta pranojë, kjo është e vërteta. Pavarësisht se kur vjen Luçi këtu, ai thotë që: -“Unë jam këtu si ju”. Por politikisht përfaqëson ata dy njerëz, Saliun me Ilirin. Kjo është e vërteta. Këtu kam dëgjuar që thotë e kam garë personale. Nuk ka garë personale, garat janë politike. Thuaje dhe mos u mundo të fshihesh.Kundërshtari deri tani ka thënë fjalë në erë, mashtrime të mëdha publike si ato fantazitë do bëj një disneyland në Elbasan apo do bëj një studio filmi në Elbasan. Gjëra të tilla të them të drejtën të ofendojnë inteligjencën. Nga ana tjetër Gledi nuk është vetëm, ka një ekip politik dhe ato angazhime që i merr ka dhe një qeveri që e mbështet nga mbrapa dhe që në fund të fundit kërkon llogari”, shtoi Gjiknuri.

Numri dy i socialistëve u shpreh se e ardhmja e Elbasanit është e sigurt me vizionin e Gledian Llatjes dhe mbështetjen e qeverisë.

“Vota në 14 maj është dhe një mesazh për politikat tona të qeverisjes. Ky qytet e ka këtë të ardhme dhe jam i bindur që me këto projekte që u thanë këtu ka një perspektivë për të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Elbasanit. Patjetër na duhet vota në 14 maj për ta dhënë si mesazh pro politikave zhvillimore të qeverisë. Le të japim një mesazh në 14 maj që nuk janë vetëm zgjedhje vendore, por t’i tregojmë edhe qeverisë së Edi Ramës, unë do ta bëj si numri dy i PS këtë punë, që kur vlerëson njerëzit, edhe shtresat më pak të privilegjuara, është një bonus për Partinë Socialiste dhe është një inkurajim për qeverisjen tonë për të bërë më shumë për këta njerëz” nënvizoi Gjiknuri.

Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja vuri në dukje se shëtitorja buzë Shkumbinit do të jetë hapësira më e madhe e gjelbëruar e Elbasanit me ambiente çlodhëse për çdo moshë.

“Një park i madh është "Parku Rinia", tjetrin po e bëjmë buzë lumit Shkumbin, po e bëjmë një park të madh fantastik atje.  Por po shohim edhe perspektivën tonë ekonomike. Ne në Kala jemi futur me një model shumë të mirë këtë vit. Këtë katër vjeçar ne do të fillojmë ridimensionimin total të Kalasë së Elbasanit, jo vetëm në bashkëpunim me privatin, por edhe infrastrukturën e përgjithshme tonën, por edhe shtëpitë e braktisura. Do të fillojmë restaurimin dhe rikonstruksionin e tyre. Dhe patjetër duhet të jetë e sigurtë, dhe Elbasani duhet të ketë një të ardhme të sigurtë ekonomike dhe prandaj po punojmë”, tha ai.

Llatja deklaroi se në 4-vjecarin e ardhshëm do të vijojnë punët e mira për zhvillimin e ekonomisë dhe të infrastrukturës.

“Ne kemi ardhur për të kërkuar mbështetjen tuaj në katërvjeçarin e ardhshëm në bashkinë e Elbasanit, të vazhdojmë të bëjmë punë të mira, të vazhdojmë zhvillimin  ekonomik të qytetit, zhvillimin e infrastrukturës jo vetëm në qytet, por edhe në zonat rurale. Të kemi një zhvillim të mirë ekonomik, dhe patjetër një cilësi jetese më të mirë për të gjithë qytetarët tanë” vuri në dukje Llatja.

Për deputetin Spaho kjo fushatë ka vetëm një fitues që në nisje të saj, atë që në 4 vite ka treguar se punon, ka dhënë vizionin dhe përkushtimin e tij për Elbasanin, Gledian Llatja.

“Gledi është djali i këtij qyteti, për të gjithë qytetarët e Elbasanit që e njohin, Gledi është një fjalë pak, por punë shumë, është një djalë qyteti që i qëndron pranë qytetarëve, jo vetëm për 40 ditë, për katër muaj, apo për katër vite për fushatë, por për katër vite nuk pushon, duke qëndruar krah qytetarëve, krah problematikave të tyre dhe natyrshëm duke dëgjuar me kujdes çdo problematikë që i adresohet. Sot Gledi ka eksperiencën e duhur, ekspertizën, vizionin, vullnetin ta çojë Elbasanin përpara, Elbasani 2030 dhe patjetër që Elbasani me Partinë Socialiste dhe Gledin nuk ndalet”, u shpreh deputeti Spaho.

Ora 16:08
Mediu dhe Duka në Lushnje me kandidatin e koalicionit Berisha-Meta! Eduard Sharka: T'ia rikthejmë bashkinë qytetarëve

 

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu dhe Kryetari i Partisë Agrare Agron Duka zhvilluan takimin elektoral me mbështetësit e tyre në qytetin e Lushnjes.

Në fjalën e tij Duka theksoi se bashkë me Mediu po punojnë  për listën e këshilltarëve agrar dhe republikanë dhe pjesë e garës së tyre është mbështetja e kandidatëve të opozitës dhe këtu në Lushnje, mbështetja e Eduard Sharkës i cili ka pasur dhe ka të gjithë angazhimin për fermerët e Lushnjes.

Mediu gjithashtu theksoi se qeveria socialiste po përdor shtetin duke ushtruar presion mbi administratën dhe qytetarët. Ata po kërcënojnë hapur liritë dhe të drejtat e qytetarëve prandaj 14 Maj është dita kur shqiptarët duhet të ndëshkojnë me votë varfërinë, shkatërrimin e familjes, largimin masiv të shqiptarëve, krimin dhe korrupsionin.

"Ne në Lushnjë për fat të mirë kemi qenë gjithmonë opozitë e bashkuar, jemi konsultuar dhe kemi pasur rezultate sa herë kemi qenë të bashkuar.Shpresoj dhe jam i bindur se me këtë bashkim ,më këtë mbështetje dhe me ketë frymë që kemi do ja dalim ti rikthejmë bashkinë e Lushnjës qytetarëve," tha Sharka.

 

Ora 15:31
Kandidatja e PS-së në Durrës, Emiriana Sako takim me banorë: Në fokus është transformimi i të gjithë zonës së Durrësit të Ri

Në takim me banorët në Durrësin e Ri dhe Spitallë, kryebashkiakia Emiriana Sako, njëherazi edhe kandidate e PS-së për këtë bashki në zgjedhjet e 14 majit, tha se ndër objektivat kryesorë në planin e zhvillimit të kësaj zone është i transformimi të gjithë zonës, duke nisur nga projektet e infrastrukturës dhe deri tek projektet madhore që kanë ndikim jo vetëm për bashkinë e Durrësit, por edhe më gjerë.

“Kemi bërë investime të rëndësishme në këtë 3 vite, jo vetëm në infrastrukturë por kemi filluar një investim që do të jetë model i transformimit urban jo vetëm për këtë zonë por për gjithë Durrësin e ri, sepse është një projekt shumë i rëndësishëm që duam ta shtrijmë deri në ketë zonë. Jemi të vendosur që mandatin që vjen të vazhdojmë të ndërhyjmë në infrastrukturë dhe në ndërtimin e qendrave shëndetësore për rehabilitimin e zonave të caktuara për kënde lojërash për fëmijët dhe vende qëndrimi për të moshuarit ”, tha Sako.

Në këtë takim mori pjesë gjithashtu edhe kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Gramshit, Besion Ajazi, i cili tha se  ashtu si në Durrës, Partia Socialiste është një forcë transformuese që ka sjellë dhe do të vazhdojë sjellë ndryshime rrënjësore në gjithë vendin.

Më tej kryebashkiakja Emiriana Sako i ka bërë thirrje banorëve që të votojnë këshilltarët e Partisë Socialiste, ku pjesë e këshilltarëve janë edhe pjesëtarë të këtij komuniteti.

Ora 13:59
Kandidati i PS-së në Shkodër, Benet Beci takim me artistët: Në fokus arti, kultura dhe turizmi

 

Kandidati i Shkodrës për Partinë Socilaite, Benet Beci ka zhvilluar një takim me artistët e njohur nga bota e filmit, muzikës dhe artit.

Artistët e këtij këtij qyteti shtruan në problematikat e tyre, mungesën e planeve dhe projekteve për të zhvilluar edhe më tej një ndër qytetet që njihet si djepi i kulturës.

“Ne duhet të paraqesim sot në Shkodër, një plan transformues për qytetin, një koncept transformues të thelluar që tregon qartë se çfarë duhet bërë.Unë mendoj se shtylla kryesore e këtij plani dhe e vetë Shkodrës, për arsye të historisë së saj është trashëgimia kulturore arti, kultura, historia, sporti ”, tha Beci.

E teksa foli mbi objektivat primare për të zhvilluar më tej Shkodrën, ai përmendi disa projekteve që do të zbatohen në 4 vitet e ardhshme në funksion të turizmit, artit dhe kulturës.

Në këtë takim shumë prej emrave të shquar të artit shkodran që ishin të pranishëm ofruan mbështetjen e tyre për kandidatin Benet Beci me shpresën se me vizonin e tij do të ndikojë në zhvillimin e mëtejshëm të artit në Shkodër. Kandidati Beci i premtoi aktorëve  se do të investojë për një të ardhme më të mirë për artin dhe artistët në këtë qytet me tradita në fushën e artit dhe kulturës.

Ora 13:37
Kandidati i koalicionit Berisha-Meta për Shkodrën, Bardh Spahia takim me banorët: Prioritet zhvillimi i infrastrukturës dhe bujqësisë 

 

Në një takim me banorët e njësisë administrative të Berdicës, kandidati Bardh Spahia shpalosi planet dhe objektivat kryesore për këtë zonë, ku theksoi nevojën për zhvillimin e infrastrukturës, bujqësisë, krijimin e tregjeve dhe hapësirave për të shitur prodhimet bujqësore dhe kthimi i qendrave kryesore të Shkodrës në atraksion turistik.

Spahia teksa takoi banorët pa nga afër disa prej segmenteve rrugore që do t’i nënshtrohen rikonstruksionit. Më pas, ai foli për planin 4 vjeçar të drejtimit të këtij institucioni dhe investimeve që janë parashikuar për këtë njësi, pasi janë evidentuar në bashkëpunim me banorët nevojat prioritare.

“Unë kam folur për domosdoshmërinë e ndërhyrjes në infrastrukturë, për ndërhyrjen e nevojshme në disa rrugë të rëndësishme për këtë komunitet. Për ndërhyrjen në ato aspekte që lidhen me punën tuaj, bujqësinë, ku është e nevojshme pastrimi i kanaleve kulluese dhe mirëmbajtja  e atyre vaditëse dhe për zhdukjen e një problematike kryesore për këtë zonë, atë të ujit”, tha Spahia.

Gjithashtu ai përmendi dhe problematikën e fermerëve me titujt e pronësisë, që janë pengesë ekstremisht e madhe për ta, pasi mungesa  e tyre i ndalon investimet bujqësore.E teksa i kërkoi banorëve të përcjellin frymën e fitores së 14 Majit tek cdo banor, ai tha se Shkodra nuk do t’i nënshtrohet më asnjë lloj presioni të mazhorancës, apo mashtrimeve me skema 3 D.

Për Berdicën plani i mirëstudiuar parashikon një seri investimesh dhe përmirësim të shërbimeve tha Spahia.

Ora 13:03
Gjiknuri angazhohet për restaurimin e Kishës së Shën Kollit në Shelcan: Do të kthehet në një xhevahir

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri, angazhohet për restaurimin e Kishës së Shën Kollit në Shelcan të Elbasanit.Ai vizitoi nga afër këtë monument kulture të kategorisë së parë, me afreske të rralla të piktorit te madh shqiptar të shekullit XVI, Onufri.

 “Janë të gjitha gjurmët e Onufrit , një nga krenaritë e kësaj zone, një simbol i ikonografisë shqiptarë dhe natyrisht gjithë Shqipëria duhet të krenohet me të. Jam i bindur që shumë shpejt shteti do të vërë në dorë dhe Ministria e Kulturës e ka në planet e saj. Jam i bindur se do të jetë një nga kishat më të vizituara të Elbasanit turistik. Do të kthehet si xhevahir për të gjithë ata që duan të shikojnë historinë e këtij vendi dhe realisht është një nga vendet që të gjithë do ta kishin zili”, -tha Gjiknuri.

Kisha e Shën Kollit në Shelcan është shpallur monument kulture që në 1948.

Ora 12:52
Kandidati i koalicionit Berisha-Meta për Fierin, Evdar Kodheli në fshatin Ferras: Prioritet transporti falas për nxënësit, pensionistët dhe shtresat në nevojë

 

Në një takim me banorët e fshatit Ferras, kandidati i koalicionit Berisha-Meta, u premtoi banorëve se programi i tij elektoral është një alternativë që do të sjellë ndryshim.

Kandidati Kodheli u tha banorëve të Ferrasit, se një nga prioritete kryesore për të pas 14 majit   do të jetë transporti falas për nxënësit e shkollave , pensionistët dhe shtresat në nevojë në të gjitha zonat rurale.

E teksa banorët e Ferrasit i kanë përcjellë problematikat e shumta që ka fshati në infrastrukturën bujqësore, mungesën e tregjeve për prodhimet e tyre dhe harresën e investimeve që ka sjellë shpopullim të zonës, kandidati Kodheli u zotua se pas zgjedhjeve të 14 Majit kërkesat e banorëve do të plotësohen pa asnjë dallim , apo ngjyrim politik.

Ndërkohë deputeti, Luan Baci kërkoi nga banorët të ndëshkojnë me votë abuzuesit e taksave të tyre dhe këtë regjim që e ka kthyer çdo institucion në vasal të Edi Ramës duke vulosur pa pyetur askënd tarifa të papërballueshme për qytetarët.

Ora 12:14
Kandidati i PS-së për Korçën, Sotiraq Filo takim me banorët në Moravë: Fshati do të ecë me ritme më të shpejta në mandatin e ri

Në takim me banorët e fshatit Moravë, kryetari aktual i bashkisë Korçë dhe njëherazi kandidat për këtë bashki në zgjedhjet e 14 majit tha se viti i ardhshëm do të sjellë më shumë mundësi për fshatin për të ecur me ritme më të shpejta.

E teksa u ndaj te projektet e ndryshimeve në infrastrukturë, ai tha se shumë shpejt do të fillojë projekti për kanalizimet dhe impjantin e trajtimit të ujërave.

“Lajmi i mirë për Moravën dhe fshatrat e tjera është që ne këtë vit, me këto projekte që po bëjmë në qytet, në zonën e ish-fushës së druve dhe zonën informale e kompletojmë qytetin sa i përket infrastrukturës. Ç’ka do të thotë se duke filluar nga viti tjetër, 90% e fondeve të bashkisë dhe të qeverisë do të përqëndrohen për fshatrat e bashkisë tonë. Kemi mundësinë që edhe për fshatin e Moravës të ecim me ritme të shpejta. Kemi bërë një projekt për fshatrat e fushës dhe shumë shpejt fillojmë projektin për kanalizimet dhe impjantin e trajtimit të ujërave”, u shpreh Filo.

Gjithashtu në fjalën e tij për banorët e fshatit, ai tha se projektet që bashkia ka në fokus do të përmirësojnë ekonominë familjare për banorët e Moravës, duke rritur mirëqenien dhe duke krijuar vende të reja pune.

“Një pikë e rëndësishme është edhe ekonomia familjare. Ne kemi menduar mundësi për Moravën. E para është projekti që duam të fillojmë në afërsi të fshatit tuaj për të ndërtuar një qendër të madhe të eventeve, panaireve dhe jetës së natës. Është një projekt i madh që fillon nga puna shumë shpejt dhe do të krijojë vende pune edhe kur të ndërtohet por edhe kur të vihet në shfrytëzim. Por edhe përmirësimin e ekonomisë familjare për banorët e Moravës, duke rritur mirëqenien dhe duke krijuar vende të reja pune. Kjo sipas tij falë projekteve zhvillimore që bashkia ka në fokusin e saj”, përmbylli kandidati i Partisë Socialiste.

Ora 12:11
FRPD akuzon kryebashkiakun Filo për shpërdorim të 3.6 mld lekë: Erdhi koha të largoheni

Maria Mano e FRPD-së akuzon kryebashkiakun Filo për shpërdorim të 3.6 mld lekë: Erdhi koha të largoheni

Në një deklaratë për mediat kryetarja e Lëvizjes Rinore të Partisë Demokratike Maria Mano, akuzoi kryebashkiakun e Korçës Sotiraq Filo se për vitet 2020 dhe 2021, ka djegur kot dhe nuk i ka investuar, plot 3.6 miliard lekë.

“Kryetari i saj dhe turma e tellallëve të tyre, na propagandojnë çdo ditë sukseset e këtij institucioni. Ajo që shfaqet në fotografitë që poston Filo, me punime të vrullshme dhe përkushtim për t’u admiruar, na del që paska disa të vërteta të tjera brenda.Sipas dokumenteve, Bashkia e Korçës, vetëm për vitet ’20 dhe ’21, ka djegur kot dhe nuk i ka investuar, plot 3.6 MILIARD lek”, u shpreh Mano.

Ajo tha gjithashtu se investimet e parealizuara, mund të ishin përkthyer në rrugë, lulishte, shkolla, kanale vaditës, e plot investime të tjera në infrastrukturë por sipas saj kryebashkiaku dhe vartësit e tij, nuk bëjnë tendera fare nëse nuk i bëjnë me shkelje apo nëse nuk iu interesojnë personalisht atyre.

E teksa vuri theksin te problematikat që faktorizojnë ikjen e qytetarëve dhe humbje në investim njerëzor, ajo i bëri thirrje kryebashkiakut Filo të largohet nga ky qytet.

“ Z.Filo, e keni treguar me kohë që jeni i paaftë ose që ju mungon dëshira për të punuar. Nga ana tjetër, dëshira nuk iu mungon aspak kur vjen puna për të përfituar Ju vetë, kumbari juaj apo dhe grupi i shokëve. Këtij qyteti i keni rënë boll në qafë. Erdhi koha të largoheni!“, përmbylli kryetarja e FRPD Korcë.

M.Q.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic