Zgjedhjet, zbardhen 6 porositë
e Ramës për degët e PS

Zgjedhjet, zbardhen 6 porositë<br />e Ramës për degët e PS
Edi Rama e ka kthyer tashmë në praktikë të pashmangshme raportimin e së hënës me sekretariatin e Partisë Socialiste. Afrimi i zgjedhjeve e ka bërë këtë parti të ndezë motorët e saj në të gjithë bazën. Edi Rama ju ka dhënë 6 porosi degëve, për të cilat sekretariati i raporton kryetarit çdo të hënë. Por cilat janë këto porosi dhe detyra kapilare për të cilat PS po punon?

Shpërndarja e kartave të reja të anëtarësisë për të gjithë anëtarët është një proces që pritet të përfundojë në dhjetor. Në këtë aspekt po kryhet evidentimi i anëtarëve realë dhe pastrimi i listave nga anëtarët fiktivë, të cilët mund të mos jetojnë më, mund të mos jenë më aktivë në PS ose mund të kenë ndryshuar vendbanim. Shpërndarja e kartave të reja të anëtarësisë bëhet në mënyrë ceremoniale në çdo njësi administrative duke testuar dhe një herë 6 muaj para zgjedhjeve besnikërinë e anëtarësisë dhe gatishmërinë e tyre për të vijuar angazhimin politik pranë PS-së.

Hapja e partisë ndaj elementëve të rinj, kryesisht intelektualëve, njerëzve me ndikim në komuniteti (si mësuesit, mjekët apo biznesmenët) është porosia e dytë që Edi Rama ju ka dhënë 61 kryetarëve të degëve. Kujdesi që në çdo qendër votimi të ketë të paktën 10 anëtarë PS-je me pjesëmarrje të domosdoshme të të rinjve dhe femrave po vijon paralelisht me anëtarësimet e reja. Akoma PS nuk ka arritur objektivin e 150 mijë anëtarëve sikundërse kishte vendosur Rama si objektiv. Përafësisht, PS numëron aktualisht rreth 95 mijë anëtarë.

Risi e këtij organizimin elektoral në PS, është funksionimi ekonomik i pavarur i çdo dege partie në çdo bashki. Në këtë kuadër, diku është zgjedhur dhe diku po vijohet procesi për zgjedhjen e kryefinancierit për çdo bashki. Ky është personi përgjegjës për administrimin ekonomik të aktivitetit të degës së PS-së për bashkinë përkatëse. Ai mbledh kuotat, paguan detyrimet për qera zyrash, shpenzime korrente dhe mbulime aktivitetesh të degës.

Mbledhja e kuotave të anëtarësisë sipas kritereve të caktuara në asamblenë e PS-së është një sfidë e re për PS-në, para të cilat, pavarësisht detyrimit statusor thuajse nuk janë mbledhur asnjëherë. Depozitimi i tyre bëhet në selinë qendrore të PS-së vetëm për efekt kontabiliteti, dhe më pas, ato merren përsëri në degë me qëllim përdorimi për aktivitet e saj. Paga e kryetarit të degës nuk jepet nga kuotat e anëtarësisë, por nga fondi që shteti i jep partisë për funksionimin e saj. Në këtë mënyrë, shmanget konflikti mes anëtarëve dhe kryetarit të degës. Sipas vendimit të Asamblesë së PS-së, kuota mujore të anëtarit të partisë ndahen sipas 12 kategorive. Studentë, nxënës shkolle, pensionistë, të papunë, punonjës fshati do të paguajnë 50 lekë në muaj. Anëtarët e punësuar në aktivitetin e vogël privat do të paguajnë 100 lekë, ndërsa kryepleqtë 200 lekë të rinj në muaj. Personat e punësuar si specialistë në administratën vendore do të japin 500 lekë në muaj për partinë, ndërsa drejtues të institucioneve në nivel vendor dhe administratorët në njësitë administrative  do të paguajnë 1000 lekë. Kryetarët e bashkisë, të këshillave të qarqeve, prefektët do të paguajnë  3000 lekë për Partinë Socialiste, ndërsa vartësit e tyre: nën kryetarët e bashkisë, nënprefektët, drejtuesit  e institucioneve rajonale nga 2000 lekë në muaj. Anëtarët e këshillave të bashkive, të këshillave të qarqeve   do të paguajnë 1000 lekë në muaj, një lloj si personat e punësuar si specialistë në administratën qendrore. Drejtuesit  në institucionet qendrore (zv.ministrat, drejtorë të drejtorive në ministri, drejtues të  kompanive publike etj) do të paguajnë 3000 lekë. Fatura më e shtrenjtë do tu takojë deputetëve, ministrat socialistë dhe biznesmenëve, të cilët do të paguajnë nga 6000 lekë në muaj.

Një risi e këtij organizimi elektoral është zgjedhja e sekretarit digjital për çdo degë. Ky person krijon grupe komunikimi duke përdorur aplikacionet e reja të teknologjisë, për tu shpërndarë mesazhin më lehtë të gjithë anëtarëve apo strukturave. Çdo strukturë, që nga grupi i 61 kryetarëve të degëve, sekretariati, kryesia e madhe, apo kryesie e bashkisë, janë të përfshirë në një grup në Viber apo në WhatsApp, dhe marrin menjëherë komunikim nga Edi Rama në rastin e 61 kryetarëve, kryesisë apo sekretariatit, apo nga kryetari i degës në rast të strukturave lokale. Kjo thjeshton komunikimin me të gjithë, është në hapin e kohës dhe rrit pjesëmarrjen e të gjithëve.

Nisja e punës me listat zgjedhore. Evidentohen votuesit potencialë të PS-së, të pakënaqurit me partitë e tjera, votuesit e lëkundur dhe zgjedhësit e rinj, me qëllim kontaktimin e tyre dhe bindjen për të votuar PS-në. Për secilën nga degët, zyrat qendrore të PS-së kanë printuar listat zgjedhore të rifreskuara e të grupuara sipas Zonave të Administrimit Zgjedhor. Çdo kryetar dege ka marrë dosjen e vetë me emrat e votuesve dhe të dhënat e tyre, me qëllim fillimin e evidentimit të votuesve shtëpi më shtëpi. Ky proces që në gjuhën partiake quhet “krehje e zonës” parashikon evidentimin e të gjithë votuesve potencialë të partisë, lidhjet e tyre familjare, kategorizimin sipas personave të strukturës së partisë që mund të garantojë kontaktimin me ta, evidentimin e votuesve të lëkundur dhe gjetjen e rrugëve të marrjes së votës së tyre.
 
6 porositë e Ramës për degët:
1.Shpërndarja e kartave të reja të anëtarësisë për të gjithë anëtarët. Evidentimi i anëtarëve realë dhe pastrimi i listave nga anëtarët fiktivë, të cilët mund të mos jetojnë më, mund të mos jenë më aktivë në PS ose mund të kenë ndryshuar vendbanim.

2.Hapja e partisë ndaj elementëve të rinj, kryesisht intelektualëve, njerëzve me ndikim në komuniteti (si mësuesit, mjekët apo biznesmenët). Kujdesi që në çdo qendër votimi të ketë të paktën 10 anëtarë PS-je me pjesëmarrje të domosdoshme të të rinjve dhe femrave.

3.Zgjedhja e kryefinancierit për çdo bashki. Ky është personi përgjegjës për administrimin ekonomik të aktivitetit të degës së PS-së për bashkinë përkatëse.

4.Mbledhja e kuotave të anëtarësisë sipas kritereve të caktuara në asamblenë e PS-së. Depozitimi i tyre në selinë qendrore të PS-së për efekt kontabiliteti, dhe marrja përsëri në degë me qëllim përdorimi për aktivitet e saj. Paga e kryetarit të degës nuk paguhet nga kuotat e anëtarësisë, por nga fondi që shteti i jep partisë për funksionimin e saj.

5.Zgjedhja e sekretarit digjital. Ky person krijon grupe komunikimi duke përdorur aplikacionet e reja të teknologjisë, për tu shpërndarë mesazhin më lehtë të gjithë anëtarëve apo strukturave.

6.Nisja e punës me listat zgjedhore. Evidentohen votuesit potencialë të PS-së, të pakënaqurit me partitë e tjera, votuesit e lëkundur dhe zgjedhësit e rinj, me qëllim kontaktimin e tyre dhe bindjen për të votuar PS-në.  

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Ndërron jetë në moshën 88-vjeçare aktori dhe producenti i njohur francez Alain Delon

Ndërron jetë në moshën 88-vjeçare aktori dhe producenti i njohur francez Alain Delon