PS dha sinjalet e para se është gati për të pranuar ndryshimin e sistemit zgjedhor, por me kushtin që ato të trajtohen bashkë me propozimin e mazhorancës për uljen e numrit të deputetëve në 100, ndryshime kushtetuese që kërkojnë konsensusin e opozitës për 94 votat e nevojshme.
Damian Gjiknuri, bashkëkryetar i reformës zgjedhore foli edhe për mundësinë e krijimit të një reforme të posaçme për ndryshimet kushtetuese.
“Nëse do të ketë dëshirë edhe nga ana juaj, këto çështje mund t’i përmbledhim bashkë, ndryshimin e Kushetutës për sistemin zgjedhor dhe rishikimin e numrit të mandateve të Kuvendit. Ne dhe ju, pa kërkesë nga ODIHR-i apo nga të tjerë, por si nevojë. Unë që tani po e them që jam dakort që këto çështje t’i mbledhim së bashku qoftë në këtë komision, qoftë në një komision të karakterit të reformës për ndryshimet kushtetuese”, tha mes të tjerash Gjiknuri.
Opozita ndërkohë prej kohësh flet për një sistem zgjedhor toksik, të dështuar dhe që favorizon partinë në pushtet, prandaj ndryshimet i kushtëzojnë me rikthimin e koalicioneve parazgjedhore, konkretisht garën me lista të përbëra.
Gjatë fjalës së tij, bashkëkryetari demokrat i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, kërkoi rikthimin e koalicioneve parazgjedhore, si masë që sipas tij garanton rotacionin politik.
“Ky sistem është sistem toksik për partitë politike, pluralizmin, demokracinë. Ky sistem s’ka lidhje me atë që i duhet shqiptarëve. Ky sistem duhet të iki patjetër. S’mund te fshihemi, ky sistem nuk riparohet më, është hibrid. Hedhja në tryezë e propozimeve që dëmtojnë thelbësisht pluralizmin politik, ndër to edhe reduktimi i numrit të mandateve që do e bënte të vështirë për partitë e vogla aksesin në Parlament. Reduktimi i numrit të mandateve, pothuasje zhduk partitë e vogla. Koalicioni parazgjedhor me listë të hapur, që është model shumë i njohur, në vitin 2003 është marrë nga Italia, te ne ka funksionuar. Çështja kryesore që zgjidh, jepte mundësinë e rotacionit politik. PS pasi e fitoi, pra pasi u ngjit në 2013, tërhoqi edhe shkallën”, tha mes të tjerash Oerd Bylykbashi, bashkëkryetar i reformës zgjedhore nga PD.
Komente












