Dy partitë kryesore kanë replikuar dhe akuzuar njëra tjetrën në distancë përmes dy bashkëkryetarëve të komisionit për bllokim të punës.
Fillimisht ka qenë bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore nga PD, Oerd Bylykbashi që gjatë prezantimit të qëndrimit të opozitës, që deklaroi se është ndeshur me refuzimin e PS dhe LSI për punën e komisionit.
Bylykbashi thotë se identifikimi, votimi dhe numërimi elektronik janë garancia e vetme për votën e lirë dhe të ndershme, e cila sipas tij e bën të pamundur ndërhyrjen e komisionerëve në procesin zgjedhor dhe brenda pak orëve shpallet rezultati.
Sipas tij zgjedhjet janë cështje standardi 'ne jemi gati për votimin elektronik, por nuk mund të jetë arsye koha dhe shpenzimet për ta bllokuar'.
Bashkëkryetari i komisionit, Taulant Balla deklaratat e Bylykbashit i ka cilësuar si përpjekje të PD për të bllokuar reformën ashtu sikur bëri me drejtësinë, ndërsa ka shtuar se shumica i ka votat për të miratuar Kodin Zgjedhor, por kërkon konsensus.
Taulant Balla reagoi duke u shprehur se ka qenë vetë Bylykbashi që e ka pranuar se është tërhequr nga propozimi për numërimin elektronik.
"Bylykbashi është tërhequr nga propozimi për numërimin elektronik. Tani, sot thotë se PS qenka fajtore.
Edhe OSBE deklaroi se bazuar në eksperiencën e vendeve të tjera, procesi rrezikon të dështojë" tha ai.
N/kryetari i grupit të PS vijon më tej duke thënë se ka qenë PS që e ka kërkuar fillimisht dhe PD e ka kundërshtuar.
"Ne kemi kërkuar më parë mundësinë e votimit të emigrantëve, por Partia Demokratike na e ka kundërshtuar.
Ne e kemi kërkuar më parë numërimin elektronik, por Partia Demokratike na e ka kundërshtuar me justifikime të ndryshme.
Tani 4 milionë euro u harxhuan në 2013 dhe nuk mund të harxhojmë 40 mln tani, prandaj ata le të zgjedhin një qarku ku të duan për projekt pilot".
Sipas Ballës, PD duhet të sqarojë nëse është kundër apo pro reformës zgjedhore, pasi brenda opozitës ka dy grupime, ata që janë kundër dhe kërkojnë ta përdorin si alibi për zgjedhjet e 18 qershorit dhe grupimi tjetër që e do.
Balla bëri edhe një batutë duke u shprehur se PD ta përdorë brenda saj votimin dhe numërimin elektronik fillimisht.
"Nëse duan votim elektronik, ta bëjnë në PD sepse edhe zgjedhja e Bashës është kundërshtuar. Kështu që ta bëjnë një projekt pilot në PD".
Gjithashtu Balla akuzoi Bylykbashin se nuk tha asnjë fjalë për depolizitimin e komisioneve të votimit në Shqipëri.
"Duhet t'i japim fund monopolit të kontrollit politik të administrimit të zgjedhjeve, kemi propozuar dy variante, PD ka thënë 'JO'".
Përsa i përket cështjes së financimit të partive politike, Balla është kundër Bylykbashit për financim 100% nga shteti.
"Duhet të bëjmë rregullime urgjente në cështjen e financimit të partive. Unë jam dakord me propozimin që na ka dhënë KE, gati ta përkthej këtë dokument në amendament për cështjen e transparencës së fushatës zgjedhore.
Por PD kërkon që të mos ketë reklamë me pagesë në TV, sipas një sasie të caktuar për cdo parti dhe kjo është kundër ekonomisë së tregut dhe eksperiencës që nuk e gjej në asnjë vend.
Jemi kundër kthimit të partive politike në ndërmarrje shtetërore".
Në fund Balla ka uruar bashkëkryetarin në komisionin e reformës dhe Bashën për Vitin e Ri duke uruar që të gjejnë busullën për 2017.
dy.b/shqiptarja.com