TIRANE - Një sipërfaqe e konsiderueshme me pemë, në hyrje të parkut kombëtar të Liqenit, përballë fakultetit të Filologjisë është rrafshuar krejtësisht. Ambientalistët e kanë denoncuar këtë fakt, duke akuzuar Bashkinë e Tiranës, se po cënon sipërfaqen e gjelbërt të Tiranës, duke i hequr vazhdimisht pjesë të gjelbërta. Sipas tyre, ky vendim nuk ka kaluar as në Këshill Bashkiak, askush nuk u ka vënë përpara një projekt ndaj ata dyshojnë se kjo sipërfaqe po shpyllëzohet për t’u hapur rrugë ndërtimeve në këtë zonë.

Ndërkohë që mësohet se punimet në këtë pjesë po bëhen nga drejtoria e përgjithshme e rrugëve, në kuadër të zgjerimit të Rrugës së Elbasanit, e cila do të dalë në Sauk për t’u lidhur më pas me Unazën e madhe.

Ndërkohë që pas denoncimit të ambientalistëve, ka reaguar edhe Bashkia e Tiranës duke hedhur poshtë akuzat. “Sa i përket deklaratave të bëra sot nga disa ambientalistë, bëjmë me dije se, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka nisur punën për zgjerimin e Rrugës së “Elbasanit”, një arterie e rëndësishme kombëtare. Kjo rrugë, nga Fakulteti Ekonomik deri tek rrethrrotullimi i Saukut, me gjatësi 1.7 km, do të jetë me 6 korsi 2x8m me trafikndarëse prej 1.5 m ku është parashikuar dhe gjelbërim si dhe me trotuarë në të dy anët e rrugës. Zgjerimi i kësaj rruge do të lehtësojë ndjeshëm trafikun, do të ulë koston e lëvizshmërisë, do të ndikojë në reduktimin e ndotjes dhe do të përmirësojë cilësinë e jetës banorëve të Tiranës. Zgjerimi i rrugës diktoi nevojën e ndërhyrjes në këtë pjesë të parkut. Specialistë të Bashkisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë që ndërhyrja në park të jetë sa më e vogël”, - ka deklaruar bashkia e Tiranës.

(ek/shqiptarja.com)