Nga Forumi Teha në Cernobbio në Itali, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa tha se zgjerimi i ardhshëm i BE-së me Shqipërinë, Ballkanin Perëndimor, do të ketë sukses të garantuar.
“Merrni shembullin e zgjerimit – investimi më i madh gjeopolitik që Evropa ka bërë ndonjëherë. Zgjerimi ka forcuar demokracinë, sundimin e ligjit dhe prosperitetin e qëndrueshmërinë tonë të përbashkët. Zgjerimi i ardhshëm – drejt Ukrainës, Moldavisë dhe Ballkanit Perëndimor – do ta forcojë më tej Bashkimin Evropian si një aktor gjeopolitik për paqen, sigurinë dhe prosperitetin. Kjo është një histori suksesi evropiane dhe ne duhet ta pranojmë me besim”, tha ai.
Costa po ashtu kishte dhe një mesazh për kritikët ndaj BE.
“Për këtë arsye, nuk pajtohem me krahasimet e thjeshta që sugjerojnë se Evropa thjesht po mbetet prapa. Sigurisht, Evropa duhet të përmirësojë konkurrueshmërinë dhe shkathtësinë e saj për t’iu përgjigjur më shpejt dhe më të bashkuar. Por jo sepse jemi në rënie”, u shpreh Costa.
Presidenti i Këshillit të BE, Antonio Costa është një nga mbështetësit më të mëdhenj në Bruksel të anëtarësimit të Shqipërisë brenda vitit 2030.
Zgjerimin e BE, ai e ka konsideruar një domosdoshmëri, që duhet të përfshijë patjetër Shqipërinë, të cilën e ka vlerësuar vazhdimisht si një pretendent kryesor që është në rrugën e duhur drejt BE.











Komente
Komento