Jo vetëm borxhet në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Doganave, por edhe borxhet në drejtoritë rajonale deri në dhjetor 2014 do të fshihen. Kurse detyrimet tatimore vendore të krijuara pas vitit 2015 nuk përfshihen.
Ky amendim i bërë nga deputeti Braçe u pranua pjesërisht në Komisionin e Ekonomisë, pasi Braçe kërkoi që edhe për borxhet vendore të pas 2015-ës të ketë të njëjtat lehtësi si për bizneset e tjera. Ndërsa propozimi i bërë nga deputeti i PD-së Eno Bozdo për të bërë publike listën e përfituesve u refuzua.
“Ju falni 2 miliardë euro detyrime, ne duhet të dimë kujt i falen këto. I duam pasi i keni falur dhe duhet të kuptojmë ku shkojnë këto para. Nuk po themi të nxjerrim të dhëna sensitive”, tha Bozdo.
“Kur bëj një favor unë dua ta di kujt ja bëj këtë favor. Kur e pyetëm ministrin e Financave për këtë gjë, na tha që 90% e atyre që përfshihen dhe që do ju shuhet detyrimi, janë kompani që nuk ekzistojnë më. Çfarë problemi kemi ne në këtë rast?”, tha Braçe.
Amendimi tjetër nga deputeti i PD-së ishte për të përjashtuar nga kjo falje kompanitë që kanë hapur biznese të tjera dhe janë të suksesshme.
“Individi mund të ketë disa kompani, falja aplikohet për njërën kompani, ndërkohë që i njëjti individi mund të ketë kompani me bilance pozitive dhe mund të marrin edhe fonde publike, për çfarë arsye duhet të përfitojë nga fshirja e detyrimeve tatimore ky? Se ai i ka mundësitë financiare, s’ka pse ti falen”, propozoi deputeti i PD-së Eno Bozdo.
E kuptoj shqetësimin, por është e pamundur të bëhet kjo gjë. Ne kemi vendosur të kemi një falje universale”, tha zëvendësministri i Financave.
“Ne ju themi të gjithë bizneseve të ndershme, ore bëni edhe ju shkelje se do të vijë amnistia tjetër”, tha Bozdo.
“Këto masa po merren para se të hyjmë në BE sepse pasi të jemi pjesë e BE, do jetë kategorikisht e ndaluar”, tha Zëvendësministri.
Projektligji “Për fshirjen e detyrimeve tatimore dhe doganor” prek në total 2.1 miliardë euro borxhe që kanë 202 mijë subjekte. Çdo borxh i krijuar deri më 31 dhjetor 2014, fshihet automatikisht, dhe bëhet fjalë për 1 miliardë euro që falen. Këtu përfshihet dhe falja e gjobave dhe kamatëvonesave për detyrimet e papaguara të sigurimeve deri në 2014-ën.
Ndërsa borxhet tatimore dhe doganore 2015-2024 do të lehtësohen vetëm nëse paguhen detyrimet. Borxhi prej janarit të vitit 2015 deri më 31 dhjetor të vitit 2020, nëse 50 përqind e tij paguhet menjëherë deri në qershor 2026, gjysma tjetër falet, bashkë me gjobat e kamatat. Nëse pagesa bëhet me këste, deri në fund të dhjetorit 2026, do të falet vetëm 25 përqind e detyrimit.
Kategoria tjetër me borxhe nga 1 janari 2020 e deri në fund të dhjetorit 2024, do të përfitojnë falje të gjobave dhe kamatave nëse i paguajnë të gjitha detyrimet tatimore brenda vitit 2026.
Komente











