Fëmijët 13-vjeçarë, vajza dhe djem, do të vaksinohen tashmë me vaksinën HPV 9-valente.

Deri më tani, kjo grupmoshë merrte vaksinën 4-valente.

Vaksina e re mbulon një numër më të madh të tipologjive të virusit HPV, duke synuar rritjen e mbrojtjes ndaj infeksioneve që lidhen me zhvillimin e lezioneve prekanceroze, kancerit të qafës së mitrës dhe disa llojeve të tjera të kancerit të shkaktuara nga Papillomavirus.

Nga Instituti i Shëndetit Publik, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, u bëri thirrje prindërve që të vaksinojnë fëmijët.

“Këto vaksina janë të certifikuara dhe përdoren edhe në vendet e Bashkimit Europian. Janë të sigurta, ndaj u bëj thirrje të gjithë prindërve të vaksinojnë fëmijët e tyre 13-vjeçarë, si një nga masat më të sigurta për parandalimin e kancereve të shkaktuara nga HPV”, tha Spahiu.

Nga ky janar, për herë të parë, kjo vaksinë injektohet edhe te djemtë, si një formë e parandalimit të transmetimit nga vajzat përmes kontaktit seksual, qoftë edhe të mbrojtura.

Që prej nisjes së programit të vaksinimit kundër HPV-së në Shqipëri, janë kryer në total 60 mijë e 180 doza të vaksinës 4-valente.

Ndërkohë, paralelisht kanë nisur përgatitjet për vaksinimin kundër gripit sezonal. Për sezonin e ri janë siguruar 280 mijë doza vaksine, të cilat do të ofrohen falas për grupet më të rrezikuara në të gjithë vendin.

“Është një vaksinë cilësore, e aprovuar nga të gjitha instancat përkatëse dhe e kualifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Të gjithë personat mbi 65 vjeç, të sëmurët me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe personeli shëndetësor duhet ta bëjnë këtë vaksinë, pasi parandalojmë komplikacionet e gripit. Vaksina e këtij sezoni përfshin shtamet e virusit të gripit A H1N1, A H3N2 dhe B, të cilat kanë qarkulluar dhe pritet të jenë prezente edhe gjatë sezonit të ri”, tha Spahiu.

Fushata e vaksinimi kundër gripit pritet të nisë javën e ardhshme.