Zgjidhet përfundimisht çështja për
dëmshpërblimin e të përmbyturëve

Qeveria i jep zgjidhje përfundimtare çështjes së dëmshpërblimit të banorëve të përmbytur nga reshjet e vitit 2010 në zonën e nën Shkodrës.

Lajmi u konfirmua nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri i cili në një intervistë për Top Channel deklaroi se në mbledhjen e rradhës së qeverisë pritet të miratohet vendimi përkatës që autorizon Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare të kryejë pagesat e mbetura për 4298 banorë.
 
Reshjet e mëdha të shiut dhe prurjet e tyre në Kaskadën e Drinit çuan në përmbytjen e banesave dhe tokave në zonën e Shkodrës në vitin 2010. Qeveria, përmes VKM Nr.842, datë 6.12.2011 miratoi listën e përfituesve dhe vlerat e kompensimit të dëmeve të shkaktuara në kulturat bujqësore e në biznese nga reshjet e shiut dhe përmbytjet.
 
Vlera totale e dëmit në Bashkinë Shkodër dhe 10 komuna shkonte në 1,092,007,027 lekë. Gjatë vitit 2012, Partia Demokratike në qeverisjen e vendit likujdoi vetëm rreth 49% të këtij detyrimi ndaj banorëve duke lënë tjerët në harresë pavarësisht se u dëmtoi pronat.
 
Gjatë vitit 2015, qeveria e re filloi fazën e parë të likujdimit të detyrimit të mbetur ndaj banorëve. Përmes VKM nr.482 u bë zbritja e detyrimeve që banorët kishin ndaj OSHEE në masën e borxhit që shteti u kishte atyre. Shuma e zbritur për banorët nga detyrimet në OSHEE, respektivisht bazuar mbi detyrimin e shtetit ndaj tyre shkoi 222,670,735 lekë.
 
Detyrimi i mbetur për tu paguar nga qeveria në fazën e dytë të likujdimit është 326,543,137 lekë. Përmes vendimit që do të miratohet ditën e nesërme, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) duhet të realizojë rakordimin e shumave të mbetura të paekzekutuara ndaj familjeve dhe subjekteve, bazuar mbi të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe OSHEE-së, të cilat duhet të vihen në dispozicion brenda 20 ditësh nga miratimi i V.K.M-së.
 
KESH, pasi të rakordojë detyrimet e pashlyera, urdhërohet të fillojë menjëherë kryerjen  e drejtpërdrejtë të pagesave ndaj subjekteve të cilave nuk u është përmbushur detyrimi i dhënies së kompensimit për dëmet në kulturat bujqësore dhe në biznese. Kryerja e pagesave do të bëhet drejtpërdrejt nga KESH nëpërmjet  bankave të nivelit të dytë./ Top Chanel

Redaksia Online
Er.K/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Mbante armë zjarri dhe municion luftarak në banesë, arrestohet një person

Tiranë/ Mbante armë zjarri dhe municion luftarak në banesë, arrestohet një person