Në një intervistë nga Haga në ‘Top Story’, ish presidenti Hashim Thaçi hodhi poshtë akuzat për trafikim organesh të ngritura pas raportit të Dick Marty-t, duke i cilësuar hetimet si një justifikim për themelimin e Gjykatës Speciale.

Thaçi argumenton se UÇK-ja është hetuar dhe gjykuar më shumë se çdo palë tjetër e konfliktit, ndërsa thekson se lufta në Kosovë ishte një përpjekje për vetëmbrojtje ndaj represionit dhe masakrave serbe.

Duke iu referuar edhe rolit të tij gjatë luftës, ai shprehu se u kthye nga Perëndimi për t’iu bashkuar rezistencës shqiptare dhe se veprimtaria e tij ka qenë gjithmonë transparente.

“Hetimet rreth akuzave të Dick Marty-t për gjoja trafikim organesh nuk çuan as gjëkundi. Ato ishin thjesht një justifikim për themelimin e kësaj gjykate. Për gati gjashtë vite kemi dëgjuar riciklime akuzash, të trajtuara tash e tri dekada nëpër institucione të ndryshme të drejtësisë ndërkombëtare, pastaj edhe në ato vendore dhe ato serbe. UÇK-ja është më e hetuara dhe më e gjykuara nga të gjitha palët ndërluftuese në territorin e ish Jugosllavisë. Në anën tjetër, ajo ishte më bashkëpunuesja me drejtësinë ndërkombëtare nga të gjithë. Diçka nuk përputhet këtu.

E vërteta është se shtypja historike dhe masakrat serbe ndaj shqiptarëve e masivizuan UÇK-në si reagim vetëmbrojtës popullor. Kujtojmë masakrat e shkurtit dhe marsit të vitit 1998 në Drenicë. Këtë fakt e konfirmojnë dhe i dhanë jehonë edhe diplomatët botërorë. Serbia e nisi luftën. Kosova u mbrojt nga shfarosja. Të njëjtën gjë disa vite më parë e kishin bërë kroatët, boshnjakët dhe sllovenët përballë Serbisë. Siç po bëjnë sot edhe ukrainasit përballë agresorit rus.

U ktheva në Kosovë nga Perëndimi, atëherë kur jo pak njerëz mendonin se Kosova po jepte shpirt. U ktheva për t’iu bashkuar rezistencës shqiptare. Tani po akuzohem sikur kthimi im paska ndikuar për të ndezur hovin dhe masivizuar rezistencën. Çdoherë dhe gjithë aktiviteti im ka qenë transparent, për popullin e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë”, u shpreh Thaçi.

Nga Haga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, foli për herë të parë pas një periudhe të gjatë krijimin e Gjykatës Speciale. Thaçi ka rrëfyer arsyet që çuan Kosovën drejt këtij vendimi, duke thënë se vendi ishte “mes dy zjarreve” dhe se zgjedhja e bërë në atë kohë ishte “e keqja më e vogël”.

“Kosova ishte midis dy zjarresh: të themelonte gjykatën bashkërisht me partnerët ndërkombëtarë, ose të lejonte formimin e saj nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. U përcaktuam për të keqen më të vogël për Kosovën. Kështu e evituam Rusinë dhe Kinën nga procesi; sikur të ndodhte e kundërta, do të ishte një kthim prapa për Kosovën në kuptimin legal, politik dhe historik.

Për rrethanat thelbësore të ardhjes deri të formimi i kësaj gjykate dhe ecuria e më pastajme, si një proces i gjatë dhe intrigues, nuk mund dhe nuk dua të flas. Isha i zotuar nga ana ime të mos i ndodhte asgjë e keqe Kosovës. Tani jam duke paguar çmimin në lëkurën time. Por, kapërcen edhe kjo vështirësi”, u shpreh Thaçi.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, në "Top Story" ka folur edhe për Samitin e NATO-s që do të mbahet në Tiranë. Ai e konsideron këtë veprim si pikën më kulminante të historisë politike të Shqipërisë.

“Edi e lehtësoi pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes. Samiti i NATO-së mund të jetë më i vështirë për përpjekjet e tij. Por, edhe Kosova duhet ta ndihmoj vetveten”, theksoi ai.

Kryeministri Edi Rama i kërkoi Presidentit amerikan Donald Trump, në Bordin e Paqes, të ndërhyjë për të ndalur atë që e quajti “çmenduri” ndaj jush dhe bashkëluftëtarëve tuaj. A prisni një reagim konkret nga SHBA apo nga Presidenti Trump?

"Pres një aktgjykim të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar nga askush dhe nga asnjë lloj motivi. Të vërtetën e kanë parë gjyqtarët, realitetin e ka parë edhe bota. Tashmë u mbetet atyre të nxjerrin vendimin; është në duart e tyre. Edi më ka vizituar disa herë. I jam mirënjohës nga zemra. Ai, pikërisht përmes reformave, ka vendosur ta bëjë Shqipërinë evropiane.

Nganjëherë mendoj, duke parë vështirësitë me të cilat ballafaqohet në rrugëtimin evropian të Shqipërisë, sikur ta jetonin këtë kohë Noli dhe Konica, do ta shpallnin të çmendur, aventurier apo gjeni. Do t’u dukej mision i parealizueshëm. Dihet ata (Noli dhe Konica) zhvilluan beteja politike, diplomatike dhe mediale; disa i fituan e shumë i humbën. E disa nuk i ndalen deri në frymën e fundit. (raportet dhe ballafaqimet mes tyre, nuk janë objekt i këtij shënimi nga ana ime).

Të gjorët u munduan për perëndimizimin e Shqipërisë dhe shqiptareve, por, nga mbetjet me feude lokale u intriguan, u baltosën, u zhgënjyen, u kërcënuan, U DOREZUAN, IKEN dhe nuk u kthyen më. Edi po e vlerëson besimin qytetar dhe bashkëpunimin me ndërkombëtarët. Po e dëgjon me vëmendje edhe kritikën. Hallall, nuk po dorëzohet përballë vështirësive. Shqipëria po ecën përpara.

Konfirmimi për organizimin e samitit të NATO-së vitin e ardhshëm në Tiranë, krahas anëtarësimit të saj në NATO, është pika kulminante e historisë politike të Shqipërisë. Paraqet besimin e perëndimoreve për progresin e euro-atlantik të saj. Ky fakt duhet të bëjë të ndihet mirë çdo shqiptar. Pas dështimit të Kosovës për prezencë në samitin e Ankarasë, shpresoj që Edi të gjej ndonjë hapësirë legale për pjesëmarrje e Kosovës në margjinat e samitit në Tiranë. Edi e lehtësoi pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes. Samiti i NATO-së mund të jetë më i vështirë për përpjekjet e tij. Por, edhe Kosova duhet ta ndihmoj vetveten", tha Thaçi/

Në vitin 2015, Albin Kurti ju kërkoi të mos votohej krijimi i Gjykatës Speciale. Sot, duke parë zhvillimet dhe akuzat e ngritura, a mendoni se ngritja e saj ishte vendim i gabuar?

"Kosova ishte midis dy zjarresh: të themelonte gjykatën bashkërisht me partnerët ndërkombëtarë, ose të lejonte formimin e saj nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. U përcaktuam për të keqen më të vogël për Kosovën. Kështu e evituam Rusinë dhe Kinën nga procesi; sikur të ndodhte e kundërta, do të ishte një kthim prapa për Kosovën në kuptimin legal, politik dhe historik.

Për rrethanat thelbësore të ardhjes deri të formimi i kësaj gjykate dhe ecuria e më pastajme, si një proces i gjatë dhe intrigues, nuk mund dhe nuk dua të flas. Isha i zotuar nga ana ime të mos i ndodhte asgjë e keqe Kosovës. Tani jam duke paguar çmimin në lëkurën time. Por, kapërcen edhe kjo vështirësi", shtoi Thaçi.

A keni pasur informacione se Presidenca e Kosovës dhe Presidentja Vjosa Osmani janë kërcënuar për shkak të refuzimit për të lejuar kontrolle nga prokuroria e Hagës?

"Nuk kam koment", tha Thaçi./ TCH