Shefi i Zyrës së BE-së dhe Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, bashkë me Ambasadoren e Finlandës, Anne Meskanen, vizituan Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) dhe u takuan me kryetarin e KOK, Besim Hasani, kampionen e botës në në Shotokan, Karate, në vitin 2000, Shqipe Zogiani, nën-kampionin e botës në boks në 1983, Mehmet Bogujevci dhe me anëtarët e bordit ekzekutiv të KOK, Ramadan Selimi dhe Ismail Kosumi.

Hasani prezantoi situatën aktuale në skenën sportive kosovare. Ai tha se, derisa disa kampionë po fitojnë reputacion në fushat botërore të sportit, si kampionia e botës në xhudo, Majlinda Kelmendi, është për t'u shqetësuar fakti se vetëm një për qind (1%!) e popullsisë së Kosovës janë të përfshirë në mënyrë aktive në sport - derisa mesatarja në BE është midis 35 dhe 45 %."Shumë sportiste janë larguar nga klubet sepse nuk kane pasur mundësi për ta për të garuar në nivel ndërkombëtar", tha  Hasani." Por, tani situata po përmirësohet, pasi trembëdhjetë organizata sporti ndërkombëtare tashmë kanë njohur organizatat sportive kosovare, shtoi ai.

Zhbogar kerkoi të dinte më shumë për arsyet e një situate të tillë, në mënyrë që BE të mund të përfshihet jo vetëm në ndërtimin e objekteve sportive, por edhe në lehtësimin e angazhimit më të madh të të rinjve në sport. Ai ka konfirmuar angazhimin e Zyrës së BE-së për të mbështetur aktivitetet e tilla në Kosovë. "Ne njohim shumë nivele sporti në botë sot, që nga të jetuarit në mënyrë më të shëndetshme e deri te reputacioni ndërkombëtar. Ne e kuptojmë shumë mirë që Kosova dëshiron të luajë", u shpreh Zhbogar.
Mysafirët po ashtu u informuan për përpjekjet që po bën Komiteti Olimpik i Kosovës për t'i mundësuar sportistëve dhe sportisteve kosovare të marrin pjesë në Lojërat Olimpike që mbahen në Rio de Janeiro në vitin 2016.

Hasani falënderoi si Ambasadoren Meskanen ashtu dhe Shefin e Zyrës së BE-së / PSBE, Zhbogar, për kontributin e tyre në promovimin dhe zhvillimin e sportit dhe lëvizjen Olimpike në Kosovë përmes shembullit të tyre - duke vrapuar në gjysmë maratonën e mbajtur në Prishtinë në muajin maj. 

ATSH