TIRANË - Mbrëmjen e të martës në Tiranë, dy motra binjake të moshës 13-vjeçare nuk janë kthyer në shtëpi pasi kishin dalë më herët. Kjo ka alarmuar familjarët dhe ka qenë babai ai që ka bërë denoncim në komisariatin nr.4 për zhdukjen e tyre. Report Tv mëson se nga kontroli i ushtruar nga policia në kryeqytet, ato nuk janë gjetur.
Policia e Tiranës ka ngritur një grup hetimor i cili po këqyr telefonat për të parë se kë kanë komunikuar për herë të fundit dy të miturat. Deri më tani nuk ka asnjë gjurmë për vendndodhjen e dy vajzave. Pavarësisht se zhdukja e dy vajzave të mitura ka ndodhur që ditën e martë, policia e Tiranës e ka mbajtur të fshehtë ngjarjen.
Uniformat blu të Tiranës nuk e kanë publikuar zhdukjen e dy të miturave në komunikatë, duke mos dhënë asnjë informacion. Ndërkohë që në rast të zhdukjeve të fëmijëve apo të të miturve në të gjithë botën publikohen fotot dhe i kërkohet ndihmë qytetarëve, Policia e Tiranës nuk ka publikuar as njoftimin për shtyp.
Ka dyshime që vajzat mund të jenë larguar me dëshirën e tyre, ose ndonjë person i ka rrëmbyer. Babai i vajzave ka thënë në Polici se nuk ka patur asnjë konflikt me to. Policia nga ana tjetër thotë se po vijon kërkimet për dy të miturat.