Zhduket 'Abacus'/ 14 muaj pas skandalit mbi matjen false të audiencës televizive, kompania mbyll aktivitetin

Kishim të drejtë: 14 muaj pas investigimit tonë të parë, që tregoi se matjet mbi audiencën televizive të shoqërisë Abacus shpk ishin false, shoqëria zyrtarisht e ndërpreu aktivitetin e saj. Pak javë më parë, me anë të një komunikimi telefonik bërë klientëve të saj, Abacus njoftoi vendimin për të ndërprerë monitorimin e audiencës televizive. Kjo është prova përfundimtare se kemi patur gjithnjë të bënim me një aktivitet të sajuar, të realizuar nga një shoqëri fantazmë, e cila, pa investime, pa teknologji dhe pa personel, që nga viti 2011 manipulon një treg reklamash prej miliona eurosh. Kompania u themelua nga Andi Erebara dhe Thanas Goga në vitin 2011, dhe qe nga 2013 aksionet e Gogës i kaluan Florian Zekos. 

Sëbashku me raportet mbi audiencën, nga 1 janari janë zhdukur edhe 1.000 familjet, të cilat Abacus deri më 31 dhjetorin e kaluar pretendonte se i monitoronte, shtëpi më shtëpi, nëpërmjet instalimit të aparateve të posaçme, të quajtur “people meter”. Gjatë një inspektimi të javëve të fundit të organizuar nga Këshilli i Evropës në Shqipëri, me kërkesë të AMA-s, pikërisht për të studiuar nga afër sistemin e monitorimit të audiencës, Abacus njoftoi se kishte çmontuar tashmë të gjithë aparatet, duke shmangur kështu një verifikim të drejtpërdrejtë. Vendimi për mbylljen e aktivitetit është marrë njëkohësisht me inspektimin e ekspertëve të huaj.

Një investigim i gjatë nga Shqiptarja.com ndërmjet janarit dhe shkurtit 2018 zbuloi se shoqëria Abacus nuk dispononte asnjë infrastrukturë, që mund të justifikonte prodhimin e raporteve të përditshme për matjen e audiencave televizive. Megjithëse kompania u deklaronte klientëve të saj se kishte vendosur më shumë se 1.000 aparate (people meter) në po aq familje shqiptare, të shpërndara në të gjithë territorin e vendit, për të regjistruar se cilat programe televizive ndiqeshin gjatë ditës, në të vërtetë ajo nuk kishte as edhe një kompjuter dhe stafi përbëhej nga një njeri i vetëm.

Një skandal ky, që solli reagimin e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), i cili, për herë të parë, vendosi të merrej me problemin, duke thirrur një konferencë të operatorëve të sektorit dhe duke i kërkuar ndihmë Këshillit të Evropës. Por që atëhere asgjë nuk ka ndryshuar, të paktën deri më 31 dhjetor 2018, domethënë deri kur Abacus vazhdoi të prodhojë raporte të rreme mbi shikimet dhe t’ua shiste agjencive publicitare dhe investitorëve publicitarë, të cilët tani mund ta denoncojnë për mashtrim këtë kompani.

Matja e shikimeve televizive është një parametër themelor në tregun e reklamave, pasi fluksi i reklamave që merr çdo kanal televiziv varet edhe nga shikimet që ai arrin të ketë. Ndër detyrat institucionale të AMA-s përfshihet pikërisht rregullimi dhe transparenca e tregut publicitar. Në tregun shqiptar operojnë dy kompani që merren me matjet e audiencës: Telemetrix dhe Abacus. Telemetrix rezulton të jetë një shoqëri me të ardhura, investime dhe staf të përshtatshëm ndaj misionit të saj që, gjithsesi, kërkon investime edhe më të mëdha dhe një numër më të madh familjesh të monitoruara, pikërisht për të ofruar rezultate më të besueshme dhe të plota. Nderkohë Abacus prej vitesh paraqitet si një shoqëri e ngjashme me një kjoskë. Në fakt, shoqëria (themeluar zyrtarisht në vitin 2011) deri në vitin 2017 nuk kishte bërë asnjë investim, kështu që ishte e pamundur të arrinte të prodhonte çdo ditë raporte të audiencës për dhjetëra kanale televizive shqiptare, me një matje të shtrirë në nivel kombëtar. Konkluzioni i investigimit tonë të një viti më parë ishte se bëhej fjalë për raporte të sajuara, pa asnjë bazë reale.

Po si ka qenë situata deri më 31 dhjetor 2018, pra deri në momentin kur Abacus ka vendosur ta ndërpresë aktivitetin e monitorimit? Redaksia investigative e Shqiptarja.com ka bërë një verifikim të ri, duke zbuluar se deri ne mbylljen e aktivitetit nuk kishte ndryshuar asgjë. Abacus ka vazhduar deri pak javë më parë të shesë raportet e saj mbi shikimet televizive krejtësisht të sajuara (ose, gjithsesi, të bazuara mbi të dhëna joreale), ndërsa edhe nga pikëpamja e investimeve nuk është bërë asgjë. Nga dokumentat që zotërojmë, në fakt, del se shoqëria Abacus deklaron edhe në bilancin e vitit 2018 vetëm një punonjëse, përveç administratores që madje zyrtarisht nuk merr as edhe rrogë. Administratorja quhet Jusilda Bocaj qe e mban njekohesisht edhe rol drejtues në agjencinë publicitare në pronësi të Erion Isufit, kunatit të Lulzim Bashës, me një pozicion në konflikt të hapur interesi.

Ndërkohë punonjësja tjetër është një vajzë e re, e diplomuar në ekonomi me master për marketing, që nuk ka, pra, asnjë përvojë në fushën e programacionit IT, ose në administrimin e database-ve dhe serverave. Por një shoqëri që administron të dhëna dixhitale duhet të ketë në stafin e saj teknikë dhe inxhinierë IT, të domosdoshëm për mirëmbajtjen dhe përpunimin e serverave, pa të cilët është e pamundur të administrohet fluksi shumë i madh i të dhënave, që vijnë çdo ditë nga familjet e monitoruara. E vetmja punonjëse e paguar nga Abacus merr një pagë prej 25.000 lekësh në muaj, praktikisht pagën e një sekretareje që ka filluar punë për herë të parë.

Por skandali i Abacus-it është edhe më i rëndë se kaq. Pasi Shqiptarja.com kishte zbuluar, një vit më parë, se shoqëria nuk kishte as edhe një seli, kompania kishte marrë masat dhe, në fakt, i vetmi investim i bërë gjatë vitit 2018 janë mobiljet për zyrën e re. Ndërkohë që asnjë investim nuk është bërë në fushën e teknologjisë dixhitale, me përjashtim të blerjes së një kompjuteri të vogël, me vlerë 17.000 lekë, i vetmi që disponon tani. Një kompjuter 17.000-lekësh mezi mjafton për të dërguar ndonjë email, por, natyrisht, nuk mjafton për të administruar fluksin e ndërlikuar të të dhënave, si ai që sjell monitorimi në distancë i 1.000 televizorëve.

Paradoksi është se Abacus, pikërisht kur ka vendosur ta mbyllë aktivitetin, kishte arritur të manipulojë edhe klientët, duke u bërë të besojnë se raportet e saj mbi audiencën janë realë dhe, në fakt, të ardhurat e saj janë rritur, duke kaluar, nga 2.7 milionë lekë në vitin 2017, në 4 milionë në vitin 2018. Ndër klientët e saj dalin vetëm dy agjenci publicitare, ndërsa nuk duken agjenci të tjera publicitare, të cilat, madje, marrin dhe përdorin raportet e saj: kështu, ose raportet jepen falas, ose shoqëria nuk i deklaron të gjitha të ardhurat e saj. Shifrat e deklaruara, megjithatë, janë të papërfillshme, krahasuar me përmasat e biznesit, që pretendon Abacus të administrojë: sipas një studimi, të bërë nga një shoqëri e huaj, për të realizuar në Shqipëri një sistem matjesh të shikimeve televizive me një standard të pranueshëm, duhen investime në teknologjinë dixhitale me rreth 400.000 euro dhe kosto mirëmbajtjeje e personeli me vlerë të paktën 200.000 euro në vit, që kërkojnë të ardhura, të cilat mund të justifikojnë këto kosto. Ndërsa Abacus, që kur është themeluar në vitin 2012, sipas bilanceve ka investuar deri më sot në teknologji dixhitale vetëm 17.000 lekë për t’i blerë kompjuterin e vogël sekretares së re, ndërsa për personel harxhon 4.000 euro në vit. Edhe një byrektore harxhon më shumë.

Por ajo që provon përfundimisht skandalin, është se në bilancet e Abacus-it nuk paraqitet asnjë shpenzim rreth kostove të lidhjeve midis 1.000 televizorëve të monitoruar me serverin qendror që (teorikisht) duhet të analizojë të dhënat: kjo lloj lidhje mund të realizohet ose nëpërmjet përdorimit të 1.000 SIM-kartave telefonike, ose nëpërmjet 1.000 kontratave me internet, nga një për secilën familje. Por Abacus rezulton të ketë shpenzuar gjatë gjithë vitit 2018, vëtëm 50.000 lekë për internet dhe nuk ka asnjë shpenzim për lidhje telefonike. Është e qartë se, kur mungojnë lidhjet me televizorët e monitoruar, mungojnë edhe të dhënat për të matur audiencën.

Tani që Abacus ka vendosur të heqë maskën dhe të ndërpresë prodhimin e atyre raporteve të rreme, lind pyetja se kush i paguan dëmet që ka shkaktuar, që nga viti 2012 e deri më sot. Prej vitesh, raportet e saj kanë kushtëzuar tregun e reklamave të vendit, duke orjentuar investimet publicitare, jo drejt televizioneve me shikim më të lartë, por drejt televizioneve të favorizuara (rastësisht apo me zgjedhje) nga raportet e saj false. Por nuk janë dëmtuar vetëm televizionet e penalizuara nga të dhënat e audiencës të sajuara nga Abacus, por edhe agjencitë publicitare dhe kompanitë që kanë besuar ato të dhëna, duke shpërdoruar investimet për reklama.

Tani që Abacus, më në fund, e ka ndërprerë aktivitetin e saj të dizinformimit, mbetet vetëm të urojmë që sa më shpejt të hyjnë në fuqi rregulla për të shmangur që kjoska të tjera të ngjashme të ringjallen nga hiri i saj, duke vijuar të manipulojnë tregun e publicitetit dhe të mediave.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iliret: 09/03/2019 12:51

    Po thoni qe Abacus qenka kompani fantazem e Lul Bashes? Dikush duhet t'ja kujtoje Sali Berishes, per Lulin digjital...

    Përgjigju
  • Naimi: 09/03/2019 08:52

    Kush mund tja fusi ketij populli qe nga Sudja Vefa Populli Anglo-Adriatica Rrapush Xhaferri e deri te Abacus shpk.

    Përgjigju
  • arseni: 09/03/2019 08:33

    Mesa duket ne kete shkrim mendohet te flitet ne shqip por perdoren germa kineze. Nuk i kuptoj shifrat 400000 euro ne nje vend ku shteti perdor standartin 29 euro per asistenc sociale te mjaftushme per te ngrene, pare televizor, votuar e te tjera aspekte qe ka jeta e shqiptareve. Mendoj se kur flitet per shpenzime te kihet parasysh se me 20000 lek paguhet nen dore mjeku qe te operon ne spitalin publik shqiptar kurse jashte nuk te mjaftojne 70000000 lek per te kryer operacionin. Persa i perket demit mos u merakosni se nuk kane pasur lek shqiptaret per tu marre me lluksin e " audiencës".Bile ata thone " Na merziten me keto reklama e genjeshtra te tjera ". Keshtu qe shume shpenzoka per rrogen 25000 kjo kompania, me lire ose pa lek do punesoj ata te " Ushtarit te Panjohur" te kinema " Partizani "

    Përgjigju
    • Thanas: 09/03/2019 13:12

      Nuk e kuptoj thelbin e komentit tuaj. Ju e dini qe pavaresisht “shqetesimit” tuaj personal cdo vit shpenzohen ne televizione shqiptare rreth 38 milione euro reklama? Ja pse duhet nje sistem matje profesionale te audiences dhe jo nje kioske sic deshiron ti. Edhe nga keto matet zhvillimi normal i nje vendi.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë