Eglant Koçi, 34-vjeçari i zhdukur që prej 4 qershorit, frekuentonte shpesh lokalin e mikut të tij, Armand Shakaj, 41-vjeçari që prej ditësh ka marrë arratinë.

Dera e kyçur dhe askush nuk ndodhet në lokal. Mbi tavolina janë akoma shishet e ujit, të palëvizura nga aty, bashkë me sende të tjera. Ngjitur me lokalin është kjo derë, e cila të çon në katin e dytë, me vetratë të rrethuar xhami, ku gjenden edhe biznese të tjera.

Report Tv mundi të hyjë brenda, dhe në cepin e korridorit bie në sy një derë krejt ndryshe nga të tjerat që janë prej xhami. Dera e ambientit që prej disa muajsh ishte në përdorim nga Armand Shakaj, duket e blinduar dhe e montuar me profile metalike të salduara.

Në këtë ambient dyshohet se ka hyrë me këmbët e veta dhe me vullnet të plotë Eglant Koçi, fati i të cilit është mbuluar me mister. Nga aty, dyshohet se kurrë nuk doli i gjallë. Mbi derë ndodhet një kamera sigurie, e cila nuk dihet nëse ka filmuar.

Në anën tjetër të korridorit, pranë fasadës së pallatit, ndodhet kjo kamera sigurie, së cilës i janë këputur lidhjet elektrike. Mbi të ka njolla të kuqe dhe shenja gishtat që duken qartë me sy të lirë.

Kjo kamera sigurie mund të jetë nxjerrë jashtë përdorimit nga Armand Shakaj, i cili dyshohet se brenda asaj zyre të ketë vrarë mikun e tij Eglant Koçi. Përtej planeve për të kamufluar ngjarjen, përfshirë edhe urdhërimin e kamerierit të lokalit, Enea Zyferi, për të fikur dritat, duket se nuk u realizua krimi perfekt për 41-vjeçarin.

Report Tv takoi pranë lokalit dhe zyrës së tij të katit të dytë banorë të zonës, të cilët deklarojnë se nuk panë gjë të dyshimtë, ndërsa Shakajn e tregojnë njeri të qetë dhe që nuk përzihej shumë me të tjerë. Më 5 qershor, një ditë pas ngjarjes, dikush thotë që ndjeu në katin e dytë një erë të rëndë detergjentësh, por nuk i kushtoi rëndësi pasi aty gjendet një parukeri. Dyshohet se në orët e para të mëngjesit të së premtes, Armand Shakaj, pasi la motorin te “5 Maji”, u kthye te zyra dhe pastroi gjithë vendin e ngjarjes, por harroi njollat e kuqe mbi kamerën e sigurisë. Nga aty ai doli me qese të zeza, i futi në makinë dhe u nis drejt Dajtit.

Kur janë bërë tashmë një jave nga zhdukja e Koçit, kontrollet janë përqendruar në Pëllumbas, Qafë Mollë, e në kodrat përreth. Deri tani, asnjë shenjë nuk është gjetur. Referuar sistemit TIMS, Armand Shakaj nuk ka dalë jashtë kufijve të vendit, të paktën në mënyrë legale. Ai vuan nga një problem shëndetësor dhe nisur nga kjo, blutë kërkojnë bashkëpunimin e spitaleve publike dhe private në rast se ai do të paraqitet për të marrë ndihmë mjekësore.

Policia po heton në dy pista për shkaqet e ngjarjes. E para për tregun e kriptomonedhave dhe e dyta për para me fajde, të cilat deri më tani janë të paplota.

1781083351_glanti.jpg

Autori i dyshuar Armand Shakaj dhe Eglant Koçi

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.