TIRANË- Dosja për zhdukjen e 1.3 mln euro verë kontrabandë të biznesmenit Ergys Agasi ka kaluar në dorën e SPAK. Hetimet për zhdukjen e verës së Agasit nisën pas kontrolleve që SPAK ushtroi në vilën e tij në një zonë në periferi në Tiranës lidhur me hetimet për abuzimet me tenderët e AKSHI-t. Report Tv mëson se Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencën për këtë dosje dhe ia ka kaluar atë SPAK, e cila pritet të bashkohet me procedimet penale për abuzimet me AKSHI-n.

Bëhet fjalë për rreth 600 shishe verë të markave të shtrenjta. Gjatë kontrolleve në vilën e Agasit në dhjetor 2025, agjentët e BKH-së, të cilët ushtruan kontroll me urdhër të SPAK kishin konstatuar se pijet ishin pa pullë fiskale. Për këtë ato njoftuan Doganën, e cila bllokoi mallin, por pa e vënë atë në ruajtje, deri në momentin kur do duhet të shkonin për të tërhequr shishet e bllokuara.

Për këtë episod rezulton ende në kërkim Eno Agasi, i afërmi i biznesmenit Agasi. Ky i fundit është po ashtu në kërkim nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të një hetimi i cili përfshin tenderët e organizuar nga AKSHI.

Në atë kohë kur ndodhi operacioni u tha se do të hetohej edhe roli i Doganave apo personave dhe institucioneve të tjerë që kishin në ruajtje mallin e gjetur dhe mbetet për tu parë nëse SPAK do të zbulojë rolin e personave përgjegjës.