Nuk ka ende një përgjigje nëse kryetari i Bashkisë së Tiranës, do të kryejë një ndërhyrje kirurgjikale në këmbën e thyer gjatë qëndrimit në paraburgimin e Durrësit.

Avokati Plarent Ndreca thotë se ka kërkuar dokumentacionin mjekësor që sipas tij sugjeron një ndërhyrje të tillë, por ende nuk ka marrë një përgjigje nga Drejtoria e Burgjeve.

“Gjendja shëndetësore e klientit tim nuk mund të presë deri ditën e hënë dhe as t'u nënshtrohet afateve të zakonshme administrative”, thuhet në kërkesë.

Kërkesa me e-mail i është dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, më 7 nëntor, ku Ndreca thekson se gjendja shëndetësore e Erjon Veliajt nuk mund të presë afatet e zakonshme administrative.

“Kërkesa ime është vetëm një: të më vini menjëherë në dispozicion dokumentacionin mjekësor të klientit tim, z. Erion Veliaj, përfshirë raportin e mjekut ortoped të Spitalit Memorial Fier, rezultatet dhe imazhet e ekzaminimeve të kryera, diagnozën dhe rekomandimet për ndërhyrjen kirurgjikale”, cilësohet në kërkesën e Ndrecës.

Sipas pretendimeve të mbrojtjes, kocka në këmbën e krisur nuk ka ngjitur, pasojë që ka ardhur sipas Ndrecës prej vonesës së ekzaminimeve mjekësore, kur kryebashkiaku u transferua në burgun e Fierit.