TIRANË - Nuk do të zhvendosemi nga fakulteti i gjeologji- minierave, pavarësisht se kjo godinë me një vendim të qeverisë do të kalojë në varësi të ministrisë së Drejtësisë, për ti shërbyer Gjykatës së Lartë. Kjo është deklarata e studentëve në ditën e dytë të protestës e cila është mbështetur edhe nga pedagogët dhe dekani i këtij fakulteti, Përparim Hoxha. Ky i fundit shprehet se bashku me stafin akademik i është kërkuar qeverisë që të anulojë këtë vendim, që sipas tyre është arbitrar.

"Nuk bëhet fjalë për zhvendosje të studentëve, ka një vendim të qeverisë që nënkupton një pjesë e ambienteve të fakultetit të Gjeologji-Minierave ti kalojë në administrim ministrisë së Drejtësisë për Gjykatën e Lartë. Këtë vendim stafi akademik, studentët, këshilli i fakultetit e quan jo të drejtë", tha Hoxha. Por edhe nëse nuk do të ketë kthim mbrapa të vendimit të qeverisë, studentët pohojnë nuk do të lëvizin nga ambientet e saj këtë vit akademik. Edhe pedagogët  këtë vendim e quajnë të padrejtë, pasi cënon një Fakultet me histori 60-vjeçare, por edhe që ndërmerret në fillim të vitit akademik.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)