Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka reaguar zyrtarisht mbi debatin e ndezur prej dy ditësh për transferimin e AHSK Vlorë në Tiranë. Punonjësit e Kadastrës së Vlorës nuk pranojnë të zhvendosen në Tiranë, po ashtu dhe qytetarët me frikën se do t’iu privohet shërbimi.
ASHK sqaron se riorganizimi i institucioneve në Tiranë ka nisur që prej vitit 2021, fillimisht me transferimin e Durrësit dhe Krujës, për të vazhduar me pas me Shkodrën, Kavajën, Kamëz-Vorë dhe Vlorën.
Kadastra sqaron se të gjitha shërbimet sot janë të digjitalizuara përmes e-Albania dhe të avancuara, ndërsa sqaron qytetarët për përmirësim të shërbimit ndaj kërkesave të tyre.
DEKLARATA E AGJENCISË SHTETËRORE TË KADASTRËS
Agjencia Shtetërore e Kadastrës vijon punën për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, përmes thjeshtimit dhe lehtësimit të proceseve të brendshme institucionale. Prej kohësh, proceset kadastrale për disa drejtori vendore janë të lokalizuara në Tiranë, si pjesë e një modeli organizimi që synon optimizimin e burimeve njerëzore dhe proceseve administrative.
Të gjitha aplikimet kryhen online përmes portalit e-Albania dhe shërbimet përkatëse ofrohen gjithashtu në mënyrë elektronike, drejtpërdrejt në profilin e qytetarit aplikues. Gjithashtu, dokumentacioni i nevojshëm për trajtimin e aplikimit, përveç ngarkimit në sistemin elektronik, dërgohet përmes Postës Shqiptare pranë drejtorisë vendore, pavarësisht vendndodhjes së saj, për t’u administruar dhe bashkëlidhur me aplikimin e kryer në mënyrë të rregullt dhe të standardizuar.
Procesi i transferimit të drejtorive vendore në Tiranë ka nisur që në vitin 2021 me transferimin e Durrësit e Krujës, për të vijuar më tej edhe me drejtori të tjera si Shkodër, Kavajë, Kamëz -Vorë, dhe Vlorë. Në kuadër të rritjes së efikasitetit dhe të mirëadministrimit të proceseve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, edhe pjesa e mbetur e punonjësve në qytetin e Vlorës, po zhvendoset në Tiranë. Ky riorganizim synon përshpejtimin e trajtimit dhe unifikimin e praktikave të punës.
Falë digjitalizimit dhe përdorimit të sistemeve të avancuara, një jurist mund të përpunojë të gjithë dokumentacionin ligjor dhe një hartograf mund të kryejë reflektimet hartografike në sistemet përkatëse, pa qenë prezent fizikisht në territorin në të cilin ndodhet prona apo aplikuesi. Sigurojmë banorët e Vlorës se jemi të përkushtuar për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve kadastrale, për të rritur ritmin e legalizimit të ndërtimeve informale si dhe për të përfunduar procesin e Regjistrimit Fillestar në zonat e mbetura në të gjithë qarkun e Vlorës.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës mbetet e angazhuar që, përmes digjitalizimi të proceseve, të ofrojë shërbime gjithnjë e më të shpejta, transparente dhe të besueshme për çdo qytetar, në çdo drejtori vendore.
Tashmë prej 2 ditësh, punonjësit e Kadastrës së Vlorës kanë pezulluar punën në shenjë proteste. Lajmërimi për zhvendosjen deri në fund të muajit janar u ka ardhur më datë 23, vendim ky i firmosur nga drejtoresha e përgjithshme e Kadastrës Lorena Goxhobelli. Ndërkohë dje u shkarkua nga detyra dhe nëndrejtori i ASHK Vlorë, Sokol Shehaj, pasi iu bashkua peticionit të 55 punonjësve që kundërshton largimin.
Punonjësit e Kadastrës së Vlorës kërkojnë transparencë nga drejtoresha e përgjithshme, rishikim të vendimit dhe dialog institucional duke thënë se njoftimi ishte i papritur dhe se nuk i është sqaruar asnjë detaj i mëtejshëm.
Lajmi në përditësim...
Komente











