Flamujt valëviten kudo në Tiranë, ndërsa kryeqyteti feston Ditën e Pavarësisë. Në sheshin “Skënderbej” u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamurit, ku qytetarë të shumtë kishin mbushur sheshin që në orët e para të mëngjesit.
Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, u shpreh se kjo ditë është më shumë se një përvjetor historik, është një moment reflektimi dhe premtimi për të ardhmen. Ajo theksoi se 28 Nëntori, nga Skënderbeu te Pavarësia e 1912-s, nga lindja e Adem Jasharit te miratimi i Kushtetutës së 1998-s, mbart në vetvete kujtesën, identitetin dhe aspiratat e shqiptarëve.
“Të thuash se 28 nëntori është ditë e rëndësishme është thuash pak sepse nuk mban vetëm një trashëgimi por mban një premtim kjo ditë sot. Është një kujtesë, mbi çfarë kemi qenë, kush jemi dhe kush duam të jemi. Shqiptarët në çdo brez kanë ditur të ngrihen për lirinë, për dinjitetin dhe për të ardhmen. Prandaj, sot ndërsa ndërtojmë Shqipërinë moderne, evropiane, të hapur, 28 nëntori nuk është një përkujtim por është një premtim se rrugëtimi vijon dhe do e çojmë përpara me të njëjtën kurajo që kemi ndriçuar historinë tonë”, theksoi ajo.
Në vijim, Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës theksoi se pavarësia nuk është vetëm histori, por një detyrë e përditshme për të ndërtuar institucione të forta, shtet ligjor dhe një shoqëri të orientuar drejt standardeve europiane.
“Amaneti i Vlorës është: Liria është fillimi; shteti është detyra, e ardhmja është përgjegjësia. Ky amanet mbetet i gjallë çdo 28 nëntor, jo si kujtim i së shkuarës por si thirrje për të sotmit: Të mos festojmë vetëm Pavarësinë por ta justifikojmë me punë, me vizion dhe me institucione që i bëjnë nder flamuri dhe janë në lartësinë e atij premtimi. Tirana, kryeqyteti ynë, është pasqyra e këtij premtimi, e këtij përkushtimi dhe ashtu siç Shqipëria e 1912 u ngrit për të mbrojtur sovranitetin e saj, me vendosmëri, Shqipëria e sotme punon për të forcuar shtetin e konsoliduar demokracinë. Shqipëria duhet të jetë e lirë , thoshte ai- sepse vetëm e lirë mund të jetë e denjë dhe kjo fjali, e thjeshtë por e fuqishme është amaneti që na bashkon ende sot. Na kujton se liria nuk është dhuratë; është përgjegjësi. Pavarësia nuk është vetëm histori; është punë e përditshme. Evropa nuk është vetëm destinacion por është mënyrë e të menduarit, e të vepruarit, për të qëndruar të denjë”, deklaroi Ristani.
Me flamuj në duar apo edhe me veshje kuq e zi, qytetarët u mblodhën në zemër të kryeqytetit për të ndjekur nga afër momentin solemn të ngritjes së flamurit.
Atmosfera festive nuk mungoi as në “Pazarin e Ri”, ku të rinj nga të gjitha trevat shqiptare, të veshur me kostume popullore, sollën ritmet e valleve folklorike.
Ndër pjesëmarrësit kishte shumë vizitorë që kishin ardhur posaçërisht nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut për t’iu bashkuar festimeve në kryeqytetin shqiptar.
Kryeqyteti do të festojë 28-29 Nëntorin me një kalendar të gjerë aktivitetesh duke i shndërruar në një qendër të madhe festive. Për dy ditë në radhë qytetarët do të kenë akses falas në institucionet kulturore dhe në aktivitetet e tjera publike, nga performanca e Ansamblit Popullor e deri te koncerti madhështor në sheshin ‘Skënderbej’.
Lajmi kryesor:
113 vite pavarësi/ Krerët e shtetit në Vlorë për ngritjen e flamurit, Vjosa Osmani krah Begajt e Ramës! Festë në të gjithë vendin










