Zhvillohet në MPJ konferenca “Liria e Shprehjes dhe Media”

/ATSH-Gjergji Mima/ -Me rastin e 20- vjetorit të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Këshillin e Evropës, Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me Zyrën Përfaqësuese të Këshillit të Evropës në Tiranë dhe shoqërinë civile, organizoi konferencën me titull "Liria e Shprehjes dhe Media".
Në të morën pjesë personalitete nga fusha e medias, si Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Shtypit, znj. Dunja Mijatovic, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s, z.Getacheë Engida, etj.
Konferenca kishte për qëllim diskutimin e çështjeve që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes dhe të drejta të tjera themelore, si e drejta e besimit dhe e fesë, roli dhe vlerat themelore të medias në shoqërinë pluraliste demokratike.
Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, në fjalën e tij përshëndetëse, vlerësoi bashkëpunimin 20-vjeçar me Këshillin e Evropës dhe kontributin e kësaj organizate në drejtim të lirisë së shprehjes, evidentoi rëndësinë e padiskutueshme të lirisë së medias në zhvillimin demokratik të shoqërive, si dhe përmirësimin në vijimësi të standardeve drejt përsosmërisë.
Po ashtu, ministri Bushati nënvizoi angazhimin gjithëpërfshirës të qeverisë shqiptare në përmirësimin e kornizës ligjore që garanton lirinë e medias, si një instrument jetik për demokratizimin e mëtejshëm të vendit.
Para zhvillimit të Konferencës, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, zhvilloi një takim me Përfaqësuesen e OSBE-së për Lirinë e Shtypit, znj. Dunja Mijatovic, të cilën e informoi për gjendjen e lirisë së shprehjes në përgjithësi dhe të medias në veçanti, të shoqëruar me një reformë ligjore të përshtatshme me standardet më të mira ndërkombëtare.
Mijatoviç, nga ana e saj, shprehu mirënjohjen e saj për bashkëpunimin shumë të mirë me qeverinë shqiptare, të cilën e sheh si shembull për ta ndarë me shtetet e tjera Pjesëmarrëse të OSBE-së. Ajo gjithashtu vlerësoi gatishmërinë për të kërkuar ekspertizën e zyrës përkatëse, në dritën e integrimit evropian të vendit tonë. 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Zbërthimi i SkyECC/ Mes 21 masave sigurie edhe emri i Prek Kodra, në 2021 u akuzua se do të vriste Albin Kurtin