/ATSH/-Asambleja e 23 e Aleancës së Agjencive të Lajmeve të Ballkanit dhe Europës Juglindore(ABNA-SEE) do të zhvillohet ditën e nesërme në Shqipëri, përkatësisht në qytetin e Durrësit.
Ky takim i rëndësishëm ndërkombëtar mbahet këtë vit në Shqipëri, ku pritës i eventit është Agjencia Telegrafike Shqiptare, anëtare e kësaj organizate.
Ky takim, ku do të marrin pjesë rreth 25 drejtues dhe përfaqësues të agjencive të lajmeve më të njohura të rajonit, Europës por edhe nga disa vende të tjera të botës do të ketë dy pjesë: mbledhja e punës së Asamblesë dhe pjesa e dytë do të fokusohet mbi diskutimin për promovimin e turizmit nga ana e agjencive të lajmeve.
Në situatën e re të krijuar në rrafshin global me avancimin sa më të madh të informacionit online dhe rrjetet sociale, agjencitë e lajmeve kanë një sfidë për të zgjeruar gamën e informimit edhe në aspektin utilitar në shërbim të publikut siç është sektori i turizmit dhe promovimit të tij.
Aktiviteti dot ë zhvillohet në Hotelin "Adriatik" në bregdetin e Durrësit. Në pjesën e parë të Asamblesë që nis punën në 09.15 është do të diskutohet mbi raportin e punës së ABNA-SEE për periudhën një vjetore, si dhe do të zgjidhet Sekretari i i ri Përgjithshëm i kësaj organizate dhe Presidenti i ri i ABNA-SEE. Në këtë aktivitet do të përcaktohet edhe vendi ku do të mbahet konferenca e radhës.
Në pjesën e dytë të konferencës, ku do të diskutohet mbi turizmin, do të përshëndesë Minisrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, znj, Eglantina Gjermeni, si dhe kryetari i Bashkisë së Durrësit, z.Vangjush Dako.
ABNA-SEE është një organizatë e rëndësishme që ka si anëtare të saj agjencitë e lajmeve më prestigjoze dhe të fuqishme të Ballkanit dhe Europës Juglindore.








