TIRANË - Në Pallatin e Sportit "Asllan Rusi", në Tiranë, po zhvillohet kampionati i 40-të Ballkanik i ping pongut për U-21. Ky kampionat, i cili është i pari i llojit ndërkombëtar që zhvillohet në Shqipëri për sportin e ping pongut u bë i mundur me organizimin nga Federata Shqiptare e Ping Pong-ut dhe kompania Genuine Effect.
Në këtë kampionat marrin pjesë 8 shtete, Shqipëria, Bosnia & Hercegovina, Bullgaria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Rumania, Serbia.
Ceremonia zyrtare e hapjes së Kampionatit u zhvillua pasditen e djeshme në orën 18:00 me pjesëmarrjen e delegacioneve të secilit  shtet si dhe me praninë e zyrtarëve të lartë të sportit: z.Arben Mecaj, President i Federatës Shqiptare të Ping Pongut, z. Milorad Trpkovski, Sekretar i Përgjithshëm i Unionit Ballkanik të Ping Pongut, z.Viron Bezhani, Presidenti Olimpik Kombëtar Shqipëtar dhe z.Vladimir Gjonaj, Drejtor i Sporteve pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, të cilët përshëndetën organizatorët dhe ekipet pjesëmarrëse.
Zhvillohet në Tiranë kampionati i 40-të Ballkanik i Ping Pong - U21
Sot u zhvilluan ndeshjet e para ku ekipet përkatëse u përballën me njëra tjetrën dhe në kategorinë meshkuj Grupi A në krye është Bullgaria me 6 pikë, Mali i Zi 5 pikë, Bosnja dhe Hercegovina 4 pikë, Shqipëria 3 pikë
Ky event do të vazhdojë deri më datë 19 tetor, kur do të jetë edhe dita që do të shpallë edhe Kampionin Ballkanik të Ping Pongut për moshat U-21./ATSH/