Pranë Sheshit Nënë Tereza në Tiranë po zhvillohet takimi me demokratët i thirrur nga ish-deputeti Ervin Salianji.
Qindra qytetarë janë bashkuar në shesh dhe takimi ka nisur me himnin kombëtar. I pari që e ka marrë fjalën ka qenë Hysen Kadiu, më i votuari i Primareve 2025 në Tiranë.
Kadiu tha par të pranishmëve se kjo lëvizje, e nisur nga Ervin Salianji, ka synim që ta bëjë Partinë Demokratike një forcë politike fituese.
Duke vlerësuar takimin, ai tha se shpresonte që ky tubim të shërbente si kilometri i parë i nisjes për demokratizimin e PD-së.
“Ne nuk fshihemi pas të qenit të vendosur, për të ndryshuar PD-në. Ne mund ta bëjmë PD-në një parti fituese. Ne mund ta ringjallim, ririthemelojmë PD-në. Por sot nga ky shesh një gjë e themi të sigurt bashkarisht: ‘ne nuk do ta lejojmë të vdesë’. Kundërshtojmë këtë realitet të pashpresë. Edhe kur na kanë sulmuar, sërish nuk jemi dorëzuar. Sepse ne jemi vërtetë PD. Dy gjëra nuk i pranojmë, të na tallin, apo të heqim dorë. Le të shërbejë ky takim si kilometri i parë i nisjes për demokratizimin e familjes sonë”, tha mes të tjerash Kadiu.
Ndërkohë pedagogu Harri Aleksi ka kërkuar nga studentët që të marrin në dorë fatet e tyre, duke u bërë pjesë e zhvillimeve politike në Shqipëri.
“Është koha që studentët të marrin në dorë fatet e veta. Studentë, braktisni idhujt dhe festat. Ju nuk duhet të bëni pakt me mjerimin ekonomik e intelektual. Modeli juaj duhet të jetë arsimi me baza, zhvillimi me themele”, tha mes të tjerash pedagogu Harri Aleksi.
I përjashtuari nga grupi i PD-së në Këshillin Bashkiak të Durrësit, Dritan Burgija, deklaroi se sot demokratët nuk kanë nevojë për kulte individi, oborre apo oborrtarë.
Për Dritan Burgijan, demokratët sot kërkojnë garanci reale që listat të mos manipulohen, kandidatët të mos bllokohen për të garuar, gara të mos përcaktohet dhe partia të mos administrohet nga lartë si pronë private.
“Ne jemi këtu sepse besojmë se PD duhet të kthehet në një alternativë qeverisëse. PD ka lindur për t’i shërbyer lirisë. Nuk ka lindur për të ndërtuar kulte individi, por për të shembur kulte individi. Sot duhet të pyesim me zë të lartë, ‘ku jemi? A kemi më shumë garë?’. PD-në po e vret edhe heshtja. Ata që e dinë të vërtetën, por zgjedhin gënjeshtrën. Një parti fillon të vdesë kur humbja nuk prodhon përgjegjësi por propagandë. Demokratët nuk duan më oborre dhe oborrtarë. Demokratët nuk kërkojnë fjalë të bukura në statut, por kërkojnë garanci reale që listat të mos manipulohen, kandidaturat të mos bllokohen, gara të mos paracaktohet dhe partia të mos administrohet nga lartë si pronë private”, tha mes të tjerash Burgija.
Artistja Julia Ilirjani tha se të rinjtë demokratë nuk duhet të pranojmë më që partia e tyre të shkojë nga humbja në humbje, por duhet të punojnë për ta bërë atë fituese.
“Unë mendoj se këta të rinj që janë sot këtu, duhet të bëjnë të njëjtën gjë që ndodhi në 1990. Ne s’mund të pranojmë më humbje pas humbje, por duhet të pranojmë fitoren”, tha Julia Ilirjani.
Altin DalipiAltin, ish i persekutuar nga regjimi komunist, ka hedhur akuza të forta ndaj kryedemokratit Sali Berisha, për të cilin tha se ka marrë peng partinë.
Komentet Dalipi i bëri gjatë takimit të organizuar nga ish-deputeti Ervin Salianji në Tiranë, ku tha se fatin e Shqipërisë duhet ta marrë në dorë rinia.
Duke e krahasuar Berishën me personazhin e filmave shqiptarë ‘plaku Mere’, Dalipi tha se PD nuk mund të pretendojë të vijë në pushtet, duke pasur në krye të njëjtat fytyra për 35 vite.
“Energji, frumëzim, ndryshim, rotacion. Këto na i jep vetëm rinia dhe rinia jeni ju, jo ata atje që janë me pleqni. Me plak 82-vjeçar pretendojnë të bëhet kryeministër si shoku i vet kur të bëhet 95-vjeçar. Kjo nuk është demokraci, është komunizëm që të veprosh si do plaku mere. Kush vepron ndryshe shpallet armik. Unë jam familje e persekutuar nga diktatura komuniste. Por sot duhet të themi mjaft. Nuk mund të vazhdojmë me të njëjtat fytyra për 35 vite. Duhet ta largojmë sa më shpejtë këtë plakun mere, se s’kemi ku shkojmë më”, tha mes të tjerash Dalipi.
Një nga mbështetësit e ish-deputetit Ervin Salianji ka drejtuar kritika të forta ndaj asaj që e cilësoi si “elitë” të Partisë Demokratike, duke e bërë përgjegjëse për humbjet në zgjedhje.
Gjatë takimit të zhvilluar pranë Sheshit “Nënë Tereza” në Tiranë, Orest Berberi tha se opozita nuk humbet vetëm përballë kundërshtarit, por edhe për shkak të gabimeve dhe mungesës së reagimit brenda vetes.
"Sot nuk kemi ardhur për të bërë propagandë apo përsëritur sloganet e së shkuarës. Kemi ardhur për të dhënë të vertetën. Ne humbëm, dhe humbja nuk erdhi vetëm sepse kundërshtari ishte i fortë, por sepse përballë një regjimi ne u sollëm si një forcë që nuk ishte gati për betejë. Ajo që i vrau më shumë demokratët ishte mungesa e reagimit tonë në momentin kur duhet të ishim më të fortë më të bashkuar dhe më të vendosur. Nuk mund të kërkosh besimin e qytetarëve kur njerëzit që flasin fort në studio televizive, heshtin në përballje reale. Nuk mund të frymëzosh rininë kur politika është në garë interesash personale dhe jo në betejë për ideale. Unë nuk besoj se ky është fundi i PD-së. PD ka ende njerëz të ndershëm, me karakter, që nuk e shohin politikën si biznes personal. PD nuk ka nevojë për njerëz që hyjnë në politikë për status për privilegje apo pazare me qeverinë por për njerëz që nuk blihen sipas interesit të momentit apo kryetarit. Nëse duam të fitojmë nesër, duhet të ndryshojmë sot. Shqipëria meriton një opozitë që lufton deri në fund ” tha ai ndër të tjera.
Ai e mbylli fjalimin me një thënie të Viktor Hygosë duke iu kujtuar elitave se “kur njeriu bëhet parti, partia vdes bashkë me të.”
Komente










