Zinxhiri i punëve të mira

Zinxhiri i punëve të mira
Nëse Altin Prenga i Mrizit të Zanave gatuan mirë dhe me origjinalitetin e tij të ndërthurjes së traditës me modernen, bën për vete sa më shumë shqiptarë e turistë, aq më mirë për të gjithë. Nëse policët tanë në rrugë e nëpër pika kufitare, presin me mirësjellje qytetarët e ndershëm e ndalojnë “furbot” e trafiqeve, aq më mirë për të gjithë. Nëse Fundim Gjepali i Padamit vazhdon të jetë kreativ e surprizues me pjatat e tij dhe kënaq shqiptarë Vip-a a ambasadorë të huaj, aq më mirë për të gjithë.

Nëse Dhurata Thanasi Daneri me lokalin e saj të vogël e interesant në Bllok vazhdon të gatuajë byrekët aq të mirë, pjatat e shijshme dhe ekonomike për çdo xhep nëpunësi apo qytetari, aq më mirë për të gjithë. Nëse dy Bunk’Artet në Tiranë, vazhdojnë të renditen të parat në TripAdvisor dhe më të viziturat e pëlqyerat nga turistë të huaj e emigrantët tanë, aq më mirë për të gjithë. Nëse Berti i bujtinës Ollga vazhdon të bëjë petullat më të mira në Tushemisht, aq më mirë për të gjithë.

Nëse Roza në Lin mban pastër e bukur të sajin B&B dhe Rudi bën mbulesat më të bukura të divanëve në Tiranë, aq më mirë për të gjithë. Nëse mediat prestigjoze shkruajnë për turizmin shqiptar dhe e vendosin Shqipërinë në destinacionet turistike të preferuara, aq më mirë për të gjithë. Nëse nënat shamibardha shesin lulet e bukura ne cepat e Bllokut dhe zbukurojnë rrugët, aq më mirë për të gjithë. Nëse apartamentet, vilat që jepen me qira për verë në plazh e në mal mbahen pastër e mirë, aq më mirë për të gjithë. Nëse qendrat tona tregtare vazhdojnë të mbahen pastër e me shërbime dinjitoze, aq më mirë për të gjithë. Nëse fshatarët tanë vazhdojnë të shesin fruta e perime me pak pesticide dhe me shijen e si të një herë e një kohe, aq më mirë për të gjithë.

Nëse kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj vazhdon dhe ruan standardet etike dhe estetike të punimeve në qytet, afër standarteve europiane, aq më mirë për të gjithë. Nëse kryeministri Edi Rama, vazhdon të riformulojë një Shqipëri Europiane, aq më mirë për të gjithë. Nëse biznesmenët tanë më të talentuar vazhdojnë të punojnë në respekt të rregullave, talenteve dhe ideve, aq më mirë për të gjithë. Nëse arsimtarët me përkushtim e pasion mësojnë fëmijët e të rinjtë të vlerësojnë dijen e kulturën, aq më mirë për të gjithë. Nëse Mirlinda Boshnjaku vazhdon ta mbajë të sajën World Academy of Tirana në nivelet e një shkolle me standarte të larta, aq më mirë për të gjithë.

Nëse Adela Muçollari në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit vazhdon të interpretojë me sharmin e një balerine të denjë për teatrot më të mira të botës, aq më mirë për të gjithë. Nëse opozita dhe shoqëria civile, gazetarë e intelektualë, njerëz të ndriçuar, vazhdojnë t’u hapin sytë shqiptarëve që të vazhdojnë e të mbeten njerëz të mirëinformuar, aq më mirë për të gjithë. Nëse familjet, nënat sidomos, baballarët, gjyshërit e gjyshet, rrisin me dashuri, vëmendje të vegjëlit, aq më mirë për të gjithë.

Sigurisht që janë të pafundme gjërat konstruktive dhe pozitive që seicili prej nesh bën dhe që kanë impakt në gjithë zinxhirin e shoqërisë. Këta pak emra që unë përmenda, i njoh unë, por seicili mund të bëjë listën e pafudme të tij. Ne shqiptarët, mendoj, dëshiroj, se duhet të vlerësojmë  e forcojmë solidaritetin me njerëzit e punës.
Të vetmit që duhet të kemi frikë e të mënjanojmë janë trafikantët. Ata thyejnë rregullat, prishin harmoninë, frymëzojnë pasurimin e dembelëve, e infektojnë shoqërinë. Ja, me trafikantët e të gjitha ngjyrave duhet të distancohemi njëherë e përgjithmonë, ne shqiptarët. 

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Meritoni debat me Eglën: Luan rolin e viktimizimit, e shoh të revoltuar që nuk arriti ajo e para në finale

Meritoni debat me Eglën: Luan rolin e viktimizimit, e shoh të revoltuar që nuk arriti ajo e para në finale