BERAT- Lagja më e madhe periferike e qytetit, lagja "Uznovë" në Berat, ndodhet prej 1-ore nën pushtetin e errësirës. Shkak për ndërprerjen e energjisë elektrike është bërë një defekt në kabinën elektrike të kësaj lagjeje.
Kanë qenë disa fole dallëndyshesh që kanë shkaktuar masë në telat e tensionit të lartë brenda në kabinë.
Tymi i shkaktuar nga masa elektrike është pikasur nga banorët e zonës,që kanë dalë jashtë banesave për shkak të ndërprerjes së energjisë.
Pas njoftimit të banorëve,në zonë kanë shkuar ekipet e Repartit Zjarrëfikës, që kanë lokalizuar tymin e flakët,duke mundësuar edhe lokalizimin e menjëhershëm të tyre.
Pas lokalizimit të flakëve, elektriçistët po punojnë për riparimin e kabujve të djegur dhe kthimin e energjisë elektrike në këtë lagje.