Një pallat është përfshirë nga flakët pasditen e së martës në Tiranë. Burime për Report Tv bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur te Farmacia nr.10, përballë spitalit “Nënë Tereza” në kryeqytet, në kompleksin 'Arlis'.

Zjarri, që dyshohet se nisi nga marketi që ndodhej në atë pallat, ka marrë përmasa të mëdha, duke përfshirë thuajse të gjithë godinën, brenda së cilës ndodheshin njerëz. Në aksionin për shuarjen e flakëve kanë marrë pjesë 8 zjarrëfikëse, autoambulanca, 2 helikopterë Cougar dhe 50 persona, zjarrëfikës, ushtarë, forca të Policisë dhe RENEA-s. Ndërkohë që raportohet se në terren ka zbarkuar edhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, për të vëzhguar nga afër situatën.

Nga pamjet duket se në zonë është shkaktuar një kaos i vërtetë, me qytetarë që vrapojnë për t'u larguar sa më parë nga flakët. Burime për Report Tv bëjnë me dije se 11 persona po trajtohen në QSUT, kryesisht për shkak të asfiksisë. Por një grua rreth 50-vjeçe ndodhet te reparti i 'Djegies Plastike' në QSUT, ku po merr trajtim mjekësor. Gjatë një fjale të shkurtër për mediat, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka paralajmëruar se nëse flakët janë vendosur qëllimisht nga persona të caktuara, Policia do të ndërmarrë masa ekstreme.

Zjarri ka 'alarmuar' Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ (QSUT). Burime për Report Tv bëjnë të ditur se repartet e Urgjencës dhe Djegies Plastike janë vënë në gatishmëri, për çdo situatë që mund të krijohet.

Një incident i ngjashëm, edhe pse në përmasa më të vogla ishte regjistruar në vitin 2021, kur gjatë punimeve në godinë mori flakë fasada e ventiluar. Ky tip fasade, i ndërtuar me materiale si poliuretani në formë shkume, konsiderohet me rrezik të lartë për përhapjen e zjarrit. Rasti i ngjashëm është regjistruar në një pallat në zonën e ish-Parkut të Autobusëve.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:20
Pa uniformë dhe me atlete sportive për shuarjen e flakëve te ‘Arlis’, zjarrfikësi Marsel Troshku për Report Tv: Isha pushim sot! Kur ra zjarri, po qëndroja me fëmijët në shtëpi (VIDEO)

1776193407_zjarrefiksipauniforme.jpeg

Një zjarrfikës pa uniformë ka qenë ‘heroi’ i ditës së sotme, me kontributin e tij në shuarjen e flakëve në pallatin te kompleksi Arlis në Tiranë.

Zjarrfikësi Marsel Troshku, i cili ishte pa uniformë, me atlete sportive dhe një kokore, ka qëndruar gjatë gjithë kohës pranë vatrës së zjarrit, për të bërë të mundur shuarjen e flakëve, edhe kur punonjësit e tjerë të këtij shërbimi u larguan për një moment.

Për Report Tv, Troshku tha se ka qenë pa uniformë pasi ditën e sotme ishte pushim, por kishte shkuar në vendngjarje vetëm për të dhënë kontributin e tij.

Po ashtu ai ka deklaruar se në momentin që kishte rënë zjarr, kishte qenë me fëmijët e tij dhe pasi e lajmëruan shkoi për të ndihmuar kolegët.

“Kam qene pushim sot. Në kohën e zjarrit isha me fëmijët, me lajmëruan dhe shkova për të ndihmuar kolegët dhe për të bërë punën”, ka thënë mes të tjerash Troshku për Report Tv.

 

Ora 21:04
Zjarri në pallatin te kompleksi Arlis në Tiranë, kryeinspektori Sula: Grup pune për verifikimin e shkaqeve! Kontrolle nëse sistemet e sigurisë kanë qenë funksionale ose jo

1776193519_xftucyii.jpg

Pas zjarrit të rënë në pallatin te kompleksi Arlis në Tiranë, kryeinspektori Dashnor Sula ka njoftuar se ka ngritur një grup pune për verifikimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Përmes një njoftimi, bëhet e ditur se grupi i punës do të kontrollojë nëse aktivitetet ekonomike në ambientet e kompleksit kanë qenë në përputhje me kushtet teknike dhe ligjore, si dhe nëse sistemet e sigurisë kanë qenë funksionale.

Njoftimi:

Në lidhje me ngjarjen e zjarrit të rënë në një kompleks banimi në kryeqytet, Inspektorati i Përgjithshëm po ndjek me vëmendje situatën dhe me urdhër të Inspektorit të Përgjithshëm Z. Dashnor Sula është ngritur një grup pune për verifikimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Grupi i punës do të kontrollojë nëse aktivitetet ekonomike në ambientet e kompleksit kanë qenë në përputhje me kushtet teknike dhe ligjore, si dhe nëse sistemet e sigurisë (alarmet, pajisjet e shuarjes, sinjalistika dhe daljet e emergjencës) kanë qenë funksionale dhe të mirëmbajtura.

Inspektorati i Përgjithshëm do të bashkëpunojë ngushtë me institucionet përgjegjëse dhe do të ndermarrë të gjitha masat që parashikojnë ligjet perkatëse.

Ora 20:50
Ministri Lamallari viziton zjarrëfikësit dhe qytetarët e lënduar nga zjarri në kompleksin 'Arlis' në Tiranë

 

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka vizituar në QSUT zjarrfikësit dhe qytetarët e lënduar nga zjarri që dogji pallatin në kompleksin "Arlis" në Tiranë. Lamallari tha se ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe se prej momenteve të para ka ndjekur nga vendgjarja rastin.

"Teksa vijon operacioni për vënien nën kontroll të plotë të zjarrit në pallatin që u përfshi nga flakët, isha në QSUT për të parë nga afër gjendjen e 6 efektivëve zjarrfikës të lënduar dhe dy qytetarëve. Fatmirësisht siç më thanë mjekët, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Prej momenteve te para të zjarrit kam qenë gjithashtu në terren bashkë me forca të Shërbimit Zjarrfikës, forca të Policisë së Shtetit dhe skuadrat e Emergjencave Civile që bënë gjithçka ishte e nevojshme për të mos pasur mbi të gjitha pasoja në jetë njerëzish",- tha Lamallari.

Ora 20:30
Zjarri në pallatin në Tiranë/ Ristani: S’ka humbje jete! Goxhaj: Flakët nisën në një biznes në katin e parë, fasada ndihmoi në përhapjen e tyre

 

Kryetarja e Komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, ka qenë prezente pranë pallatit që u përfshi nga flakët në kompleksin Arlis te ‘Farmacia 10’ në Tiranë.

Gjatë fjalës së saj para mediave, Ristani tha se fatmirësisht deri më tani nuk raportohet për ndonjë person të humbur apo që mund të ketë mbetur brenda pallatit që u përfshi nga flakët.

“Nuk ka asnjë banor të humbur apo që nuk kemi informacione dhe që rrezikohet të mbetet brenda. Megjithatë do të bëhet kontrolli në të gjithë ndërtesën, banesë më banesë, për të siguruar që në të vërtetë nuk kemi asnjë humbje apo dëmtim. Ajo që dimë deri më tani, është se nuk kemi humbje jete”, tha Ristani.

Nga ana tjetër, drejtori i Zjarrëfikëses së Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, është shprehur se vatra e zjarrit dyshohet të ketë nisur në një biznes në katin e parë të objektit dhe më pas të jetë përhapur në të gjithë godinën.

Goxhaj tha se edhe përbërja e fasadës së pallatit ka ndihmuar në përhapjen e flakëve.

“Jemi drejt përfundimit të vatrës së zjarrit. Bëmë evakuimin e disa qytetarëve që ndodheshin në objekt. Jemi drejt përfundimit të situatës. Autoshkallat janë në vendin e ngjarjes, duke punuar. Në të dy faqet e objektit po punojmë me autoshkalla. Kemi futur brenda pallatit një grup me të gjitha pajisjet dhe mjetet e nevojshme, që po lufton vatrën e zjarrit.

Nga volumi i zjarrit që shohim, mendoj që zjarri është në katin e parë të objektit ku ka qenë një biznes. Dhe pas vënies në kontroll të situatës, inspektorët e parandalimit të shërbimit zjarrëfikës, në bashkëpunim me oficerët e policisë gjyqësore, do të bëjnë ekspertizën për të përcaktuar vatrën e zjarrit. Vatra e zjarrit është aty dhe pastaj fasada ka ndihmuar vatrën e zjarrit që të përhapet në të gjithë objektin”, tha mes të tjerash Goxhaj.

Ora 20:03
Shkon në 11 numri i lënduarve nga zjarri që dogji pallatin në Tiranë, Brataj: Një grua ka pësuar djegie, por është jashtë rrezikut për jetën (VIDEO)

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, tha se ka shkuar në 11 numri i të lënduarve nga zjarri që përpiu pallatin e komplektit "Arlis" në zonën e "Farmacisë 10" në Tiranë. 

Brataj veçoi një paciente, e cila ka pësuar djegie 15%, por e cila famirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

"I vetmi person i shtruar për djegie plastike është një grua, me djegie 15%, jashtë rrezikut për jetën. Pesë persona janë shtruar te toksikologjia. Ka edhe nga zjarrfikësit, por nuk e di numrin e saktë për momentin që t’jua them",- tha Brataj.

Ora 19:32
Zjarri në pallatin në Tiranë/ Kryepolici Hita: Ende s’kemi mundur të kontrollojmë të gjitha apartamentet për vlerësimin e dëmeve! Cara: Po lokalizojmë vatrat brenda banesave

 

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Zjarrëfikës, Arben Cara, është shprehur se flakët te pallati në Tiranë ende nuk janë lokalizuar plotësisht, teksa shtoi se po punohet për shuarjen e zjarrit brenda apartamenteve.

Cara tha se në aksionin pë shuarjen e flakëve dhe evakuimin e banorëve u angazhuan thuajse gjithë kapacitetet zjarrëfikëse të Tiranës, në bashkëpunim edhe me Policinë, forcat RENEA dhe Emergjencat Civile.

“Është akoma shumë shpejt për të thënë që zjarri është fikur, pasi po punohet për të lokalizuar vatrat e zjarrit që ndodhen brenda banesave. Kemi bërë të mundur lokalizimin e zjarrit që të mos përhapet në kullat përreth. Tirana është mobilizuar me të gjitha kapacitetet zjarrëfikëse. Unë kam komunikuar me drejtorin e Policisë së Shtetit, drejtorin e Përgjithshëm të Emergjencave Civile, ministrin e Brendshëm dhe tani po punojmë intensivisht për lokalizimin e vatrave të zjarrit. S’mund të themi sa apartamente janë shkrumbuar, por mund të themi se zjarri ka përfshirë gjithë seksionin nga veri-lindja, nga kati i parë në katin e fundit”, tha mes të tjerash Cara.

Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita tha se ende nuk janë kontrolluar të gjitha apartamentet, për të bërë një vlerësim të plotë të dëmeve të shkaktuara nga zjarri.

Hita theksoi se Policia po punon për sigurimin e provave pë zbardhjen e shkaqeve të zjarrit. Ai paralajmëroi se nëse zjarri është vënë nga persona të jashtëm, Policia do të ndërmarrë masa ekstreme.

“Kanë qenë dy banorë të evakuar nga shërbimet zjarrëfikëse dhe nga shërbimet e Policisë që në momentin e parë. Nuk kanë probleme shëndetësore të rënda përveç asfiksisë. Nuk kemi bërë bilancin përfundimtar të pasojave. Pas fikjes së zjarrit, do ju bëjmë me dije bilancin përfundimtar të dëmeve. Janë paraqitur në QSUT punonjës të shërbimit zjarrëfikës. Ata janë mirë me shëndet dhe nuk kanë probleme të rënda. Janë vënë në dispozicion repartet e FNSH-së, repartet speciale RENEA për hapjen e dyerve, që të mos kishim humbje jete. Akoma nuk janë kontrolluar të gjitha apartamentet. Po grumbullojmë gjithë provat e nevojshme. Do marrim gjithë kamerat e sigurisë dhe do kryejmë gjithë procedurat hetimore. Dhe nëse zjarri ka ardhur nga persona të jashtëm, patjetër që do ketë edhe masa ekstreme.

Ora 19:01
Zjarri masiv ‘përpiu’ pallatin te kompleksi Arlis në Tiranë, Report TV siguron PAMJET ME DRON! Gjithçka e bërë ‘shkrumbë e hi’

 

Report Tv ka siguruar pamjet me dron nga pallati që u përfshi nga flakët ditën e sotme, në kompleksin Arlis në Tiranë, ku ndodhet edhe ‘Farmacia 10’.

Nga pamjet nga sipër godinës së përfshirë nga flakët, duket se zjarri ka shkaktuar problematika të shumta, duke shkrumbuar thuajse gjithë fasadën e pallatit.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se 7 persona po trajtohen në QSUT për shkak të asfiksisë. Në aksionin për shuarjen e flakëve dhe evakuimin e banorëve kanë marrë pjesë 8 zjarrëfikëse, autoambulanca, 2 helikopterë Cougar dhe 50 persona, zjarrëfikës, ushtarë, forca të Policisë dhe RENEA-s. Si pasojë e tymit, 7 persona janë asfiksuar dhe po marrin trajtim në spital.

 

Ora 19:00
EKSKLUZIVE/ Minutat e para të zjarrit që përpinë pallatin e kompleksit ‘Arlis’ në Tiranë (VIDEO)

Një pallat i kompleksit "Arlis" te zona e njohur si "Farmacia 10" në Tiranë është përfshirë nga flakët pasditen e sotme. 

Report Tv ka siguruar ekskluzivisht videon e momenteve fillestare të flakëve, të cilat kanë nisur në orën 16:46 dhe janë përhapur gradualisht, duke përpirë të gjithë faqen e pallatit dhe disa banesa brenda.

Dyshimet paraprake janë se flakët kanë nisur nga një market që ndodhet në katin e parë të pallatit.

Ora 18:51
50 efektivë, 2 helikopterë dhe 8 zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e flakëve që dogjën pallatin në Tiranë

1776185528_zjarritekqsut.jpeg

Një pallat i kompleksit "Arlis" te zona e njohur si "Farmacia 10" në Tiranë është përfshirë nga flakët pasditen e sotme.

Për shuarjen e flakëve masive kanë mbërritur në vendngjarje 2 Helikopterë Cougar, duke hedhur ujë nga ajri; 8 Zjarrfikëse, 6 nga emergjencat; si dhe 50 persona që përfshijnë efektivë nga ushtria, emergjencat civile dhe të tjerë.

Ora 18:40
Digjet pallati në Tiranë, 7 të lënduar përfundojnë në QSUT, 2 te reparti i djegie-plastikës

1776185116_zjarri.jpeg

Të dëmtuar nga flakët masive që "përpinë" pallatin shumë-katësh të kompleksit "Arlis" në Tiranë, 7 persona po marrin në QSUT, 2 prej të cilëve janë shtruar në repartin e djegie-plastikës.

Ora 18:27
Tiranë/ Digjet pallati te 'Farmacia 10', banorja e lënduar nga flakët futet me barrelë në autoambulancë (VIDEO)

 

Një pallat i kompleksit "Arlis" te zona e njohur si "Farmacia 10" në Tiranë është përfshirë nga flakët pasditen e sotme. Pas evakuimit nga forcat zjarrfikëse, banorët e asfiksuar dhe të djegur nga flakët që "përpinë" pallatin, janë transportuar menjëherë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza".

Ora 18:17
Tiranë/ Digjet pallati te 'Farmacia 10', helikopteri i ushtrisë në vendngjarje për shuarjen e flakëve (VIDEO)

 

Një pallat i kompleksit "Arlis" te zona e njohur si "Farmacia 10" në Tiranë është përfshirë nga flakët pasditen e sotme. Për shuarjen e zjarrit masiv që ka përfshirë objektin shumë-katësh është angazhuar edhe një helikopter i ushtrisë, i cili po hedh ujë nga lart.

Ora 18:15
Zjarri në pallatin te ‘Farmacia 10’ në Tiranë rrezikon jetët e njerëzve, forcat RENEA i bashkohen aksionit për evakuimin e banorëve (VIDEO)

 

Aksionit për evakuimin e banorëve nga pallati te ‘Farmacia 10’ në Tiranë, i cili u përfshi nga flakët, i janë bashkar edhe forcat speciale RENEA.

Deri më tani raportohet të jenë evakuar disa persona, ndërkohë që puna në terren nga forcat zjarrëfikëse dhe Policia vijon.

Ora 18:08
Pallati në flakë në Tiranë, në vendngjarje edhe ministri Lamallari (VIDEO)

 

Një pallat është përfshirë nga flakët pasditen e së martës te zona e njohur si "Farmacia 10" në Tiranë. Në vendngjarje duke ndjekur nga afër situatën kritike është edhe ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari.

Ora 18:00
Zjarri në pallatin te ‘Farmacia 10’ në Tiranë, QSUT në alarm, Urgjenca dhe Djegia Plastike në gjendje gatishmërie

1776181559_zjarri.jpg

Pas zjarrit në pallatin te ‘Farmacia 10’ në Tiranë, i cili ka përfshirë thuajse gjithë godinën, brenda së cilës ndodhen ende njerëz, ka alarmuar Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ (QSUT).

Burime për Report Tv bëjnë të ditur se repartet e Urgjencës dhe Djegies Plastike janë vënë në gatishmëri, për çdo situatë që mund të krijohet.

Ora 17:52
Tiranë/ Pallati në flakë te 'Farmacia 10', momenti kur zjarrfikësit evakuojnë me shkallë banorët (VIDEO)

Një pallat është përfshirë nga flakët pasditen e së martës te zona e njohur si "Farmacia 10" në Tiranë. Report Tv sjell pamjet e momentit kur zjarrëfikësit evakuojnë banorët nëpërmjet shkallëve.

Ora 17:49
Tiranë/ Përfshihet nga flakët pallati te 'Farmacia 10', zjarrfikëset punojnë për shuarjen e zjarrit masiv (VIDEO)

Një pallat është përfshirë nga flakët pasditen e së martës te zona e njohur si "Farmacia 10" në Tiranë. Report Tv sjella pamje nga operacionet e zjarrfikësve në vendngjarje për shuarjen e flakëve.