Kryetarja e Komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, ka qenë prezente pranë pallatit që u përfshi nga flakët në kompleksin Arlis te ‘Farmacia 10’ në Tiranë.
Gjatë fjalës së saj para mediave, Ristani tha se fatmirësisht deri më tani nuk raportohet për ndonjë person të humbur apo që mund të ketë mbetur brenda pallatit që u përfshi nga flakët.
“Nuk ka asnjë banor të humbur apo që nuk kemi informacione dhe që rrezikohet të mbetet brenda. Megjithatë do të bëhet kontrolli në të gjithë ndërtesën, banesë më banesë, për të siguruar që në të vërtetë nuk kemi asnjë humbje apo dëmtim. Ajo që dimë deri më tani, është se nuk kemi humbje jete”, tha Ristani.
Nga ana tjetër, drejtori i Zjarrëfikëses së Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, është shprehur se vatra e zjarrit dyshohet të ketë nisur në një biznes në katin e parë të objektit dhe më pas të jetë përhapur në të gjithë godinën.
Goxhaj tha se edhe përbërja e fasadës së pallatit ka ndihmuar në përhapjen e flakëve.
“Jemi drejt përfundimit të vatrës së zjarrit. Bëmë evakuimin e disa qytetarëve që ndodheshin në objekt. Jemi drejt përfundimit të situatës. Autoshkallat janë në vendin e ngjarjes, duke punuar. Në të dy faqet e objektit po punojmë me autoshkalla. Kemi futur brenda pallatit një grup me të gjitha pajisjet dhe mjetet e nevojshme, që po lufton vatrën e zjarrit.
Nga volumi i zjarrit që shohim, mendoj që zjarri është në katin e parë të objektit ku ka qenë një biznes. Dhe pas vënies në kontroll të situatës, inspektorët e parandalimit të shërbimit zjarrëfikës, në bashkëpunim me oficerët e policisë gjyqësore, do të bëjnë ekspertizën për të përcaktuar vatrën e zjarrit. Vatra e zjarrit është aty dhe pastaj fasada ka ndihmuar vatrën e zjarrit që të përhapet në të gjithë objektin”, tha mes të tjerash Goxhaj.
Lajmi kryesor:
Zjarri ‘përpin’ pallatin te ‘Arlis’ në Tiranë, dyshohet se nisi nga biznesi i katit të parë! 11 persona të lënduar, flakët vihen nën kontroll pas 4 orësh! Hita: Do shohim pamjet e kamerave











