Të paktën 30 persona kanë humbur jetën dhe mbi 60 të tjerë janë plagosur si pasojë e një zjarri të fuqishëm që shpërtheu të dielën në mbrëmje në një restorant të mbushur me klientë në lagjen Chatuchak, në Bangkok, Tajlandë.

Sipas autoriteteve, shumë prej viktimave mbetën të bllokuara në tualetet e lokalit. Deri më tani janë identifikuar 17 gra dhe tetë burra, ndërsa procesi i identifikimit të viktimave të tjera vazhdon ende. Zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit ndërhynë me shpejtësi, duke evakuuar dhjetëra persona dhe transportuar të plagosurit në spitalet e zonës. Zjarri u vu nën kontroll pas rreth 45 minutash.

Në rrjetet sociale kanë qarkulluar pamje që tregojnë panikun gjatë evakuimit, si edhe përpjekjet për t'u dhënë ndihmën e parë dhe për të ringjallur disa prej viktimave. Në vendin e ngjarjes shkoi edhe kryeministri i Tajlandës, Anutin Charnvirakul, për të ndjekur nga afër operacionet e shpëtimit. Autoritetet kanë nisur një hetim për të përcaktuar shkaqet e zjarrit.

Tajlanda ka përjetuar edhe më parë tragjedi të ngjashme. Në vitin 2022, një zjarr në një lokal muzikor në pjesën lindore të vendit shkaktoi vdekjen e 14 personave./Corriere