TIRANË- Kati i dytë i një pallati 5 katësh është përfshirë nga flakët në zonën e Freskut në Tiranë, në rrugën 'Fadil Deliu'. Shkak për zjarrin, i cili tashmë është neutralizuar, është bërë rrjedhja e një bombole gazi. Tre banorë të pallatit kanë mbetur të lënduar dhe janë dërguar në spital, mes tyre edhe një fëmijë, si pasojë e asfiksimit nga tymi, ndërkohë që raportohet për dëme të shumta materiale. 

Për fikjen e flakëve është dashur ndërhyrja e katër forcave zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur edhe evakuuimin e banorëve nga pallati ndërmjet shkallëve të jashtme. Nga pamjet e siguruar nga Report Tv, shihet momenti kur shpëtohet një fëmijë nga flakët dhe niset me ambulancë në spital, ndërkohë që edhe banorë të tjerë u evakuuan. Një banor u shpreh se çdo gjë ndodhi brenda pak minutave dhe flakët dhe tymi përfshinë apartamentet e tyre, ndërkohë që u shpëtuan nga policia.

'Me datë 17.11.2021, rreth orës 18:20 në rrugën "Fadil Deliu", ka rënë zjarr në katin e dytë të një pallati, ku ka vetëm dëme materiale. Sherbimet e Policisë bënë evakumin e menjehershëm të banorëve të pallatit. Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse të cilat po punojnë për fikjen e zjarrit. Vijon puna nga Grupi Hetimor për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.'- njofton policia.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:34
Zjarri në pallatin te 'Fresku', flet banori: Dëgjuam të bërtitura, policët erdhën dhe na nxorën nga banesa

Flakët  janë neutralizuar në pallatin që u përfshi nga flakët në zonën e Freskut në Tiranë, ndërkohë që 3 banorë kanë përfunduar në spital për shkak të asfiksimit nga tymi. Një nga banorët e pallatit tha se dëgjuan të bërtitura dhe se efektivët e policisë i nxorën nga banesa me nxitim.

'Erdhën forcat zjarrfikëse dhe policia e na nxorën nga banesa dhe ne dolëm me nxitim! Dëgjuam shumë të bërtitura dhe kishte shumë tym brenda'- tha një nga banorët për Report Tv.

Ora 18:38
VIDEO/ Në duart e zjarrfikësve, momenti kur shpëtohet një fëmijë nga flakët që i përfshinë apartamentin

Ndërsa flakët kishin përfshirë apartamentin, ky është momenti kur fëmija i vogël i ka shpëtuar zjarrit. ‘Report Tv’ ka siguruar videon e fëmijës i cili ndodhet në duart e zjarrfikësve pas shpëtimit.