Më shumë se 700 zjarrfikës janë duke luftuar me flakët në Portugalinë Jugore, pasi vendi është përfshirë nga një zjarr masiv, si pasojë e temperaturave rekord të regjistruara në Portugali. Vala e nxehtë që ka përfshirë europën gjatë javëve të fundit, përveç thatësirës ka nxitur edhe zjarre në të gjithë kontinentin.
Temperaturat mbi 46 ° C në Spanjë dhe Portugali pritet të vazhdojnë të paktën deri të dielën. Agjencia e Mbrojtjes Civile në Portugali ka nisur fushatën sensibilizuese të paralajmërimit të qytetarëve përmes mesazheve në celular mbi rrezikun ekstrem të zjarrit në disa zona, në mënyrë që të shmangen humbjet e jetëve të njerëzve.
Zjarri në Portugali
Vitin e kaluar dhjetëra njerëz humbën jetën, si pasojë e zjarreve masive në Portugali. Zjarri masiv i aktivizuar në rajonin jugor të Algarve, ka djegur më shumë se 1,000 hektarë pyje duke bërë që një fshat i tërë të evakuohet. Ndërkohë në Spanjë, dy persona humbën jetën, si pasojë e goditjes nga i nxehti në rajonin juglindor të Murcias, ndërsa një i tretë i pastrehë vdiq në Barcelonë. Temperaturat pritet të arrijnë 45C në qytetin jugor të Kordovës.
Gjitashtu bëhet e ditur se zjarre janë ndezur edhe në Spanjën jugore, dhe pranë kryeqytetit Madrid. Ndërsa në Francë katër reaktorë bërthamorë u detyruan të mbylleshin për shkak të nxehtësisë, në holandë disa rrugë u mbyllën si pasojë e shkrirjes së asfaltit nga vapë. Në Suedi temperaturat kanë filluar një rënie të lëhtë pas motit më të nxhetë të 250 viteve që përfshiu vendin, i cili shkaktoi dhjetëra zjarre.