Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka zhvilluar ditën e sotme në Kuvend një interpelancë me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, lidhur me kushtet e punës dhe të ardhurat e punonjësve të shërbimit zjarrfikës.

Gjatë fjalës së tij, Braçe fillimisht foli për forcimin e sistemit të mbrojtjes nga zjarret dhe zbatimin e rregulloreve për zjarret të BE-së (Eorocodet), me qëllim minimizimin e dëmeve.

“Është fakt, zjarret, ato për arsye natyrore, siç është klima, rritja e temperaturave, thatësira e zgjatur, mungesa e burimeve ujore, të cilat i favorizojnë. Zjarret për arsye njerëzore, kriminale, të qëllimta. Të tjera arsye që lidhen me menaxhimin e burimeve natyrore. Te ne zjarrëfikësit kanë shmangur pasojat për jetën. Mbrojtja nga zjarri në të tilla kushte po bëhet jetike. Zjarrëfikësit po marrin një rol gjithnjë e më të madh. Sistemi i mbrojtjes nga zjarri është shumë më i madh edhe nga zjarrëfikësit. Ka të bëjë me parandalimin dhe minimizimin e dëmeve. Ky sistem lidhet me menaxhimin dhe krijimin e hapësirave ndarëse mes parcelave, në një apo disa pyje, në ndaljen e zjarrit dhe mbrojtjen e pyllit. Në ndërtim të njësive të banimit apo shërbimit, gjithçka nis me kodet e sigurisë nga zjarri, Eurokodet, që përfshin gjithçka, që nga mënyra e ndërtimit, te sistemet e sigurisë”, tha mes të tjerash Braçe.

Më pas Braçe, duke kujtuar aksionin e zjarrfikësve për shuarjen e flakëve te kompleksi Arlis në Tiranë, tha se zjarrfikësit në Shqipëri përballen me vështirësi të shumta gjatë orarit të punës.

Braçe në sallën e Kuvendit deklaroi se zjarrfikësit gjatë shërbimit janë pa ushqim të paguar dhe pa ujë për t’u hidratuar. Braçe kërkoi edhe pagesën e zjarrfikësve për punën që ata bëjnë jashtë orarit, apo siç quhet ndryshe, pagesën e orëve shtesë.

“Qëllimi i kësaj interpelance janë zjarrfikësit. Janë njerëz ata, nuk janë robotë. Janë njerëz, bijë, baballarë, djem të rinj, përgjegjës për familjet e tyre. Bëjnë një punë të rrezikshme dhe duhet të jenë të përgatitur e stërvitur. Koha kufizohet nga mundësitë fizike të tyre. Nuk mund ta bëjnë gjithë jetën këtë punë. Mbi të gjitha, duhet të jenë të ushqyer. Ata duhet të jenë edhe të hidratuar. Unë isha prezentë te kryqëzimi te Farmacia 10 ku ra zjarri. Një ditë më pas kam mbetur shumë keq. Bisedova me zjarrfikës të raskapitur dhe të dërrmuar nga puna, prej orës 16:00 të pasdites deri në orën 04:00 të mëngjesit. Zjarri u shua, pa patur mundësi që zjarrfikësit të ushqeheshin dhe hidratoheshin aty. Po e sqaroj, pa normë ushqimore të ushqimeve dhe ujë për të pirë aty. ‘Me paratë e rrogës’ iu përgjigjën pyetjes sime ‘si ja bëni për t’u ushqyer dhe hidratuar’. Gjetja e një zgjidhje për këtë gjë, sidomos kur ata janë në operacione, është arsyeja pse ju ftova në diskutim për këtë çështje”, vijoi më tej Braçe.

Nga ana tjetër, ministri Lamallari është shprehur se Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Zjarrfikës, sipas ligjit, ka më tepër një rol koordinues dhe një rol në garantimin e standardeve.

Lamallari deklaroi gjithashtu se gjatë qeverisjes socialiste janë ndërmarrë një sërë nismash për përmirësimin e pagave dhe të kushteve të punës për zjarrfikësit.

Sipas Lamallarit, trajtimi financiar i zjarrfikësve është përmirësuar me një VKM-në e miratuar disa vite më parë, teksa shtoi se qeveria do të çojë për miratim në Kuvend edhe një VKM për pagesën e orëve shtesë të punonjësve të shërbimit zjarrfikës.

“Prioriteti ynë për zjarrin te Farmacia 10 ishte sigurimi i jetëve të njerëzve dhe shuarja e flakëve. Ekipet e zjarrfikësve kishin një prezencë në zonat e afektuara. Duke parë natyrën fisnike të misionit të zjarrfikësve, për mua është krenari të kem si pjesë të strukturës së përgjegjësisë. Ligji e përcakton qartë, që Drejtoria e Përgjithshme ka një rol më tepër kordinues, një rol më tepër të garantimit të standardeve dhe unifikimit të procedurave, qoftë edhe në rekrutim. Patjetër edhe në kuptimin e lobimit, qoftë për mbështetje të shtuar financiare me investime, qoftë për ato që janë buxhetore, po ashtu edhe në drejtim të të gjitha tratativave që unë po realizoj momentalisht edhe me partnerët ndërkombëtarë. Kemi pasur një donacion sëfundmi nga Kanadaja, do të kemi edhe nga vende të tjera, ku teknologjitë më të fundit, përfshi edhe automjete për fikjen e zjarrit që do të vihen në dispozicion. Në bashkëpunim me homologët polakë, ne kemi bërë të mundur jo vetëm ngritjen e disa stacioneve të reja të zjarrfikëseve në vend, por edhe sigurimin e pajimeve më të fundit në mbrojtje të jetës së zjarrfikësve. Përsa i përket trajtimit financiar, në VKM-në e fundit pati një rritje të pagave dhe shtesave mbi pagë për të gjithë nivelet e gradave për zjarrfikësit. Sot që flasim një zjarrfikës përfiton pagë dhe shtesa dukshëm më të larta në krahasim me vitet më parë. Ne po çojmë për miratim edhe VKM-në që lidhet me orët shtesë, me mbulimin e orëve shtesë, si dhe me trajtimin më të mirë të zjarrfikësve në të gjithë vendin”, tha mes të tjerash Lamallari.


Lajmi kryesor:

Interpelenca për kafshët endacake/ Braçe kritika Ballës: S’më dikton dot se cili ministër duhet të më japë llogari! Duhet të ‘përballesha’ me Sallën, dhe jo Demon