TIRANE- Zjarret në verilindje dhe në juglindje të vendit mbeten kritike. Ndonëse janë reduktuar në krahasim me ditët e mëparshme ato që janë aktive mbeten me intensitet mbi mesatare.

Prej ditësh vazhdojnë të jenë aktive vatra zjarri në zonat e thella malore në qarkun e Shkodrës, sidomos në Pukë, në Kukës apo dhe në pyllin e Bozdovecit në Korçë. Qindra ha tokë pyje me pisha, bredha janë djegur ndërkohë që nuk flitet për një bilanc apo shifër sesa është sipërfaqja totale që prej më shumë se një jave është e përshfirë nga flakët.

“Situata nuk ka qenë shqetësuese por kritike, pasi vatrat e zjarrit kanë rënë në zona të thella ç’ka e ka bërë të vështirë ndërhyrjen”- përshkruan situatën zëdhënësi i ministrisë së Brendshme në një lidhje të sotme telefonike për TV A1 Report. “Fakti që kanë rënë në zona të thella e ka bërë më të vështirë ndërhyrjen. Dje patëm dhe ndërhyrjen e FA çka ndihmoi në reduktimin e ndjeshëm të vatrave nga 29 në 16 të tilla. Por vatrat që mbeten ende aktive janë me intensitet mbi mesataren”- informon Leonard Olli.

Më problematiket sipas tij janë “vatrat e zjarrit në fshatin Orosh, në Pukë, në Tërthore në rrethin e Kukësit, në Parkun e Lurës, ku një vatër aktive ndodhet në pjesën e druve të prerë në mënyrë abuzive. Më kritike mbetet situata në Bozdovec, sepse terreni i thepisur pengon ndërhyrjen e forcave tokësore. Atje kemi dërguar sot 140 forca ushtarake.

Ndërkohë që zjarri në Priskë si rezultat i ndërhyrjes së ushtrisë, pasditen e vonë ka qenë e përmirësuar dhe po shkon drejt izolimit. Sot një numër i vogël, rreth 200 ushtarë ndodhen atje për të punuar mbi shuarjen e flakëve. Dje në këtë zonë u vendosën 800 ushtarë.
(sg/shqiptarja.com)