Valon Xharra, një bankier dhe investior shqiptaro-amerikan me banim në Beverly Hills - një qytet pranë Los Anxhelesit, i famshëm në gjithë botën - fare pranë zonës së përfshirë nga zjarri masiv në Kaliforni, ka përshkruar për Report Tv kaosin me përmasa historike të shkaktuar në shtetin amerikan.
I ftuar në “Studio Live” me Arbër Hitajn, Xharra tha se sot (10 janar 2025) situata është më e stabilizuar, por shtoi se dëmet kapin vlerën e 150 miliardë dollarëve dhe se sipërfaqja e djegur është e barabartë me 1/4 e sipërfaqes së Tiranës.
“Sot është pak më stabile. Dje situata ishte më e paparashikueshme me erëra deri në 150 km në orë. Shkëndijat në kombinim me erën janë shumë të rrezikshme, zjarret kalonin nga lagjia në lagje. Është një sipërfaqe 120 kilometra katrorë e mbushur me zjarre që është pak a shumë 1 e 4 e Tiranës. Dëmi është 100 deri 150 miliardë dollarë. Shumica e shtëpive janë 1.5 deri në 2 milionë dollarë në vlerë”,-tha Xhaferri për Report Tv.
Bankieri shqiptar-amerikan sqaroi se deri tani forcat zjarrfikëse në SHBA kanë arritur të vënë nën kontroll 10% të zjarreve.
“Tre zjarret më të mëdha në historinë e Kalifornisë kanë ndodhur në 5 vitet e fundit. Dje isha në punë dhe binte borë prushi.
Lajmi i fundit ishte që është nën kontroll 10% e zjarrit. Erërat do të zbuten dhe ky është armiku kryesor për momentin.
Në 50 vitet e fundit ky është muaji më i thatë që kemi pasuyr në Kaliforni. Nuk dihet se si ka filluar por mund të ketë ndonjë dorë njeriu. Zakonisht ka dorë njeriu por është shumë herët për të ditur si ka filluar”,-theksoi ai.