Dibër - Vatra e zjarrit në Parkun Kombëtar të Lurës vijon të jetë aktive edhe këtë të premte.

Ndërsa po punohet nga toka dhe ajri për shuarjen e plotë, policia e Dibrës ka nisur hetimet për tre persona, me detyra përkatëse Shef monitorimi i parkut kombëtar dhe Roje mjedisi.

Të tre akuzohen se nuk kanë marrë masat e nevojshme për ruajtjen, mbikëqyrjen dhe mbrojtjen nga zjarri të territorit në përgjegjësinë e tyre.

Si pasojë e zjarrit, janë djegur disa hektarë sipërfaqe pyjore.

"Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për dokumentimin e rrethanave të zjarrit në parkun kombëtar të Lurës, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit K. S., 35 vjeç, S. L., 51 vjeç, të dy banues në Dibër, dhe A. L., 64 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, me detyra përkatëse Shef monitorimi i parkut kombëtar dhe Roje mjedisi, nuk kanë marrë masat e nevojshme për ruajtjen, mbikëqyrjen dhe mbrojtjen nga zjarri të territorit në përgjegjësinë e tyre. Si pasojë, janë djegur disa hektarë sipërfaqe pyjore.

Vijon intensivisht puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorit/ëve të këtij rasti", njoftoi sot policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë