TIRANË- Eksperti i inxhinierisë elektrike, Azmer Duleviç i ftuar në Report Tv flet për rrezikun nga situatat e zjarreve në pallate, ku dy raste u shënuan në kompleksin ‘Kika’ te Komuna e Parisit në Tiranë. Duleviç thotë se është një prej resorteve më të lakmuara në Tiranë, ndërkohë që nuk ofron siguri për jetën e qytetarëve.
Në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, eksperti shprehet se duhet të vendoset detyrim ligjor për ndërtuesit, që çdo apartament të ketë sensor që sinjalizon në rastet e rënies së zjarrit apo rrjedhjeve të gazit.
“Është kompleksi më i lakmuar, metri katror arrin deri në 3 mijë euro dhe nga ana tjetër qytetarët nuk janë të sigurt. Ndërtimet nuk e kanë sistemin e larmit funksional, gjë që ka munguar edhe tek komuna e Parisit, por kjo nuk rregullohet vetëm nga ana e ndërtuesve. Po t’u lihet në dorë ndërtuesve, jemi përballë faktit që jemi sot që pjesa më e madhe pallateve nuk kanë sistemin e sinjalizimit në rastet e zjarrit, rrjedhjeve të gazit dhe parandalimit. Kjo duhet detyruar me ligj. Nuk është e përcaktuar që të kemi brenda banesave sensor, nuk e ka ligji”, thekson Duleviç.
Eksperti shprehet se apartamentet nuk kanë sensor, por edhe në rastet kur janë të vendosura në hapësirën e përbashkët të pallateve, janë fiktive dhe nuk punojnë. Duleviç thekson se Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk ka kolaudim të instalimeve elektrike dhe kontroll periodik.
“Madje në disa raste kur vendosen në ambiente të përbashkëta janë fiktive, nuk funksionojnë. Duhet të ketë obligim që ndërtuesit ti vendosin. Banesat tona nuk kanë sensor. Jemi i vetmi vend në rajon që nuk kemi kolaudim të instalimeve elektrike dhe kontroll periodik. Nuk ka testim, askush nuk i lë asnjë banori projektin elektrik”, shprehet eksperti.
Shqetësim ngre edhe për mungesën e shkallëve të emergjencës në pallate, që mundësojnë evakuimin e banorëve ne raste zjarri.
“E paprecedentë që bëhen ndërtesa dhe nuk vendosen shkallët e emergjencës që në raste zjarri të evakuohen banorët. Shpesh problem është edhe evakuimi i banorëve. Qytetarët po e blejnë 2500 euro metri katror dhe marrin pasiguri për banesën e tyre. Nga një studim, në 2024 ka mbi 220 raste zjarri që kanë ardhur si pasojë e shkëndijave elektrike ose rrjedhjet nga bombolat e gazit. Duhet të jetë ndërgjegjësim si nga ana e qytetarëve, por edhe institucioneve në mënyrë që këto të parandalohen.
Për çdo apartament minimumi duhet të ketë sensor sinjalizues. Nëse gatuan me gaz dhe ka rrjedhje mund të humbësh jetën. Nëse do ishte ky sistem sinjalizimi, qytetarët do dëgjonin alarmin dhe do dilnin”, shprehet Duleviç.
Ndalur në shifra, eksperti thotë se vetëm në 2014 ka pasur 220 raste zjarri që kanë ardhur si pasojë e shkëndijave elektrike ose rrjedhjet nga bombolat e gazit.