Pesë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në vend, nga 34 të raportuara gjatë 24 orëve të fundit. Situata më problematike paraqitet në Tiranë dhe Dibër, ndërsa dy vatra të tjera në Elbasan janë nën mbikëqyrje.

Në malin e Dajtit janë riaktivizuar tre vatra zjarri, ku po punojnë zjarrfikësit dhe efektivët e Forcave të Armatosura për vënien e flakëve nën kontroll.

Në Dibër vijojnë zjarret në Qafë të Helmës, Vajkal, Sllatinë dhe Komsi. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk rrezikohen zonat e banuara.

Ndërkohë, në Elbasan, zjarret në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit janë nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për banesat.

Gjatë ditës së djeshme pati situatë problematike në Vranisht të Vlorës dhe në Xhyrë të Librazhdit. Por vatrat e zjarrit janë shuar pas ndërhyrjes nga ajri.

Në total, për përballimin e zjarreve janë angazhuar 481 forca, 44 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe një avion “Air Tractor”.