VLORË-Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, është parë serish sot në terren pas kritikave të shumta për neglizhencë në luftën me flakët që kanë 'pushtuar' vendin, sidomos në Qarkun e Vlorës.  Nga Dukati, ai foli në një intervistë edhe për Report Tv, ku u shpreh se strukturat e Ministrisë së Mbrojjes janë në terren dhe 500 trupa po ndihmojnë në shuarjen e flakëve.

Sipas tij, përveç helikopterit të ushtrisë gjatë ditës së sotme do të ndihmojnë edhe 2 helikopterë të kontraktuar nga privatët.

"Së pari dua tu kërkoj ndjesë sepse s'mund të bëjmë intervistë të gjatë por duke vlerësuar punën e televizionit tuaj jam i  gatshëm të bëjmë disa sqarime. S'mund të flasim për sipërfaqe të djegura sepse nuk bën sens sepse jemi ende në vatra zjarri, të djegura janë shkurre dhe barishte dhe ky nuk është një superlajm.

Kanë ardhur dhe 500 trupa që do ti bashkohen pjesës tjetër të trupave të armatosura. Këtu jemi në dukat, operacioni në 2 drejtime. Gjerdani i gjatë, gjatë natës është këputur në mes për shkak të trupave, e kanë ndarë në 2 pjesë gjerdanin kështu do të vazhdojmë operacionin për ta neutralizuar. Do kemi pas pak dhe 2 helikopterë të tjerë të marrë nga agjencia e mbrojtjes civile", tha Peleshi.

I pyetur nga gazetari i Report Tv për faktin që nuk është përgjigjur interesimit për dhënie informacioni, ministri Peleshi e mohon këtë.

"Skam pasur asnjë kontakt nga televizioni juaj, asnjë tentativë për kontakt skam pasur se do u isha përgjigjur. 0 kontakt. Sapo më thatë për një lidhje jam afruar sepse jam i detyruar të kafshoj dhe gjuhën por këtë s'mund ta pranoj skam pasur asnjë kontakt nga televizioni juaj dhe as nga një televizion tjetër", thotë Peleshi, edhe pse gazetari Andi Kapxhiu insistoi se nga studio e Report Tv live është kontaktuar disa herë dhe nuk është marrë asnjë përgjigje.

Peleshi tha se sigurisht që vendi i ka kapacitetet e limituara por puna po bëhet me përkushtim maksimal.

"Sa i përket forcave tona do tu lutesha të mos bëjmë spekulime, vatrat janë të decentralizuara janë qendra që lindin të shkurtra nga njëra tjetra dhe nuk avancojnë dot. Shtete më të fuqishme se ne nuk kanë pasur kapacitete të mjaftueshme, kanë shkuar në dëme në banesa humbje në njerëz, ne me ndihmën e zotit dhe me punën e pushtetit vendor dhe të FA nuk kemi dëme të tilla, po punojmë të shmangim kapërcimin e flakëve drejt Llogorasë. Kemi 3 helikopterë sot që flasim. Kemi kontaktuar të tjerë nga tregu. Me këta helikopterë do kombinohemi me forcat tokësore që të mos mbetet çështja te helikopteri. Kur u kërkua nga vendosmëri ndërhymë me kapacitette e limituara. Mirë do të ishte të kishim hydroplane sepse transportojnë më shumë ujë. Kam patur telefonatë me ministrin e mbrojtjes së Kroacisë kanë hidroplane. Kam kërkuar mbështetje dhe në Itali na kanë thënë se sapo të krijohet një hapësirë do na mbështesin", tha Peleshi, i cili i kërkoi gazetarëve që të ndihmojnë që të  sensibilizojmë edhe qytetarët pasi bashkëpunimi me ta është jashtëzakonisht i domosdoshëm.

Pas kësaj sipas ministrit mund të bëhen emisione ku të thuhet se sa mirë do ishte që kishim 1 mijë helikopterë.

VIDEO/ 31 korrik Ministri Peleshi nuk i hap telefonin interesimit te Report TV per zjarret ne vend