Zjarrfikësit në perëndim të Athinës po punojnë për të forcuar vijat e izolimit të zjarreve, duke shfrytëzuar rënien e përkohshme të erës, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se në ditët në vijim pritet rikthimi i erërave të forta dhe rritja e temperaturave.

Disa nga zjarret që përfshinë zonat malore dhe bregdetare në perëndim të kryeqytetit grek u vunë nën kontroll gjatë natës. Gjatë mëngjesit, avionë dhe helikopterë vijuan hedhjen e ujit mbi vatrat që ende paraqisnin rrezik.

Në terren janë angazhuar edhe njësi të ushtrisë me mjete të rënda për hapjen e brezave mbrojtës, ndërsa ekipe të specializuara po kontrollojnë zonat pyjore për të shuar vatrat që mund të riaktivizohen.

Më shumë se 1 mijë persona janë evakuuar nga zona turistike bregdetare e Porto Germenos dhe nga vendbanime të tjera në perëndim të Athinës. Mbi 250 persona u nxorën me mjete lundruese nga plazhet e zonës.

Ndërkohë, Ministria greke e Krizës Klimatike dhe Mbrojtjes Civile ka vendosur nivelin më të lartë të alarmit për zjarret ("Kodi i Kuq") për ditën e mërkurë në rajonin e Atikës, Evian, Lesvosin dhe Kiosin, për shkak të rrezikut shumë të lartë për shpërthimin e zjarreve.

Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve dhe turistëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të ndjekin udhëzimet e emergjencës që dërgohen përmes sistemit të paralajmërimit 112.