TIRANE - I gjithë vendi, nga jugu në veri, është përfshirë nga një seri vatrash zjarri si pasojë e temperaturave të larta. Në një njoftim për shtyp të publikuar në mbrëmje, Drejtoria e Shërbimeve Civile bëri të ditur se janë 33 vatrat e zjarrit që mbeten ende aktive.

Situata më e rëndë është paraqitur në jug të vendit, në fshatin Zhapokik të Tepelenës, pasi janë djegur dy banesa, njëra prej të cilave ishte e banueshme. Zjarrfikësja ka mbërritur me shumë vonesë në vendin e ngjarjes duke mos arritur të shuajë flakët në kohë. Situata u paraqit e rëndë si pasojë e intensifikimit të flakëve, të ndihmuara edhe nga era. Zjarrfikësja, policia dhe vetë banorët me mjete primitive luftuan me flakët.

Zjarret nuk kanë kursyer as Tiranën, ku brenda pak orëve tre vatra janë regjistruar në Krrabë, Kombinat dhe Ish Fushën e Aviacionit. Fatmirësisht zjarret nuk ka shkaktuar dëme të konsiderueshme, pasi zjarrfikëset kanë mbërritur në kohë duke lokalizuar flakët.

Një tjetër qytet i prekur nga zjarri është edhe Fushë - Kruja, ku në orët e pasdites në fshatin Arameras është përfshirë nga flakët nga djegia e një masivi kullotash. Zjarri i ndihmuar edhe nga era është drejtuar drejt banesave duke i rrezikuar seriozisht.

Situata ndërlikohet akoma më shumë për faktin se zjarrfikësve ju ka mbaruar uji dhe janë larguar duke lënë të vetëm banorët përballë një rreziku potencial. Vatra të tjera zjarresh janë lokalizuar në Krujë, Librazhd dhe Lezhë.

Në vijim njoftimi i plotë i Drejtorisë së Shërbimeve Civile mbi situatën e zjarreve në vend:

Bazuar në informacionet e grumbulluara në Drejtorinë Operacionale të Drejtim Komandimit të Emergjencave Civile nga specialistët e Emergjencave Civile në Institucionin e Prefektëve, Stacionet e PMNZSH-së në rrethe, drejtuesit dhe përfaqësuesit e njësive të Qeverisjes Vendore, nga strukturat e Shërbimit Pyjor, si dhe nga pika të tjera kontakti në nivel qendror dhe vendor, situata paraqitet si më poshtë:

Gjatë ditës së sotme mbeten aktive 33 vatra zjarresh në të gjithë territorin e vendit.

Qarku Dibër: Ka kaluar në 8 numri vatra aktive të zjarrit. Në Kaçn, Liqeni Bruçit, Lura 1, Shupenzë, në fshatin Mazhicë, në Luçan; Zall Gjoçaj; Fushë Bulqizë në Qafën e Klenjës. Forcat të shërbimit zjarrëfikës, të shërbimit pyjor, por edhe banorët e komuniteteve respektive po punojnë pa pushim për shuarrjen e tyre.

Qarku Elbasan: Ka 1 vatër zjarri aktive, në fshatin Lubinjë, komuna Tunjë, rrethi Gramsh, ku forcat zjarrëfikëse dhe ato të shërbimit pyjor, po ndihmohen edhe nga 1 togë FA-ve për shuarrjen e tij.

Qarku Gjirokastër: 2 vatra zjarri: në fshatin Zhabokikë, komuna Luftinjë dhe vatra mbi Ujin e Ftohtë të Tepelenës. Banorët e fshatrave dhe forcat zjarrfikëse po punojnë për shuarrjen e tyre.

Qarku Kukës: Ka 3 vatra aktive. Vatra në fshatin Zapod komuna Zapod tani është 70% e izoluar dhe forcat e Shërbimi Pyjor, 19 forca të PMNZSH-së dhe 30 forca nga komuniteti vijojnë nga puna për fikjen e tj.

Vatra e Qaf Komit është pjesërisht e izoluar, punojnë 25 forca të Fa-ve dhe të shërbimit pyjor.
Vatra në ekonominë Surroj, mbetet shqetësuese. Banorë të komunitetit, shërbimit Pyjor vijojnë nga puna për izolimin e tij.

Qarku Lezhë: 4 vatra aktive zjarri. Vatra në fshatin Malaj bashkia Rreshen, vatra në fshatin Selitë, komuna Selitë, vatra në Kaçinar dhe vatra e re në fshatin Gallatë, komuna Selitë në Kurbin.

Qarku Shkodër: 9 vatra aktive zjarri. Vatra në fshatin Gajtan, komuna Gur i Zi; në fshatin Vilz, komuna Postribë; në fshatin Lekaj, komuna Shalë.
Në komunën Iballë të Pukës janë 3 vatra zjarri; në fshatin Gojan-Shkozë, komuna Gjegjan, në malin e Krrabit dhe vatra më e re e pasdites po në komunën Qerret, në fshatin Luf, e cila ka intesitet të lartë për arsye të erës së fortë dhe mund të përparojë drejt banesave e fshatit. Aty janë përqendruar forcat të shumta zjarrfikëse të Pukës si dhe nga vetë komunitetit.

Qarku Tiranë: Ka 2 vatra zjarri aktive. Vatra tek Lapidari i Krrabës, ku forcat zjarrfikëse operojnë me vështirësi të madhe për arsye të terrin të vështirë dhe vatra tek rezervuari i Sharrës në Kombinat. 2 toga të FA-ve po operojnë në në secilën vatër.

Qarku Vlorë: Ka 2 vatra zjarri aktive. Vatra e zjarrit në Karaburun ku digjet kullotë dhe vatra e zjarrit në Dukat digjet pyll me shkurre e kullotë. Në Dukat 10 forca zjarrfikëse dhe 20 forca nga komuniteti janë angazhuar për fikjen e zjarrit të ndihmuar edhe nga mjeti zjarrfikës i Repartit të Pasha Limanit.

Qarku Berat: Nuk ka vatra zjarri aktive.
Qarku Durrës: Nuk ka vatra zjarri aktive.
Qarku Fier: Nuk ka vatra zjarri aktive.
Qarku Korçë: Nuk ka vatra zjarri aktive.

(d.b./shqiptarja.com)