Deri në orën 20:00 të ditës së sotme, në territorin e Shqipërisë janë raportuar 20 vatra zjarri, 4 prej të cilave vijojnë të mbeten aktive.

Përmes një njoftimi, Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 183 forca operacionale, 21 automjete zjarrfikëse, 80 forca ushtarake dhe 2 helikopterë të Forcave Ajrore.

Vatrat kryesore problematike janë në Dajt–Qafë Priskë, Vajkal të Bulqizës, Lundre dhe Mallunxë të Matit.

Në Lundre raportohet të janë djegur rreth 90–100 hektarë pyje dhe në Vajkal zjarri ka përshkuar mbi 13 hektarë. Në disa zona, përfshirë Iballën në Fushë-Arrëz, ndërhyrja është vështirësuar nga terreni i thyer dhe janë përdorur edhe helikopterët e Forcave të Armatosura për shuarjen e flakëve.

Ndërkohë, zjarret në Qafën e Lugut–Vithkuq, malin e Qukësit dhe Iballë janë nën mbikëqyrje, ndërsa vatrat në Podgorc, Psar dhe Therepel të Skraparit janë shuar plotësisht.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:52
Bulqizë/ Zjarr pranë xhamisë në Gjoricë, flakët rrezikojnë banesat

 

Një zjarr është përhapur pasditen e sotme në fshatin Gjoricë në rrethin e Bulqizës, në afërsi të xhamisë dhe shumë pranë banesave të zonës.

Flakët kanë përfshirë sipërfaqe me bimësi, ndërsa përhapja e tyre ka shkaktuar shqetësim te banorët për shkak të afërsisë me shtëpitë.

Situata kërkon ndërhyrje të shpejtë për të parandaluar avancimin e zjarrit drejt zonës së banuar.

Banorët po ndjekin me shqetësim situatën, ndërsa ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit dhe sipërfaqja e dëmtuar. Zjarrfiksja ka bere te mundur izolimin e zjarrit nga banesat per momentin e ka nen kontroll.