Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Himarë, Pervin Gjikuria, në një telefonatë për Report Tv ka bërë një pasqyrim të situatës së zjarrit në Himarë, ku tha strukturat e bashkisë janë ‘në këmbë’ për vënien nën kontroll të flakëve.
Gjikuria tha se banorët e Potamit, por edhe të zonave të tjera të rrezikuara, po lagin me ujë oborret e shtëpive të tyre. Sipas tij, nëse zjarri do të zbresë poshtë, do të ketë edhe një urdhër evakuimi për banorët e Potamit. Ndërkohë sipas Gjikurisë, lajmi i mirë është që era, e cila po favorizonte përhapjen e flakëve, është qetësuar.
“Gjithë aparati shtetëror është në zonë. Po na vijnë zjarrfikëse edhe nga qytetet e tjera. Situata është alarmante këtë moment. Gjithë forcat tona janë në terren. Po luftojmë me zjarrin, çfarë të them në këtë moment. Zjarrfikësit janë në luftë me zjarrin. Personeli i Bashkisë është i gjithi në këmbë.
Zona e ‘1 Majit’ është më e kërcënuara. Pra nga Potami e deri te pjesa e bajpasit mbrapa. Potami është një zonë e populluar. Pjesa e Stefanelit gjithashtu. Zjarri ka rënë në zonën e 1 Majit. Kam fjalë që mund të jenë djegur shtëpi, por asgjë zyrtare. Banorët janë duke lagur oborret e tyre, duke bërë pjesën që duhet të bëjnë për të ruajtur pronat e tyre.
Këtej poshtë në Potam nuk ka panik. Njerëzit janë në pritje le të themi. Nëse do të kemi zbritje të zjarrit poshtë, do të kemi një urdhër evakuimi. Lajmi i mirë është që era është qetësuar. Në rast se do të jetë e nevojshme për evakuim, do të bëhet edhe evakuimi i turistëve. Jemi të gatshëm për gjithçka që mund të ndodhë dhe kemi edhe mbështetjen e plotë nga aparati qëndror”, tha mes të tjerash Gjikuria.
Lajmi kryesor:
Himara nën kërcënimin e flakëve! Evakuohen banorë e turistë, digjen 6 banesa! Nufi e Çako: Pas 3 orësh betejë, situata nën kontroll






