TIRANE-Vijojnë hetimet për flakët në ashensorin ku humbi jetën Drilona Duriçi.

Prokuroria e Tiranës kërkon nga Inspektoriati Shteteror Industrial (ISHTI) ekspertizën zyrtare të shkaqeve të rënies së zjarrit.

Burime nga prokuroria bënë të ditur se nuk është përcaktuar ende shkaku se përse ra zjarri në ashensor.

Sipas prokurorisë, ISHTI ka bërë një njoftim zyrtar për media ku thekson ku ra zjarri, por jo shkakun që ndezi flakët që më pas dogjën kabinën e ashensorit.

Sipas prokurorisë, vetëm pas ekspertimit zyrtar të ISHTI për shkakun e rënies së zjarrit do të vendoset për procedurat e hetimit dhe përgjegjsinë penale.

Prokuroria thekson ndërkaq se është në pritje të akt-ekspertimit të Mjekësisë Ligjore për të konfirmuar nëse bëhet fjalë për dy viktima, pasi u përfol për një shtatzani të Drilona Duriçit.

Ndërkaq ISHTI në njoftimin zyrtar për zjarrin në pallatin në zonën e Freskut thekson vetëm se zjarri ka rënë tek depozita e vajit.

 “Në pallatin ‘Eni” shpk, Shkalla 1 (nga Veriu), Rruga ‘Muhamet Deliu”, Qesarakë, rreth orës 09:48 ka marrë zjarr depozita e vajit e ashensorit hidraulik, e cila ndodhej brenda kafazit të ashensorit. Zjarri i rënë ka dëmtuar kabinën e ashensorit dhe pastaj ka shkaktuar vdekjen e një banoreje të këtij pallati. Kabina ndodhej e pozicionuar në katin e parë dhe kishte dhe ajo në brendësi material konstruktiv të djegshëm.

Nga kontrolli i rrjetit elektrik tek dy box-et kolektiv rezultoi se nuk kishte asnjë rënie monofazor që i përkiste familjarëve.

U konstatua se ishte në pozicionin i ulur i stakuar automati trefazor i ambienteve të përbashkëta nga i cili furnizohej me energji elektrike ashensori hidraulik i pallatit”.

dokumenti zjarr fresku

(d.b/Shqiptarja.com)