Kushtet e sigursië teknike të spitalit Amerikan si dhe disponimi ose jo i mjeteve për të shuar flakët e zjarit, janë bërë objekt hetimi prej një jave i prokurorisë së Tiranës. Kjo e fundit ka nisur hetimin në dy drejtime, atë të vrasjes për shkak të rrethanave cilësuese dhe “Mosplotësimit të kushteve teknike” nga ana e spitalit Amerikan. Akuza e parë pritet të pushohet për shkak se autori i krimit Lefter Canaj ka gjetur vdekjen.

Hetimet janë shtrirë tek disa persona, ku pritet që në ditët në vijim të meret në pyetje dhe administratori i këtij spitali Klodjan Alljabeu. Pak ditë më parë disa prej antëarë të stafit të këtij spitali janë marrë në pyetje, përfshirë këtu dhe infermierin Stiljano Bardhi, ky i fundit i djegur në pjesën e duarve, pasi ka qënë personi që ka ndërhyrë për dhënien e ndihmës së parë.

Sistemi kundër zjarrit
Burime pranë prokurorisë së Tiranës i thanë gazetës “Shqiptarja.com” se në Spitalin Amerikan nuk ishte përmbushur asnjë element sigurie përsa i përket shuarjes së zjarreve. Madje edhe vetë shërbimi i tyre për të administruar situata të tilla nuk ka funksionuar aspak. Kanë qenë forcat e zjarrfikëses ato që kanë bërë shuarjen e flakëve të përhapura në ambientet e brendshme të spitalit, ndërkohë që dhe shërbimi i sigurisë i këtij spitali ka qenë problematik, pasi ska ushtruar asnjë kontroll.

Nga sherri për rradhën tek politika
Sipas Prokurorisë së Tiranës ka dyshime se ngjarja të ketë ndodhur pas një grindjeje mes dy pacientëve për shkak të radhës. Nga materialet e administruara për llogari të hetimeve, rezulton se dëshmitarët kanë treguar se mes dy pacientëve ka patur një debat të fortë. Nga Prokuroria thuhet kjo, por burime nga vendi i ngjarjes thonë se në fakt sherri mund të ketë qenë edhe më i çuditshëm. Duke qëndruar për një kohë të gjatë në sallë gjatë dializës, mes Lefter Canajt dhe Dashamir Saraçit ka nisur një debat me tone të larta për çështje politike, debat që ka degjeneruar në sharje personale dhe që ka nxitur Lefter Canajn që të rikthehej në pavion me shishen e benzinës të maskuar si shishe uji dhe të shkaktojë tragjedinë e rëndë.

Redaksia online
(a.n/shqiptarja.com)